Intraneti i Iranit: një master-plan për censurimin e internetit

1000

Pak javë pas konfirmimit të planit për Rrjetin Kombëtar të Informacionit (intranet) nga Këshilli Suprem iranian për Hapësirën Kibernetike, disa pjesë të këtij plani janë publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Mehr.

“Dizajni mjeshtëror inxhinierik” i Rrjetit Kombëtar të Informacionit është miratuar më 15 shtator nga Këshilli Suprem i Hapësirës Kibernetike (ISCC) i Iranit pas konfirmimit nga Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei.

Çfarë është Rrjeti Kombëtar i Informacionit?

Regjimi iranian ka shumë vite që ndjek një plan për të krijuar një intranet të brendshëm të ndarë nga interneti global për qëllime sigurie e censure, të quajtur “Rrjeti Kombëtar.”

I propozuar në 2005-ën, Rrjeti Kombëtar i Informacionit (NIN) është një projekt në vazhdim për zhvillimin e një rrjeti infrastrukturor intraneti. “Dizajni mjeshtëror inxhinierik” është firmosur nga Hassan Rouhani në shtator.

Sipas Mehr, qëllimi i këtij rrjeti “kombëtar” është të “reduktojë varësinë dhe të parandalojë aksesin e huaj në hapësirën kibernetike iraniane”. Kjo agjenci lajmesh thotë gjithashtu se NIN do të krijojë një mjedis që do të jetë “në përputhje me kulturën islamike të Iranit”. Plani përfshin shërbime softëare, si dhe objektiva infrastrukturore.

Shërbimet do të përfshijnë një motor kërkimi “kombëtar” për intranetin, messenger, platforma të rrjeteve sociale, sistem të brendshëm email-i, regjistrim përdoruesi dhe një sistem operativ të brendshëm. Një sistem operativ për smartfonët me qëllimin për të kapur të paktën 20% të tregut të smartfonëve është përfshirë në “dizajnin mjeshtëror inxhinierik,” sipas raportit.

Ky plan do të përfshijë edhe “përmirësime” sistemi në sigurinë e Iranit, në fushën e zbatimit të ligjit dhe në institucionet gjyqësore, për të “identifikuar” dhe për të trajtuar krimet dhe shkeljet në hapësirën kibernetike, me një objektiv vjetor për reduktimin e krimit me 25%.