Friday, March 29, 2024

Abuzimet e Iranit ndaj të Drejtave Njerëzore Kritikohen Shpesh, por Rrallë Veprohet Kundër Tyre, siç Duhet Bërë

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Njerëzore nxori një deklaratë të hënën ku dënon ekzekutimin e nxituar të një gazetari iranian, Ruhollah Zam, të cilit i ishte hedhur përsipër akuza e vagullt e “përhapjes së korrupsionit mbi tokë,” dhe më pas ishte torturuar për të bërë një rrëfim të rremë.

Deklarata e të hënës nga Michelle Bachelet është paraprirë nga shprehje të ngjashme zemërimi nga ana e qeverive dhe politikë-bërësve europianë, të cilat nisën menjëherë pas ekzekutimit të shtunën. Por pavarësisht të gjitha këtyre, Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani e pa të përshtatshme që të deklaronte publikisht të hënën se i duket “me pak gjasa” që ky incident të rezultojë në tensione të konsiderueshme në marrëdhëniet iraniano-europiane.

Qëndrimi moskokëçarës i Rouhani-t simbolizon qartë pandëshkueshmërinë që regjimi i tij pret tashmë, edhe me zgjerimin e vazhdueshëm të listës iraniane të abuzimeve ndaj të drejtave njerëzore e krimeve kundër njerëzimit. Shumë nga këto incidente kanë rezultuar në një rritje të duhur të shqyrtimit kritik të regjimit nga ana e të huajve, por fatkeqësisht kjo rrallë ka çuar në një rritje të ngjashme të presionit që ushtrohet mbi regjimin lidhur me çështje të tilla.