Kjo e hënë shënoi përvjetorin e dytë të kryengritjes mbarëkombëtare në Iran. Brënda vetëm 5 ditëve në nëntor 2019, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike vrau mbi 1500 protestues paqësorë. Më pas, rreth 12,000 pjesëmarrës u arrestuan dhe u mbajtën në paraburgim pa afat mes kushtesh çnjerëzore, dhe shpesh herë edhe u torturuan për periudha të gjata.
Fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar nuk pati shumë për të thënë lidhur me këto masa të ashpra në atë kohë. Nuk ndryshoi shumë me kalimin e përvjetorit të parë të kryengritjes, dhe tani me afrimin e përvjetorit të dytë, regjimi iranian e ka bërë plotësisht të qartë se nuk i merr seriozisht asnjë nga dënimet e pafuqishme me fjalë për dhunimet që ai u bën të drejtave njerëzore. Bindja që shfaq regjimi për pandëshkueshmërinë e tij pasqyron ndikimin e vazhdueshëm të reagimit të ashpër kundër kryengritjes së 2019-ës, si dhe thekson trashëgiminë e shkeljeve që shtrihen në më shumë se tre dekada, duke përfshirë krimin më të rëndë kundër njerëzimit për të cilin askush nuk ka dhënë llogari deri më sot.
Treguesi më i qartë i kësaj pandëshkueshmërie u pa në qershor kur, pas një procesi zgjedhor të kontrolluar rreptësisht, u konfirmua se Ebrahim Raisi do të ishte presidenti i ri i regjimit. Në kohën e kryengritjes së vitit 2019, Raisi ishte kreu i gjyqësorit të Iranit dhe si i tillë, ai luajti një rol kryesor në fushatën e torturës që pasoi. Detajet e asaj fushate u regjistruan dhe u etiketuan me titullin Duke Shkelur Njerëzimin në një raport të Amnesty International për vitin 2020. Kjo organizatë e të drejtave të njeriut më pas iu përgjigj menjëherë “zgjedhjes” së Raisit duke e quajtur atë një “kujtues të zymtë se pandëshkueshmëria ka pushtet absolut në Iran”.
Drejtorja e Përgjithshme Agnes Callamard ishte me siguri duke iu referuar shtypjes së ashpër të protestave të 2019-ës kur e lëshoi këtë deklaratë. Por vërejtja e saj se Raisi është dashur të “hetohet për krimet kundër njerëzimit të vrasjeve në masë, zhdukjeve me forcë, dhe torturës” bazohej kryesisht në rrëfimet për rolin e tij në masakrën e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë. Si një nga katër zyrtarët që ishin pjesë e “komisionit të vdekjes” të Teheranit në verën e atij viti, Raisi ndihmoi për t’i dhënë shtysë ekzekutimeve që shpejt përfshinë gjithë vendin duke çuar në më shumë se 30,000 varje e vdekje me pushkatim gjatë një periudhe prej rreth tre muajsh.
Heshtja e botës për sa i përket shtypjes së ashpër të kryengritjes së vitit 2019 është në analogji të drejtpërdrejtë me heshtjen e saj për masakrën e 1988-ës, dhe të dyja këto raste kanë kontribuar fuqishëm në bindjen e regjimit për pandëshkueshmërinë e tij. Në shtator 2020, kur disa mbrojtës të të drejtave të njeriut ishin ende në proces të vlerësimit të ashpërsisë së represionit të një viti më parë, shtatë ekspertë të OKB-së i shkruan një letër të hapur autoriteteve iraniane duke kërkuar transparencë mbi masakrën e vitit 1988 dhe që t’i jepej fund keqtrajtimit të familjeve të viktimave. Por letra dukej se e pranonte se nuk kishte shanse për një përgjigje serioze nga ana e Iranit dhe ia ngarkonte njëfarë faji për këtë situatë OKB-së dhe shteteve anëtare kryesore të saj.