Friday, March 29, 2024

Iran: Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel Shpall Datën e Seancës Dëgjimore

Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel njoftoi sot se seanca për shqyrtimin e kërkesës së paditësve të shumtë për të parandaluar transferimin e diplomatit-terrorist të dënuar, Assadollah Assadi, në Iran do të mbahet më 19 shtator 2022.

Të premten, më 22 korrik, Gjykata e Apelit në Bruksel e ndaloi përkohësisht shtetin belg të procedonte me një transferim të mundshëm të Assadi-t në Iran. Assadi u dënua në vitin 2021 nga gjykata e Anversës me 20 vjet burg për terrorizëm. Parlamenti belg ratifikoi të mërkurën në mbrëmje një traktat midis Belgjikës dhe Iranit për transferimin e të arrestuarve.

Vendimi i gjykatës së apelit të premten, që ndalon përkohësisht transferimin e Assadollah Assadi në Iran apo në çdo vend tjetër, do të mbetet në fuqi derisa të merret vendimi në seancën dëgjimore. Kërkesa iu paraqit gjykatës nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, Presidentja e zgjedhur e tij, zonja Maryam Rajavi, dhe nëntë persona të tjerë fizikë, duke përfshirë disa personalitete të shquara nga SHBA dhe Evropa. Muajin e shkuar, qeveria belge i paraqiti parlamentit një traktat që kishte nënshkruar me Teheranin në mars, nën titullin “Transferimi i personave të dënuar”. Parlamenti belg e ratifikoi traktatin, duke lejuar transferimin e të burgosurve të dënuar midis dy vendeve.

Nga ana e Iranit, qëllimi i qartë i traktatit ishte të siguronte lirimin e Assadollah Assadi, një diplomat-terrorist i rangut të lartë i dënuar në shkurt 2021 me 20 vjet në një burg belg si pasojë e rolit të tij si organizatori i një komploti terrorist të vitit 2018. Ai komplot u pengua për fat të mirë nga bashkëpunimi midis disa agjencive evropiane të zbatimit të ligjit. Por nëse do të ishte realizuar sipas planit, mund të ishte shndërruar në sulmin më të rëndë terrorist në tokën evropiane. Assadi, që shërbente si këshilltar i tretë në ambasadën e regjimit në Vjenë në atë kohë, kishte futur kontrabandë personalisht në Evropë 500 gram eksploziv të lartë TATP së bashku me një detonator dhe më pas ua kishte dorëzuar ato dy bashkëpunëtorëve me udhëzime se ku dhe si t’i përdornin.

Objektivi i përgjithshëm i atij komploti ishte grumbullimi i përvitshëm i emigrantëve iranianë, i organizuar jashtë Parisit nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit. Objektivi i veçantë ishte presidentja e zgjedhur e NCRI, Maryam Rajavi. Meqenëse përpjekja për ta shënjestruar atë do të përfshinte vendosjen e pajisjes shpërthyese pranë skenës, nuk ka dyshim se ajo do të kishte vrarë dhe plagosur gjithashtu një numër politikanësh, studiuesish dhe personalitetesh të tjerë perëndimorë që ishin të pranishëm, së bashku me rreth 100,000 iranianë. Assadi nuk ishte i vetëm në pranimin e rrezikut të një incidenti ndërkombëtar që do të kishte pasuar një sulm të tillë. Hetuesit belgë konkluduan pa asnjë dyshim se urdhrat për komplotin terrorist të vitit 2018 vinin nga nivelet më të larta të regjimit iranian.

Zbatimi i traktatit për “Transferimin e Personave të Dënuar” do të ishte një hap shumë i madh drejt sigurimit të një strehe të sigurt për terroristët e Iranit në Belgjikë dhe Evropë. Irani është sponsori kryesor shtetëror në botë i terrorizmit dhe ky traktat do ta kthejë Brukselin në një qendër për ta. “E kam thënë tashmë, dhe e kam përsëritur, se t’i varësh shpresat tek lirimi i një pengu të pafajshëm belg në Iran është një hap përpara dhe 100 hapa prapa, sepse në të ardhmen askush nuk do të jetë i sigurt. Çdo qytetar evropian dhe amerikan në Iran do të bëhet një peng i mundshëm. A nuk është ky një pakt me djallin kundër sigurisë së qytetarëve evropianë dhe amerikanë, popullit iranian dhe rezistencës së tyre?” tha zonja Maryam Rajavi në një mesazh për demonstratën e iranianëve në Berlin më 23 korrik.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit dënon fuqishëm traktatin e turpshëm midis qeverisë belge dhe fashizmit fetar që sundon Iranin dhe do të ndjekë dhe shterojë të gjitha rrugët e mundshme politike dhe ligjore për të parandaluar transferimin e një diplomati terrorist të dënuar në Iran. Ky traktat i turpshëm do ta inkurajojë regjimin iranian, si shteti numër një sponsorizues i terrorizmit në botë, që ta përdorë edhe më shumë pengmarrjen e shtetasve të huaj dhe të dyfishtë dhe të kryejë edhe më shumë veprimtari terroriste në Evropë.