Monday, February 6, 2023

Regjimi Iranian e Ka Varrosur me Nxitim Navid Afkari-n, por Nuk do të Mundet t’i Fshehë Krimet e Tij

 

Miqtë dhe familjarët e Navid-it nderojnë kujtimin e tij

Regjimi iranian e ka varrosur me nxitim dhe në fshehtësi trupin e Navid Afkari, një kampion mundjeje që u ekzekutua të shtunën. Një javë më parë, mullahët shkatërruan një varr masiv të viktimave të masakrës së 1988-ës në Iranin jug-perëndimor. Por megjithatë, këto krime nuk do të mbulohen nga fshehtësia.

Navid Afkari Sangari ishte një kampion 27-vjeçar në sportin e mundjes. Ai ishte arrestuar gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit në 2018-ën në Iranin jug-perëndimor. Pas një torture mizore, ai ishte detyruar të bënte rrëfime të rreme dhe ishte akuzuar për vrasjen e një pjesëtari të forcave të sigurisë të regjimit. Në një letër të dërguar nga burgu, Navid ka dhënë detaje mbi torturat e tmerrshme që ka duruar. “Për rreth 50 ditë kam duruar torturat më të tmerrshme fizike e psikologjike. Më rrihnin me shkopinj, duke më goditur në krahë, këmbë, bark e shpinë. Më vinin një qese plastike në kokë dhe më torturonin derisa më merrej fryma në prag të vdekjes. Më kanë hedhur edhe alkool në hundë,” lexon letra.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, regjimi iranian e ekzekutoi Navid-in. Ky ekzekutim u dënua ndërkombëtarisht. Regjimi e ka ekzeutuar Navid-in për ta frikësuar popullin dhe shoqërinë e trazuar e cila, me protestat e saj në 2018-ën dhe 2019-ën, i shkundi themelet e regjimit. Krahas kësaj, regjimit i nevojitej ky ekzekutim për të ngritur moralin e forcave të tij shtypëse të cilat janë të demoralizuara e të dëshpëruara.

Për të mos lejuar që varrimi i Navid-it të nxiste fillimin e një kryengritjeje të re, regjimi iranian e varrosi trupin e tij natën pa e lejuar familjen të mbante një ceremoni mortore për të, apo që të afërmit e miqtë të ishin të pranishëm në varrimin e Navid-it.

Fakti që komuniteti botëror nuk i ka kërkuar llogari regjimit të mullahëve për krimin e tyre më të rëndë në 1988-ën, si dhe për mizori të tjera të kryera prej tyre, e ka trimëruar këtë regjim që të vazhdojë me shkeljen e të drejtave njerëzore dhe ta ekzekutojë Navid-in pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare.

Siç ka thënë Znj. Maryam Rajavi, presidentja e opozitës: “Megjithatë, ekzekutimi i Navid Afkari vetëm sa do t’i ushqejë edhe më shumë flakët e kryengritjes së popullit iranian dhe do ta hedhë regjimin e mullahëve në koshin e plehrave të historisë. Populli ynë nuk do ta falë dhe nuk do ta harrojë kurrë këtë krim. Khamenei dhe regjimi i tij nuk do të munden t’u shmangen pasojave të kësaj vrasjeje prej burracakësh.”

Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, Znj. Rajavi përsëriti edhe një herë: “Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe shtetet e tij anëtare, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Bashkimi Europian dhe të gjitha autoritetet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet të marrin masa praktike dhe të efektshme kundër regjimit në Iran për ekzekutimin e Navid Afkari dhe 120,000 njerëzve të tjerë të ekzekutuar mbi baza politike. Heshtja dhe mosveprimi u japin dritën jeshile këtyre krimeve dhe interpretohen si bashkëfajësi në këto krime.”