Parlamenti i regjimit bllokon mocionin urgjent për një karantinim një mujor mbarëkombëtar
Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI / MEK) shpalli të martën, më 7 prill 2020, se numri i vdekjeve nga Koronavirusi në 245 qytete të Iranit është të paktën 20,400.
Ndërkohë, Parlamenti i regjimit ka bllokuar diskutimin e një mocioni urgjent me tre prioritete për një karantinim një mujor mbarëkombëtar në mënyrë që të parandalohet shtimi i vdekjeve. Mocioni, i nënshkruar nga 80 deputetë, kundërshtonte urdhrin e Hassan Rouhani-t për t’i rikthyer njerëzit në punë (javën që vjen). U bllokua sepse “shkel kushtetutën.”
Abdolreza Rahmani Fazli, Ministri i Brendshëm në kabinetin e Rouhani-t, përsëriti gënjeshtrat e tij të zakonshme duke thënë në Parlament: “Nuk ka vend për shqetësim, nisur nga masat e marra për kontrollimin e Koronavirusit. Ka ekspertizë të mjaftueshme; kurba e përhapjes është në rënie në të gjithë vendin.”
Megjithatë, Saeed Namaki, Ministri i Shëndetësisë i regjimit, duke folur në të njëjtën seancë, theksoi se “Nuk ka gjë më të keqe për ekonominë e vendit sesa vazhdimësia e përhapjes së koronavirusit.” Duke e shprehur në mënyrë indirekte kundërshtimin e tij (ndaj rihapjes së ekonomisë), ai theksoi, “Tani jemi në fazën e menaxhimit të shpërthimit të virusit dhe ende nuk e kemi “kontrolluar dhe frenuar virusin. Nuk duhet të kemi iluzione apo t’i llogarisim gjërat gabim.”
Namaki bëri thirrje për një mbledhje me dyer të mbyllura dhe pohoi për të parën herë se virusi ka hyrë në Qom e në Gilan në mënyrë të pavarur. Ai tha: “23 ekipe epidemiologësh po punojnë për të zbuluar se ku e ka patur origjinën sëmundja. Ajo që ka ndodhur në Gilan nuk ka lidhje me atë që ka ndodhur në Qom. I kemi hulumtuar të gjitha këto, dhe do të flasim për këtë gjë në një seancë me dyer të mbyllura …”
Në një deklaratë të publikuar më 27 mars, Rezistenca Iraniane zbardhi faktin se në fund të janarit, Koronavirusi ka qenë i pranishëm në Astara dhe Talesh (në Iranin veri-perëndimor). Në fillim të janarit, një numër i madh turistësh kinezë kishin shkuar në Astara dhe në zonën e lirë Bandar Anzali nga Republika e Azerbaixhanit.” Komiteti i Sigurisë dhe Antiterrorizmit i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), në deklaratat e tij të datave 20 e 31 mars, si dhe 3 prill 2020, ka zbardhur dokumentat e shtrimit në spital të 11 pacientëve me Koronavirus në Teheran nga 25 janari deri më 7 shkurt 2020.
Alireza Zali, kreu i Taskforcës Kombëtare për Luftimin e Koronavirusit (NCCT) në Teheran, tha në televizionin shtetëror: “Kemi patur 28% rritje në numrin e shtrimeve në spital në seksionet e zakonshme, dhe 15% rritje në njësinë e kujdesit intensiv gjatë tre ditëve të fundit, ndërkohë që kemi liruar më pak pacientë ditët e fundit… Kurba është ende në rritje… Popullsia e Teheranit është e madhe dhe e shumëllojshme…kapacitetet tona nuk mund ta përballojnë një volum të tillë.” Pas një mbledhjeje të këshillit të qytetit të Teheranit, Zali tha për Agjencinë shtetërore të Lajmeve Fars: “Teherani është ende një nga pikat kyçe të shpërthimit të koronavirusit, dhe nuk ka pothuajse asnjë zonë të paprekur në qytet për shkak të volumit të trafikut mes zonave brenda qytetit.”
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e NCRI, tha se dëshpërimi dhe histeria e zyrtarëve përballë MEK-ut dhe Rezistencës Iraniane, teksa i afrohen fundit të regjimit të tyre, është plotësisht e qartë dhe e kuptueshme. Refuzimi nga ana e parlamentit për të diskutuar një “mocion urgjent për karantinimin e vendit” është një tjetër tregues i bashkëpunimit mes Khamenei-t, Rouhani-t, dhe zyrtarëve të tjerë në marrjen e vendimit kriminal për t’i nxjerrë përsëri në punë njerëzit, gjë që është, në të vërtetë, një kurth vdekjeje. Znj. Rajavi vuri në dukje se ky është një krim kundër njerëzimit, sidomos për shkak se shumica dërrmuese e ekspertëve të regjimit theksojnë se Koronavirusi nuk është frenuar ende dhe se po përhapet në shumë zona. Si rrjedhim, rikthimi në mënyrën e zakonshme të jetës e punës, do t’ua marrë jetën një numri të stërmadh njerëzish.