Sunday, October 2, 2022

Grabitja e Bank-e Meli të Iranit: Vjedhje apo Shfaqje e Inskenuar?

Të hënën, televizioni shtetëror i Iranit raportoi se “hajdutët hapën murin e një dege të Bankës Meli (persisht për Banka Kombëtare) nga një ndërtesë fqinje në Teheran”. Si rezultat, qindra iranianë humbën kursimet e jetës.

Këta hajdutë hynë në bankë, kishin 14 orë kohë për të çmontuar me lehtësi kamerat e sigurisë dhe për të marrë kartat e tyre të memories, dhe bënë shumë zhurmë duke përdorur makineri metalprerëse dore për të prerë kasafortat dhe për të vjedhur pasuritë e njerëzve. Ranë alarmet e bankës, u telefonua shumë herë aparati i “sigurisë” i regjimit dhe në vendngjarje nuk u shfaq as edhe një oficer policie.

“Dega nuk kishte roje sigurie dhe banka e zbuloi vjedhjen pas katër ditësh. U deshën rreth 14 orë që hajdutët të merrnin paratë,” tha më 10 qershor Hassan Mounesan, Anëtar i Bordit të Drejtuesve të Bankës Meli.

Mounesan pranoi se kjo degë ka “Shtatë shtresa sigurie dhe një sistem alarmi të automatizuar”. Megjithatë, ai iu shmang pyetjes se pse hajdutët hynë lehtësisht në bankë?

Për një kohë të gjatë, teokracia sunduese e Iranit e justifikoi mizorinë e saj duke u mburrur se “ka sjellë sigurinë në vend”. Vrasja e protestuesve të pafajshëm në rrugë, arrestimi i atyre që thërrasin kundër zyrtarëve të regjimit, dhe sulmet e organizuara kundër grave, të gjitha konsiderohen si “masa sigurie” nga regjimi.

Ndërkohë që duhen disa minuta që forcat e sigurimit të shtetit të mbërrijnë në skenën e një proteste dhe të hapin zjarr ndaj civilëve të paarmatosur, si është e mundur që nuk arritën të kapnin një bandë banditësh pas 14 orësh? Ka shumë spekulime për bashkëfajësinë e zyrtarëve të regjimit në këtë vjedhje, dhe duke patur parasysh korrupsionin e institucionalizuar të regjimit dhe historinë e tij të gjatë të grabitjes së pasurisë së njerëzve, kjo e fundit është shumë e mundshme.

Në vitin 2018, mijëra iranianë humbën kursimet që ia kishin besuar institucioneve të krediti të mbështetura nga qeveria, si Caspian dhe Thamen-Ol-Ameh. Këto institucione pretendonin se ua kthenin paratë njerëzve me 25% interes, duke i mashtruar për të fituar besimin e tyre. Këto institucione gradualisht filluan të mos lejonin tërheqje, më pas të mos paguanin interes dhe në fund i mbyllën një herë e mirë dyert e tyre, duke shkatërruar jetën e mijëra njerëzve në të gjithë vendin. Këto institucione ishin të lidhura me Gardën Revolucionare (IRGC).

Njerëzit mbajtën protesta njëjavore duke kërkuar të drejtat e tyre. Demonstratat dhe parullat e atyre që ranë viktima të këtij mashtrimi sistematik iu atribuan më vonë kryengritjes së parë të madhe të Iranit në vitin 2018, e cila tronditi themelet e regjimit.

Pas grabitjes së të hënës, njerëzit e mashtruar u mblodhën në degën kryesore të Bank-e Meli, duke kërkuar të drejtat e tyre. Në fillim, zyrtarët e regjimit u përpoqën të largonin turmën, duke thënë se meqenëse kasafortat nuk ishin të siguruara, ata nuk ishin përgjegjës për kompensimin e humbjeve të njerëzve.

Këto përgjigje i lejuan njerëzit të shprehnin urrejtjen e tyre ndaj Hajdutokracisë së Iranit. Nga frika e reagimit të ashpër të popullit dhe një serie tjetër protestash në shoqërinë aktuale të paqëndrueshme të Iranit, regjimi tha se do t’i ndiqte penalisht hajdutët.

Dhe më në fund, më 9 qershor, policia e shtetit njoftoi se i kishte kapur të gjithë grabitësit dhe kishte sekuestruar pasuritë.

Media shtetërore e Iranit dhe policia bënë bujë të madhe për arrestimin e hajdutëve, duke u mburrur për një operacion të përbashkët me Interpolin për arrestimin e disa hajdutëve që kishin arritur të arratiseshin nga Irani.

Njerëzit reaguan ndaj këtij cirku në rrjetet sociale, duke thënë me tallje se, nëse Komanda e Përgjithshme e Zbatimit të Ligjit (FRAJA) e regjimit është kaq e fuqishme, pse nuk arriti t’i kapte grabitësit në flagrancë? Kjo e detyroi Hossain Ashtarin, shefin e policisë së Teheranit, të pretendonte në mënyrë qesharake se ata i kishin arrestuar hajdutët disa ditë përpara se ta bënin publike.

Komentet e Ashtarit për rimarrjen e pasurive të njerëzve lanë të kuptohet roli i regjimit në vjedhjen e së hënës. “Ne kemi rikuperuar shumicën e pasurisë së njerëzve. Tani u takon atyre të përcaktojnë se sa kishin humbur dhe të na tregojnë”, tha ai më 9 qershor në një intervistë për televizionin shtetëror.

Sipas kodit penal të regjimit, mbajtja e letrave me vlerë më shumë se 10,000 euro  është e barabartë me kontrabandën e valutës, pra e dënueshme sipas ligjeve të regjimit. Me fjalë të tjera, njerëzit që kishin kursimet e tyre të jetës në bankë tani mund të marrin vetëm 10,000 euro nga pasuria e tyre, dhe regjimi fut në xhep pjesën tjetër. Përveç kësaj, regjimi pretendoi se i kishte arrestuar të gjithë kriminelët. Atëherë, pse kanë rikthyer vetëm 90% të pasurive të njerëzve? Çfarë ndodh me pjesën tjetër?

Të shpresosh se FRAJA e regjimit do t’ua rikthejë fondet njerëzve është si të presësh që një zjarrvënës të shuajë zjarrin që ka vënë vetë! FRAJA, e njohur më parë si NAJA, është një institucion i korruptuar.

Në vitin 2015, në mesin e grindjeve të brendshme të regjimit, u zbulua se NAJA dhe komandanti i saj i atëhershëm Ahmadi-Moghaddam, kishin përvetësuar miliarda dollarë. Sipas raportit ekskluziv të Rezistencës Iraniane në vitin 2020, Fondacioni Bashkëpunues i Forcave të Sigurisë Shtetërore (NAJA) “sot është një nga kompanitë më të mëdha aksionere në Iran”.

Sipas këtij raporti, “Në vitin 2014, media shtetërore vlerësoi se asetet e këtij fondacioni ishin mbi 3.2 miliardë dollarë. Ndërmarrjet e këtij fondacioni përfshijnë Qavamin Bank, Mehregan Investments, Fondin e Sigurimeve të Shpresës i NAJA-së, Institutin e NAJA-së për Shkencën, Arsimin dhe Rekreacionin, ndër të tjera zotërime.

Regjimit në krizë të Teheranit i duhen më shumë para për të financuar terrorizmin dhe politikat e tij luftënxitëse. Pra, fshehurazi apo haptazi, ai grabit pasurinë e njerëzve. Nga gllabërimi i platformave të naftës, monopolizimi i industrive të tëra, shitja e tokës dhe pemëve, apo grabitja e fundit e bankës që ngre kaq shumë alarme, janë të gjitha pjesë e planit të regjimit për të përdorur çdo qindarkë që gjen për t’ia zgjatur jetën vetes. Por e gjithë kjo pasuri që mullahët kanë grabitur dhe plaçkitur nga populli iranian, a u mjafton atyre për të siguruar më shumë kohë?