Iran: Thirrje për të Hetuar Vdekjen e të Burgosurit Politik Adel Kianpour në Burgun e Ahvazit

720

I burgosuri politik Adel Kianpour, i burgosur që nga gushti 2020, vdiq në mënyrë të dyshimtë të shtunën, më 1 janar 2022, pasi vuante nga Koronavirusi dhe pas një greve urie njëjavore në burgun Shiban në Ahvaz. Drejtësia e regjimit klerikal e kishte akuzuar atë për “propagandë kundër shtetit, propagandë në mbështetje të grupeve opozitare, shqetësim të opinionit publik për prishjen e sigurisë kombëtare dhe posedim të dy armëve”.

Adel ishte marrë në pyetje dhe ishte torturuar për disa muaj duke iu mohuar edhe e drejta për avokat. Atij gjithashtu i ishin mohuar edhe vizitat nga familja  për pesë muaj. Thuhet se një vit pas arrestimit të Adelit, gjyqësori i regjimit klerikal kishte vendosur një garanci të madhe prej 22.5 miliardë rialësh për lirimin e tij të përkohshëm, garanci të cilën familja e tij nuk mund ta përballonte.

Në tetor, Adel Kianpour u infektua me Koronavirus, por nuk iu dha trajtim mjekësor. Në shenjë proteste ndaj shtypjes dhe mizorisë së regjimit në pushtet në Iran, ai njoftoi se kishte vendosur të hynte në grevë urie të shtunën, më 25 dhjetor 2021. Në një regjistrim audio, ai tha: “Unë, Adel Kianpour, i burgosur politik, në përputhje me idealet e Kartës së të Drejtave të Njeriut, në emër të kombit dhe në emër të drejtësisë, fillova grevën time të urisë më 25 dhjetor dhe informoj publikun dhe organizatat e të drejtave të njeriut për vendimin tim.”

Rezistenca iraniane fajëson për vdekjen e Adel Kianpour tërësisht regjimin klerikal dhe gjyqësorin e tij dhe u bën thirrje Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe shteteve të tij anëtare që ta dënojnë me forcë këtë krim. Ai i kërkon Raportuesit Special të OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në Iran të hetojë arrestimin, gjykimin dhe vdekjen e Adel Kianpour në burgun Shiban dhe të bëjë publike rezultatet e hetimit.