Friday, March 29, 2024

Amnesty International Nënvizon Përsëri Vrasjen e Protestuesve nga Regjimi Gjatë Protestave të Iranit

21 maj 2020

Amnesty International Once Again Highlights Regime’s Killing of Protesters During Iran Protests Amnesty International: Iran- Publikohen detajet e 304 vdekjeve gjatë protestave në nëntor 2019

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, Amnesty International nënvizoi dhe dënoi edhe një herë përdorimin e forcës letale nga regjimi iranian kundër protestuesve, gjë që ka rezultuar në vrasje, arrestime e zhdukje masive.

“Pothuajse në të gjitha protestat që janë zhvilluar nga 15 deri më 19 nëntor, nuk ka asnjë provë që njerëzit të kenë patur armë zjarri apo që të kenë qenë kërcënim për jetën në mënyrë të tillë që të justifikohej përdorimi i forcës letale, sipas kërkimeve, përfshirë analizë videosh, të kryera nga Amnesty International. Organizata është e vetëdijshme për dy përjashtime në një qytet më 18 nëntor, ku ka patur shkëmbim zjarri mes protestuesve dhe forcave të sigurisë,” lexon raporti i Amnesty.

“Fakti që kaq shumë njerëz janë qëlluar ndërkohë që nuk përbënin asnjëfarë kërcënimi tregon mizorinë e plotë të veprimeve të paligjshme të forcave të sigurisë,” tha Philip Luther, Drejtori i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International.

“Gjashtë muaj më vonë, familjet e shkatërruara të viktimave vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë ndërkohë që përballen me kërcënime intensive nga autoritetet.

“Pandëshkueshmëria që gëzojnë aktualisht forcat e sigurisë lejon përsëritjen e përdorimit të forcës letale për të shtypur mospajtimin. Në mungesë të një perspektive të vërtetë për përgjegjshmëri në nivelin kombëtar, ne e përsërisim thirrjen tonë drejtuar anëtarëve të Këshillit të të Drejtave Njerëzore të OKB-së që të japin urdhër për një hetim mbi këto vrasje, dhe të identifikojnë rrugët për arritjen e së vërtetës, drejtësisë dhe kompensimeve,” shtoi ai.

“Sipas informacioneve të mbledhura nga Amnesty International, në të gjitha rastet, përveç katër rasteve, viktimat janë qëlluar për vdekje nga forcat iraniane të sigurisë – duke përfshirë anëtarë të Gardës Revolucionare, forcave Basij dhe policisë – me plumba, shpesh në kokë apo në gjoks, që tregon se kanë gjuajtur me qëllimin për të vrarë. Nga katër viktimat e mbetura, raportohet se dy kanë pësuar plagosje fatale në kokë pasi janë rrahur nga anëtarë të forcave të sigurisë. Dy të tjerët raportohet se janë mbytur nga gazi lotsjellës,” lexon raporti.

Sipas Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq, ose MEK) gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit, forcat e sigurisë së regjimit iranian, me urdhër të drejtpërdrejtë nga lideri suprem Ali Khamenei, kanë vrarë të paktën 1500 protestues dhe kanë arrestuar mbi 12,000. Protestat iraniane, të cilat shpërthyen pas një rritjeje të papritur në çmimin e lëndës djegëse, vazhduan për ditë të tëra, dhe qindra mijëra njerëz e identifikuan regjimin e mulllahëve si shkaku i të gjitha vështirësive ekonomike dhe kërkuan ndryshim regjimi.

Protestat mbarëkombëtare të Iranit, të cilat ia tronditën themelet regjimit, e treguan qartë dëshirën e popullit iranian për ndryshim regjimi dhe nervozizmin e shoqërisë iraniane. Nga frika e përmbysjes së regjimit të tij, Khamenei dha urdhër për një shtypje të ashpër e masive të protestave, duke vrarë mijëra njerëz. Deri tani, regjimi ka refuzuar ta shpallë numrin e vdekjeve, nga frika e një kryengritjeje të re.

Kjo kryengritje ishte një pikë kthese për regjimin dhe popullin iranian. Protestat mbarëkombëtare të Iranit u ndoqën nga një valë e dytë protestash në janar, kundër rrëzimit nga regjimi të një avioni ukrainas me pasagjerë. Konflikti mes popullit iranian dhe regjimit arriti kulmin gjatë zgjedhjeve të rreme parlamentare të regjimit, të cilat u bojkotuan në masë në mënyrë të paprecedent. Që nga protestat e Iranit, me anë të vrasjeve e mashtrimeve, regjimi po përpiqet të parandalojë një kryengritje tjetër, meqë pa dyshim, kryengritja e radhës do të rezultojë në përmbysjen e tij.