Regjimi Iranian Vazhdon t’i Fshehë Faktet për Krizën e Koronavirusit Duke i Bërë Infermierët të Heshtin

509

28 prill 2020

Iranian regime continues to cover up Coronavirus crisis by silencing nurses Infermierët, mjekët dhe personeli mjekësor në Iran kanë bërë sakrifica të mëdha kundër koronavirusit, ndërkohë që të drejtat e tyre bazë janë shkelur nga regjimi i mullahëve.

Infermierët në Iran janë udhëzuar nga regjimi që të heshtin lidhur me krizën e koronavirusit, si dhe janë urdhëruar që vdekjet nga COVID-19 t’i regjistrojnë si të shkaktuara nga “sindroma e distresit respirator akut”.

Shpërthimi i koronavirusit e ka goditur rëndë qytetin e Teheranit, ku ka më shumë se 6,000 vdekje. Dëshmitarët në një spital të Teheranit kanë thënë se numri i rasteve me COVID-19 duket se po rritet, por zyrtarët e regjimit ia kanë ndaluar spitalit ta përmendë koronavirusin. Dy infermierë nga ky spital –Spitali Milad – janë pushuar nga puna pasi kishin njoftuar disa pacientë dhe familjet e tyre se ishin infektuar nga virusi.

Është raportuar gjithashtu se pajisjet mbrojtëse, duke përfshirë kostumet hazmat, që kanë qenë të disponueshme për punonjësit mjekësorë në këtë spital janë hequr prej aty. Kjo është bërë për t’i bërë njerëzit të mendojnë se nuk ka raste me koronavirus në spital. Një gjë e tillë është tronditëse pasi në këtë mënyrë, punonjësit mjekësorë ekspozohen edhe më shumë ndaj infektimit me virusin. Tridhjetë e pesë infermierë janë infektuar tashmë me COVID-19 në këtë spital.

Besohet se shumica dërrmuese e pacientëve në spital janë atje për shkak të koronavirusit. Numrat rriten çdo ditë, e megjithatë ka plane për të hequr nga puna 80 infermierë për ta zvogëluar stafin, sipas regjimit.

Kushtet e punës për punonjësit mjekësorë në Iran ka vite që nuk kanë qenë të kënaqshme, por ky shpërthim i koronavirusit i ka përkeqësuar të gjitha problemet ekzistuese. Punonjësit mjekësorë në mbarë Iranin, sidomos ata në departamentet e emergjencës, po vënë në rrezik jetën e tyre, si dhe të familjeve të tyre, për të trajtuar pacientët e shumtë me koronavirus që shkojnë atje çdo ditë.

Një tjetër problem është se stresi i punës u ka shkaktuar probleme psikologjike shumë punonjësve shëndetësorë në mbarë Iranin. Ata merren me shumë pacientë çdo ditë, ndonjëherë deri në njëqind në ditë, dhe secili nga turnet është rraskapitës – si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo mendore.

Bilanci më i fundit i vdekjeve, siç është raportuar nga Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI / MEK), tregon se mbi 36,200 njerëz kanë vdekur në Iran për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Neglizhenca e regjimit është kriminale dhe ekziston një nevojë urgjente për ndërhyrje ndërkombëtare. Populli i Iranit është i zemëruar me regjimin që nuk e mbron.

Edhe situata në burgje është kritike, dhe gjendja e të burgosurve është shumë e brishtë. Në burgje kanë shpërthyer kryengritje sepse shqetësimet e të burgosurve janë shpërfillur nga autoritetet. Kushtet higjienike në burgjet e Iranit janë shumë poshtë standardeve ndërkombëtare dhe kjo bën që situata të jetë shumë e rrezikshme në mesin e krizës shëndetësore aktuale. Për më tepër, të burgosurit që janë infektuar me COVID-19 nuk janë veçuar nga të tjerët.

Organizatat ndërkombëtare të të drejtave njerëzore kanë bërë thirrje që të ndërmerren masa të menjëhershme për mbrojtjen e të burgosurve në Iran. Kjo është një situatë shqetësuese për çdo iranian në këtë kohë.