Iran: Përditësim mbi Koronavirusin, Më Shumë se 40,200 Vdekje,
Teheran, e premte mbrëma, 8 maj 2020
NUMRI I VIKTIMAVE (DERI MË 9 MAJ 2020, 6:00 PM CEST):
Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI) shpalli mbasditen e sotme, më 9 maj 2020, se Koronavirusi ua ka marrë jetën mbi 40,200 njerëzve në 315 qytete të Iranit.
Numri i vdekjeve për disa provinca është: 6750 në Teheran, 3330 në Qom, 2070 në Khuzestan, 1250 në Golestan, 1050 në Hamedan, 1045 në Lorestan, 650 në Kurdestan, 341 në Chaharmahal & Bakhtiari, 170 në Hormozgan. Këta numra janë përveç rasteve të regjistruara në provinca të tjera.
***
Iran: 3600 Njerëz Janë Arrestuar pse Kanë Postuar Shifrat e Vërteta të Viktimave të COVID-19
Shpërthimi i koronavirusit në Iran ua ka marrë jetën afërsisht 40,000 njerëzve për shkak të fshehjes së fakteve dhe mosveprimit nga ana e regjimit. Në vend që t’i ndihmojë njerëzit, regjimi iranian i arreston ata që ekspozojnë realitetin e COVID-19 duke i akuzuar për “përhapje thashethemesh.”
Në vende të tjera, përveç faktit që ka transparencë nga ana e qeverisë, personat që i paralajmërojnë të tjerët për një krizë të tillë si ajo e koronavirusit nderohen si heronj. Në Iran nuk ndodh kështu.
Gjeneral Brigade Abolfazl Shekarchi, zëdhënësi i forcave të armatosura të regjimit, tha në televizionin shtetëror më 29 prill: “Rreth 3,600 njerëz që kishin postuar thashetheme në hapësirën virtuale janë arrestuar nga Forcat e Sigurisë së Shtetit (SSF) dhe Bassij. Armiqtë tanë vazhdojnë me antagonizmin e tyre, dhe kanë agjentë brenda vendit të cilët ndjekin politikat e tyre në vend.”
***
NCRI-SHBA, 8 Maj 2020, Analizë Politike Online: Domosdoshmëria e Zgjatjes së Afatit të Embargos së Armëve mbi Iranin nga OKB
UASHINGTON, DC – 8 maj 2020 – Sot, në një analizë politike online, me titull “Domosdoshmëria e Zgjatjes së Afatit të Embargos së Armëve mbi Iranin nga OKB,” Alireza Jafarzadeh, zëvendës drejtori i Zyrës Përfaqësuese në SHBA të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI-SHBA), mirëpriti letrën dy-paritake drejtuar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo nga një shumicë dërrmuese e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA. Ai tha se kjo letër shërben si një tregues i qartë i faktit që rreziku që vjen nga regjimi iranian është real, i vazhdueshëm, dhe jo një çështje partiake. Ai tha gjithashtu se letra ekspozon një nga të metat madhore të JCPOA-së, faktin që e lejon të skadojë në tetor embargon ndërkombëtare të armëve, të sanksionuar nga OKB, që është vënë mbi Teheranin.
Alireza Jafarzadeh: Rreziku që regjimi iranian përbën për popullin e Iranit dhe për botën e jashtme do të vazhdojë deri kur të ketë një ndryshim themelor në Iran. Kriza e COVID-19 është thjesht një tjetër provë për faktin që diktaturës fetare i intereson mbijetesa e vet më shumë sesa interesi më i lartë i iranianëve apo stabiliteti në rajon. Sjellja e saj nuk do të ndryshojë. Ka vetëm një zgjidhje, e cila është ndryshimi i regjimit terrorist e kleptokratik nga vetë populli i Iranit. Tani është koha që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë në anën e popullit iranian dhe ta njohë të drejtën e tij për ta ndryshuar regjimin represiv e për të themeluar lirinë dhe demokracinë në Iran.
***
Më 2 maj 2020, forcat kufitare të regjimit iranian vranë 50 punëtorë afganë duke i hedhur në ujë
Më 2 maj, forcat kufitare të regjimit iranian në zonën e Saleh-Abad të Iranit jug-perëndimor kapën një grup punëtorësh afganë të cilët kishin hyrë në Iran për të kërkuar punë, dhe vranë 50 prej tyre pasi i kishin rrahur me lopata dhe pinca.
“Punëtorët afganë u arrestuan nga forcat kufitare të zonës së Saleh-Abad kur hynë në tokën e Iranit. Në fillim, forcat kufitare ua thyen duart e këmbët, pastaj hodhën 50 njerëz në ujë,” tha Abdul-Ghani Nouri, Guvernatori i Golan në Harat të Afganistanit. Megjithatë, po atë ditë, presidenti i regjimit Hassan Rouhani foli për trajtimin e mirë të imigrantëve dhe shërbimin mjekësor falas ndaj tyre.
“Për sa i përket trajtimit të pacientëve, ne nuk mendojmë a janë iranianë apo jo-iranianë. Nuk e marrim parasysh fenë e tyre. I shohim të gjithë pacientët si të barabartë dhe madje i trajtojmë falas shtetasit e huaj,” tha Rouhani.
Ndërkohë, një i mbijetuar ka përshkruar sjelljen mizore të forcave të regjimit iranian, duke thënë, “Në fillim na rrahën e na torturuan. Pastaj na futën në një automjet dhe na çuan te deti. Kishte një shtëpi atje. Pronari nuk i lejoi të na hidhnin në ujë. Na çuan në një vend tjetër dhe na hodhën në det.”