Sunday, January 29, 2023

Mediat Shtetërore të Iranit Pohojnë se Politikat e Regjimit për COVID-19 Kanë Qenë Çnjerëzore, Paralajmërojnë Zyrtarët për një Kryengritje

Ndërkohë që numri i vdekjeve nga Covid-19 vazhdon të rritet në Iran, mediat shtetërore e pranojnë se regjimi e ka përdorur këtë virus për ta mbajtur nën fre shoqërinë dhe për t’i përdorur njerëzit si mburojë ndaj protestave popullore.

“Muajt e fundit, zyrtarët kanë shpallur statistika të ndryshme për sa i përket bilancit të vdekjeve nga Covid-19, gjë që i ka konfuzuar njerëzit. Nga ana tjetër, qeveria ka ngurruar në përdorimin e metodave shkencore dhe vaksinimeve dhe ka shkaktuar edhe më shumë shqetësim tek populli. Përfshirja e njerëzve në problemet e shkaktuara nga pandemia e Covid-19, si lufta me sëmundjen dhe presionet ekonomike të rënies së bizneseve, i privon ata nga fuqia dhe stimuli për t’i kushtuar vëmendje mënyrës sesi menaxhohen çështjet publike. Kjo e lejon [regjimin] të avancojë drejt qëllimeve të tij, duke shpërfillur interesin publik,” shkruante të hënën e përditshmja shtetërore Jahan-e Sanat në një artikull me titull “A kanë interes politikanët tek pandemia e Covid-19?”.

“Ndonëse kriza e koronavirusit e vonon konfliktin, kjo vonesë i kushton shoqërisë probleme tepër të rënda. Me fjalë të tjera, kur shoqëria të çlirohet nga kthetrat e kësaj sëmundjeje, defektet politike, shoqërore, dhe ekonomike do të fillojnë të lëvizin me fuqi më të madhe shkatërruese,” shkruan Jahan-e Sanat, duke e paralajmëruar regjimin për protesta të ardhshme.

Që kur shpërtheu Covid-19, regjimi, kryesisht Lideri Suprem Ali Khamenei, e ka përqafuar këtë virus vdekjeprurës duke e quajtur një sprovë dhe bekim. Pasi themelet e regjimit të tij ishin tronditur nga kryengritja e nëntorit 2019, Khamenei nisi një politikë çnjerëzore për Covid-19. Kjo politikë përfshinte mosveprim dhe fshehje të fakteve, rihapjen tepër të hershme të bizneseve, dhe me një fjalë, dërgimin e njerëzve në fushën e minuar të Covid-19.