Iran: Thirrje për të shpëtuar jetën e të burgosurit të dënuar me vdekje, Hossein Shahbazi, i arrestuar në moshën 17-vjeçare
Dy të burgosur ekzekutohen në Khorramabad; IRGC vret katër të rinj të etnisë Baluch
Ditën e djeshme, regjimi klerikal e transferoi në qelinë e izolimit 20-vjeçarin e dënuar me vdekje, Hossein Shahbazi, për të pritur aty dënimin me vdekje. Shahbazi ishte 17 vjeç në kohën kur u arrestua. Rezistenca Iraniane u bën thirrje Kombeve të Bashkuara, organeve përkatëse, Bashkimit Europian dhe shteteve të tij anëtare që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shpëtuar jetën e tij.
Ndërkohë, të martën, më 21 dhjetor 2021, Hassan Mirkarami dhe Ardavan Fallahvand u varën në burgun Khorramabad pas tetë vitesh burg. Kështu, numri i ekzekutimeve të regjistruara nga data 22 nëntor deri më 21 dhjetor ka arritur në 41, duke përfshirë shtatë gra dhe tre të burgosur që kanë qenë të mitur në kohën e arrestimit.
Gjithashtu, të enjten, më 16 dhjetor 2021, katër qytetarë Baluch të quajtur Ali Hamali, Moslem Hamali, Kazem Vahabi dhe Hafiz Rigi u vranë pasi Garda Revolucionare (IRGC) hapi zjarr ndaj automjetit të tyre në Mehrestan (Sistan dhe Baluchestan). Vitet e fundit, IRGC ka qëlluar dhe vrarë në mënyrë rutinë të rinj Baluch, veçanërisht hamajtë që transportojnë karburant, në pjesë të ndryshme të provincës Sistan dhe Baluchestan.
Në një tjetër zhvillim, pas protestave kundër ekzekutimit të një të burgosuri politik kurd, Haidar Ghorbani, Ministria e Inteligjencës e regjimit klerikal ka arrestuar disa nga të afërmit e tij, duke përfshirë vëllain e tij dhe disa pjesëmarrës të tjerë të tubimeve.
Rezistenca iraniane i bën thirrje edhe një herë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Komisioneres së Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe organeve të tjera përkatëse të OKB-së që të marrin masa praktike e efektive për të shpëtuar jetën e të dënuarve me vdekje dhe që të dërgojnë një komision hetimor ndërkombëtar për të vizituar burgjet iraniane dhe për t’u takuar me të burgosurit. Dosja e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga regjimi klerikal duhet t’i referohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe liderët e regjimit duhet të sillen para drejtësisë për katër dekada krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.