Saturday, July 27, 2024

I Tmerruar nga Bojkotimi i Zgjedhjeve False Parlamentare, Rouhani Lutet Dëshpërimisht: Mos u Rrini Larg Votimeve

Nga frika e një kryengritjeje tjetër dhe e një bojkotimi kombëtar të zgjedhjeve të regjimit, presidenti i regjimit Hassan Rouhani i lutet popullit të marrë pjesë

Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) më 11 shkurt 2020.

Sot, shumica dërrmuese e popullit iranian i shpërfilli dhe i bojkotoi tubimet e orkestruara nga shteti me rastin e përvjetorit të revolucionit anti-monarkik në Teheran e qytete të tjera. Kjo ndërkohë që regjimi i mullahëve kishte përdorur të gjitha burimet qeveritare, duke përfshirë IRGC, paraushtarakët Bassij, zyrat dhe agjencitë qeveritare, dhe mercenarët e huaj për të mobilizuar një turmë të madhe njerëzish.

Videot e modifikuara e të montuara që janë transmetuar në televizionin shtetëror e tregojnë qartë bojkotin.

Në komentet e tij, Hassan Rouhani u krenua me një seri shifrash të rreme e mashtruese për progresin ekonomik gjatë presidencës së tij, dhe e mbuloi me lavde Qassem Soleimani-n, duke e quajtur një “komandant i fushës së betejës dhe diplomat i lartë, i cili i ka sjellë stabilitet Irakut, Sirisë dhe Libanit, dhe siguri rajonit… një njeri i luftës dhe paqes, i luftës që çon në paqe; një paqe që na bën aq të fortë sa të mos e lejojmë të fillojë lufta.”

Por komentet e Rouhani-t e shfaqën qartë frikën e tij nga një bojkotim i zgjedhjeve. Ai ia kushtoi më shumë se gjysmën e fjalimit të tij rëndësisë së pjesëmarrjes në zgjedhje. Ndërkohë që neveria e publikut dhe protestat kundër kësaj maskarade  po përshkallëzohen, ai iu lut dëshpërimisht e në mënyrë të përsëritur popullit që të marrë pjesë në këto zgjedhje false dhe të mos rrinë larg votimeve.

Pasi i kishte përshkruar vetë më përpara këto zgjedhje si seleksionim e si mashtruese, Rouhani tha paturpësisht, “Një nga vlerat tona më të larta nacionaliste e fetare është zgjedhja dhe fuqia për të zgjedhur, mundësia për të zgjedhur një rrugë më të mirë mes disa rrugëve. Duhet të ketë krikita. Por ju lutem që të mos ketë apati, nuk duhet të bëhemi pasivë. Nuk duhet t’i rrimë larg kutisë së votimit për shkak të këtij apo atij akti. Nuk duhet t’u rrimë larg votimeve e zgjedhjeve. Pavarësisht rrethanave, duhet të shkojmë te kutia e votimit…. Zgjedhjet dhe kutia e votimit janë shpëtimtarët tanë”, domethënë shpëtimtarët e diktaturës fetare.

Më 15 janar, Rouhani kishte thënë, “Mos i thoni popullit se për çdo karrige në parlament ka 17, 170 apo 1,700 kandidatë. Nga sa grupime? Një? Këto nuk mund të jenë zgjedhje. Nuk mund ta drejtosh vendin vetëm me një grupim.” Dhe më 27 janar, ai foli për mashtrimin sistematik të zgjedhjeve: “Sidoqoftë, nuk kemi mundur ta bëjmë votimin elektronik… Pse dikush e lexon fletën e votimit, një tjetër e shënon; nuk është e qartë çfarë lexon njëri e çfarë shënon tjetri… Në fund, kur duan të nxjerrin rezultatin, është një lëmsh i vërtetë… Në shumë zgjedhje, mbledhja e rezultateve ndesh në probleme.”

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka përsëritur se popullit iranian e ka hedhur votën e tij të vërtetë në kryengritjet e nëntorit 2019 dhe janarit 2020 me thirrjet “vdekje parimit të velayat-e faqih, dhe vdekje Khamenei-t.” Ajo shtoi se lutjet patetike të Rouhani-t nxisin vetëm urrejtjen dhe neverinë e popullit iranian për mullahët në pushtet, duke i bërë iranianët më të vendosur se kurrë për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve jo legjitime. Bojkotimi i kësaj farse është detyrë patriotike dhe detyrim i kombit iranian ndaj martirëve, sidomos 1,500 njerëzve të masakruar gjatë kryengritjes së nëntorit 2019, tha Znj. Rajavi.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

11 shkurt 2020