Wednesday, February 1, 2023

Forcat iraniane të sigurisë qëllojnë për vdekje dy qytetarë, duke përfshirë një të mitur

Forcat iraniane të sigurisë kanë qëlluar për vdekje dy qytetarë, duke përfshirë një djalë 17-vjeçar, në Iranin perëndimor dhe jugor.

Ashkan Azizi, i cili ishte në makinë së bashku me kushëririn e tij Borhan Azizi, është qëlluar për vdekje nga policia iraniane në Kermanshah të Iranit perëndimor më 15 tetor. Borhan, gjithashtu 17 vjeç, është plagosur rëndë.

Sipas Organizatës Hengaw, Borhan është aktualisht në gjendje kome në spital. Dy të miturit janë banorë të rajonit Dareh Deraz, në rrethinat e Kermanshah.

17 17 vjeçari Ashkan Azizi pasi është qëlluar nga forcat e sigurisë.

Policia pretendon se ka hapur zjarr mbi makinën për shkak se nuk kishte targë, edhe pse fotot e makinës në rrjetet sociale tregojnë se makina ishte e pajisur me targë.

Në një tjetër incident më 16 tetor, forcat detare hapën zjarr mbi dy qytetarë në një barkë në Sirik të Iranit jugor.

Sipas raportit nga Agjencia e Lajmeve për të Drejtat Njerëzore, dy qytetarët janë identifikuar si Mohammad Rostam Zadeh dhe Ali Ashurania. Ali Ashurania është qëlluar në këmbë dhe ka marrë plagë të rënda, ndërsa Mohammad Rostam Zadeh, i qëlluar në stomak, ka ndërruar jetë nga humbja e gjakut dhe vonesa në marrjen e kujdesit mjekësor.

Një burim i informuar ka thënë se, për shkak të mungesës së punëve të përshtatshme, këta dy qytetarë Baluch e përdornin barkën e tyre për të transferuar lëndë djegëse në mënyrë që të fitonin bukën e gojës.

“Barka e tyre është konfiskuar nga oficerët detarë. Mohammad dhe Ali kishin nisur të ecnin qetësisht në drejtim të oficerëve për të parandaluar konfiskimin e lëndës djegëse, dhe u qëlluan,” thotë burimi.

Banorët vendas në Sirik dogjën gomat e makinave dhe bllokuan rrugën kryesore nga Minab (në veri të Sirik) drejt Jask (në jug të Sirik) dje, në protestë ndaj kësaj vrasjeje.