5 prill 2020
Maryam Rajavi: Vendimi kriminal i Khamenei-t dhe Rouhani-t për t’i kthyer njerëzit në punë do të rezultojë në viktima të panumërta
Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI / MEK) shpalli sot, më 5 prill 2020, se numri i vdekjeve nga Koronavirusi e ka tejkaluar shifrën 18,600 në 242 qytete të Iranit.
Në raportin e saj ditor e të rremë, Ministria e Shëndetësisë e regjimit paraqet vetëm numrin e viktimave që kanë vdekur në spitale dhe kanë rezultuar pozitiv për koronavirusin. Me fjalë të tjera, ata që kanë vdekur jashtë spitaleve, sidomos në zonat rurale, dhe ata që nuk janë testuar nuk përfshihen në shifrat zyrtare. Për më tepër, për shumë nga viktimat, si shkak i vdekjes raportohet një sëmundje akute e frymëmarrjes, që është një pseudonim për Koronavirusin. Nga Qom vijnë raporte e fakte të tmerrshme, që tregojnë për disa mijëra vdekje. Këto raporte janë nën shqyrtim të mëtejshëm për të konfirmuar vërtetësinë e tyre.
Dje, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të regjimit deklaroi gjendjen e emergjencës për provincat Azerbaixhani Lindor, Fars, Mazandaran, Isfahan, dhe Khorasan Razavi. Sot, ai ia dha këtë status edhe Teheranit. “Asnjë provincë nuk konsiderohet e paprekur për sa i përket shpërthimit të Koronavirusit,” tha ai. Mahmoud Nouri, zëvendës drejtori i trajtimit në Universitetin e Shkencave Mjekësore të Yazd, foli për “një rritje në numrin e pacientëve në gjendje kritike ditët e fundit,” duke shtuar se “97 prej tyre janë në njësinë e kujdesit intensiv.” Drejtori i marrëdhënieve me publikun në Universitetin e Shkencave Mjekësore të Tabriz-it pohoi gjithashtu se 90 anëtarë të stafit mjekësor nga Azerbaixhani Lindor janë infektuar me Koronavirus.
E megjithatë, Hassan Rouhani deklaroi paturpësisht: “Kemi provinca të paprekura nga virusi në jug të vendit ku nuk ka problem për hapjen e shkollave. Provincat Bushehr, Hormozgan, Sistan dhe Baluchestan … mund t’i fillojnë aktivitetet e tyre.” Rouhani caktoi 11 prillin si datën e fillimit për “bizneset” dhe “aktivitetet ekonomike” me rrezik të ulët. Ai tha: “Po përdorim një proces hap pas hapi për t’i rihapur shërbimet.” “Duke nisur nga java që vjen, zyrat do të fillojnë punën me 2/3 e punonjësve, ndërkohë që një e treta lejohet të rrijë në shtëpi.”
Kjo ndërkohë që, ditët e fundit, Ministri i Shëndetësisë, “Organizata e Shëndetit,” si dhe shumë zyrtarë të regjimit janë shprehur kundër rifillimit të veprimtarive administrative e financiare. Dje, Seyed Hassan Inanlou, zëvendës drejtori i trajtimit në Universitetin e Shkencave Mjekësore të Alborz, paralajmëroi se, nëse njerëzit vazhdojnë me mënyrën e zakonshme të jetesës për shkaqe financiare, “Sëmundja do të shpërthejë, spitalet do të tejmbushen me pacientë, do ta humbasim kontrollin, dhe nuk do të mundemi ta menaxhojmë krizën.” Ai parashikoi se “një milion njerëz do të vdesin.”
“Ata gjejnë diçka nga diku dhe e publikojnë përmes mediave të huaja të cilat e amplifikojnë,” tha Rouhani duke iu referuar me nënkuptim zbulimeve të Rezistencës Iraniane.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka thënë se, “Regjimi është i tmerruar nga e vërteta. Vendimi kriminal i (Liderit Suprem të regjimit Ali) Khamenei dhe (Presidentit Hassan) Rouhani për t’i rikthyer njerëzit në punë do të rezultojë në viktima të panumërta. Urdhri i Rouhani-t për t’i rifilluar ‘aktivitetet ekonomike dhe bizneset’ vë në rrezik shëndetin e miliona iranianëve. Në kundërshtim me standardet e përcaktuara botërisht, në vend që t’i ofrojë popullit iranian mjetet minimale të jetesës duke përdorur fondet e entiteteve ekonomike të kontrolluara nga Khamenei dhe IRGC, të cilat vjedhin nga populli, regjimi i mullahëve po i dërgon iranianët në altarin e Koronavirusit. Paaftësia, vjedhjet, dhe ndryshimet shumë të mëdha klasore nën teokracinë në pushtet e përkeqësojnë çdo ditë e më shumë shkallën e katastrofës.