
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo postoi në Twitter: “Ekzekutimi i Navid Afkari-t nga regjimi iranian është një akt i lig dhe mizor. Ne e dënojmë atë në mënyrën më të fuqishme. Është një sulm tronditës mbi dinjitetin njerëzor, madje edhe sipas standardeve të përçmueshme të këtij regjimi. Zërat e popullit iranian nuk do të heshten.”
Përfaqësuesja e SHBA në OKB, Kelly Craft, e ka dënuar gjithashtu ekzekutimin e Navid-it në Twitter: “Mendimet dhe lutjet tona janë për familjen e Navid Afkari-t. E dënojmë mospërfilljen e vazhduar dhe të paturpshme të regjimit iranian për jetën njerëzore. Zërat e popullit iranian nuk do të heshten.”
Joe Biden, kandidat presidencial i SHBA dhe ish Zëvendës President i SHBA, ka dënuar ekzekutimin e Navid Afkari-t dhe shkeljet e regjimit ndaj të drejtave njerëzore. Ai shkroi në Twitter: “Ekzekutimi mizor i Navid Afkari-t nga Irani është një perversitet. Asnjë shtet nuk duhet të arrestojë, torturojë, apo ekzekutojë protestues apo aktivistë paqësorë. Irani duhet t’i lirojë të burgosurit e tjerë politikë, përfshirë Nasrin Sotoudeh, dhe t’i lirojë amerikanët e burgosur në mënyrë të padrejtë.”
Robert A. Destro, Sekretar për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut, dhe Punën në Departamentin amerikan të Shtetit tha gjithashtu në Twitter: “Jam i trishtuar dhe i zemëruar nga raportet se regjimi iranian ka ekzekutuar Navid Afkari-n pasi e kishte torturuar dhe e kishte detyruar të pranonte akuzat në televizion. Ngushëllimet e mia më të thella për familjen e Z. Afkari. Brutaliteti i regjimit iranian nuk ka kufij, dhe atij duhet t’i kërkohet llogari.”
Senatori amerikan Marco Rubio, duke dënuar ekzekutimin e Navid Afkari, tha në Twitter: “Ekzekutimi i kampionit të mundjes Navid Afkari thjesht pse ka ushtruar të drejtën e tij për liri shprehjeje duhet t’ia kujtojë botës se regjimi klerikal që qeveris Iranin është barbar, mizor dhe i lig.”
Alyssa Farah, Drejtore e Komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, shkroi në profilin e saj Twitter: “Bota po e sheh regjimin iranian ashtu si është në të vërtetë— mizor, barbar, dhe prapanik. Populli i mrekullueshëm i Iranit meriton një të ardhme më të mirë e më të ndritshme sesa kjo. Zemrat tona janë me familjen e Navid Afkari-t dhe me popullin e Iranit.”
Edhe Bashkimi Europian e ka dënuar fuqishëm ekzekutimin e Navid Afkari-t dhe ka thënë se është kundër çdo ekzekutimi në çfarëdo rrethane.
Lord Ahmad i Wimbledon, Ministri britanik për të Drejtat e Njeriut, tha në Twitter: “Është një lajm tragjik dhe një fakt i përçmueshëm që autoritetet iraniane kanë ekzekutuar Navid Afkari-n. Mbretëria e Bashkuar është kundër dënimit me vdekje në çfarëdo rrethane, si çështje parimi.”
Ann Linde, Ministrja e Jashtme e Suedisë, tha në Twitter: “Jam e tronditur nga raportet e ekzekutimit të mundësit iranian Navid Afkari. Suedia dhe pjesa tjetër e BE-së e theksojnë vazhdimisht të drejtën për proces gjyqësor të drejtë dhe e kundërshtojnë zbatimin e dënimit me vdekje në çfarëdo rrethane, në çfarëdo rasti pa asnjë përjashtim.”
Charlie Wemers, Anëtar i Parlamentit Europian, dënoi ekzekutimin e Navid-it. “Ky regjim barbar po e tregon sërish natyrën e tij të vërtetë. Mendimet dhe lutjet tona janë për familjen e Navid Afkari,” postoi ai në Twitter.
François Cormier-Bouligeon, Anëtar i Asemblesë Kombëtare të Francës dhe president i Komisionit të Sportit në Asemble, shkroi në profilin e tij Twitter: “Sportisti i nivelit të lartë Navid Afkari ka shprehur lirisht opinionet e tij në një vend që i ndalon liritë themelore. Ai u ekzekutua dje nga regjimi iranian. Si një humanist dhe aktivist kundër dënimit me vdekje, unë shpreh këtu dënimin tim më të fortë.”
Edhe Organizata Botërore e Mundjes ka nxjerrë një deklaratë lidhur me ekzekutimin e Navid-it. “Është thellësisht shqetësues fakti që lutjet e sportistëve nga e gjithë bota dhe e gjithë puna në prapaskenë e Organizatës Botërore të Mundjes dhe Federatës Kombëtare Iraniane të Mundjes, IOC së bashku me NOC të Iranit, nuk e arritën qëllimin tonë. Ky lajm është dëshpërues dhe i gjithë komuniteti i mundjes mban zi për vdekjen e tij,” lexon deklarata.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, në një deklaratë që dënon ekzekutimin e Navid Afkari-t, tha se ekzekutimi i tij e ka tronditur këtë komitet.
Amnesty International nxori një deklaratë lidhur me këtë. “Ekzekutimi sekret mëngjesin e sotëm i kampionit të mundjes Navid Afkari, pa njoftim paraprak për të, familjen apo avokatin e tij, pas një gjyqi jashtëzakonisht të padrejtë, është një perversitet i tmerrshëm i drejtësisë që kërkon aksion të menjëhershëm ndërkombëtar. Para ekzekutimit të tij të fshehtë, Navid Afkari-n, 27 vjeç, e kanë bërë objekt të një katalogu tronditës shkeljesh të të drejtave njerëzore e krimesh, duke përfshirë zhdukje të detyruar; torturë e keqtrajtime të tjera, që kanë çuar në “rrëfime” të detyruara; si dhe mohim të aksesit tek një avokat dhe të garancive të tjera për një gjyq të drejtë,” lexon deklarata e Amnesty.
“Ky i ri ka kërkuar dëshpërimisht ndihmë në gjykatë për të patur një gjykim të drejtë dhe për të vërtetuar pafajsinë e tij. Regjistrimet audio të tij në gjykatë ekspozojnë faktin se si lutjet e tij drejtuar gjykatësve që t’i hetonin ankesat e tij për torturë dhe që të sillnin për të dëshmuar një tjetër të burgosur që kishte qenë dëshmitar i torturimit të tij janë shpërfillur në mënyrë të paligjshme dhe mizore,” tha Diana Eltahawy.





