Saturday, January 28, 2023

Parlamentarët Britanikë Dënojnë Bombardimin nga Regjimi Iranian të Banorëve në Sistan dhe Baluchistan

Komiteti Britanik për Lirinë e Iranit, i përbërë nga dhjetëra ligjvënës të njohur nga Mbretëria e Bashkuar, lëshoi një deklaratë më 2 janar, ku dënon sulmet me artileri të regjimit iranian në zonat e banuara në provincën juglindore Sistan dhe Baluchistan. Deklarata e përshkruan këtë sulm dhe “vrasjen e civilëve, grave dhe fëmijëve”, si një “krim lufte të diktaturës fetare”.

Më poshtë vijon një pjesë nga teksti i plotë i kësaj deklarate:

Qëndrim i ashpër ndaj bombardimeve me artileri të zonave të banuara në Korin dhe Shurovo, në provincën Baluchistan të Iranit.

Vrasja e civilëve, grave dhe fëmijëve, është një krim lufte i diktaturës fetare

Ditët e fundit, diktatura fetare dhe terroriste që sundon Iranin ka kryer një valë të re represioni dhe sulmesh ushtarake kundër popullsisë së zonave të varfra të Baluchistanit, veçanërisht në rajonet dhe fshatrat e Korin, Zahedan, Shuro dhe Saadabad.

Sipas informacioneve të marra nga burime të Rezistencës Iraniane, Organizatës Muxhahedine dhe Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, gjatë dy ditëve të fundit, forcat e IRGC-së kanë qëlluar mbi banorët pranë fshatit Saeedabad Galugah në rrethin Korin.

Me këto sulme represive, regjimi iranian dërgoi kolona automjetesh ushtarake me armë gjysmë të rënda, artileri dhe Katyusha në zonë. Raportet tregojnë se forcat represive të Khameneit dhe Forcat Qods të Korpusit të Gardës Revolucionare bombarduan disa zona, duke përfshirë fshatin Shuro, duke shkatërruar shtëpi dhe duke vrarë të paktën tre persona, përfshirë një grua dhe një fëmijë 12-vjeçar.

Ky akt çnjerëzor i një regjimi të dënuar në të paktën 68 rezoluta të OKB-së, si dhe nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 2021, për shkelje sistematike dhe në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut, është një krim lufte dhe autorët e tij duhet të mbajnë përgjegjësi në gjykatë.

Duhet theksuar se javët e fundit në të gjithë Iranin, pavarësisht tragjedisë së koronavirusit, ka patur një valë demonstratash dhe grevash nga qindra mijëra njerëz.