Saturday, July 27, 2024

Irani dhe Vaksina e COVID-19: Një Tjetër Mjet për ta Rritur Presionin mbi Popullin

 

Ndërkohë që koronavirusi i ri ua ka marrë jetën pothuajse 200,000 Iranianëve, mafia e medikamenteve e drejtuar nga IRGC ndalon blerjen e vaksinave të huaja për Covid-19.

Në këtë kohë kur bota e ka shumë të vështirë të sigurojë dozat e nevojshme të vaksinave të Covid-19 për ta vënë nën kontroll krizën e shëndetit, zyrtarët iranianë kanë nisur një tregti kriminale.

Ata ngulin këmbë në krijimin e ‘vaksinave të vendit,’ të cilat nuk do të jenë të arritshme deri në verën e ardhshme. Ç’është më e rëndësishmja, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe vartësit e tij janë përfituesit kryesorë të industrisë iraniane të medikamenteve.

Ndërkohë, komentet kontradiktore të zyrtarëve i kanë bërë qytetarët konfuzë. Presidenti Hassan Rouhani pretendon se qeveria është e gatshme të blejë vaksina dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit (CBI), Abdolnasser Hemmati, ua vë fajin sanksioneve.

Në deklaratën e 7 dhjetorit të CBI-së, Hemmati pretendon se: “Sanksionet amerikane nuk lejojnë transaksione bankare për blerjen e vaksinës nga COVAX.” Si përgjigje, një zëdhënës i COVAX e ka hedhur poshtë menjëherë këtë pretendim.

“Nuk ekziston asnjë barrierë ligjore për blerjen e vaksinave nga Irani përmes COVAX pasi Zyra e Thesarit Amerikan për Kontrollin e Aseteve të Huaja ka lëshuar një liçencë që mbulon blerjen e vaksinës së koronavirusit,” lexon deklarata.