Shkruar nga Bordi Editorial
Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Iran po i afrohet me shpejtësi shifrës 400,000, sipas raporteve të pavarura të besueshme.
Kjo ndërkohë që, sipas departamentit të shkencave mjekësore të Universitetit të Teheranit, numri i njerëzve që kanë marrë dy doza të vaksinave kundër COVID-19 është më pak se 4% e popullsisë totale.
Në këtë aspekt, situata në Iran është më keq sesa në 100 shtete të tjera. Shumë spitale, si ato në provincën Isfahan, e kanë tejkaluar kapacitetin, dhe shumë pacientë flenë nëpër korridore. Situata në varreza është “kritike dhe e paimagjinueshme për të pestën herë në muajt e fundit,” sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Fars më 25 gusht 2021.
Kjo situatë e tmerrshme është rezultat i neglizhencës kriminale të regjimit dhe, në fakt, i përpjekjeve të qëllimshme për të shkaktuar viktima në masë në një popullsi që është gati për t’u ngritur e për ta përmbysur teokracinë. Regjimi po e përdor qëllimisht virusin për të parandaluar një tjetër kryengritje. Kjo është arsyeja pse në mars 2020, disa muaj pas kryengritjeve të nëntorit 2019, Khamenei e quajti virusin “bekim” për regjimin e tij.
Dokumentet e zbuluara nga opozita kryesore Mujahedin-e Khalq (MEK) tregojnë se Organizata iraniane e Emergjencave Kombëtare ka qenë në dijeni të përhapjes së virusit brenda vendit që përpara fillimit të 2020-ës. Por autoritetet nuk e shpallën zyrtarisht pandeminë deri në mes të shkurtit të atij viti. Ndërkohë, regjimi organizoi një numër tubimesh e demonstratash publike, duke përfshirë festimet e 40-vjetorit të regjimit si dhe një varrim për komandantin e eliminuar të Forcave Quds, Qassem Soleimani.
Më 26 shkurt 2020, teksa virusi po përhapej me shpejtësi në Iran, presidenti i regjimit Hassan Rouhani refuzoi t’i fuste në karantinë qytetet dhe tha përmes televizionit shtetëror: “Nuk e pranojmë karantinën.” Ai shtoi se karantina është një tjetër “virus” që imponohet nga Shtetet e Bashkuara. Edhe Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei, e minimizoi seriozitetin e virusit më 3 mars 2020, duke thënë: “Sipas mendimit tim, kjo nuk është ndonjë gjëmë e madhe. Ka patur edhe më të rënda.”
Me një urdhër kriminal, më 8 janar 2021, Khamenei e ndaloi rreptësisht importimin e vaksinave amerikane dhe britanike, të cilat në atë kohë ishin të vetmet vaksina të njohura ndërkombëtarisht. Filantropët amerikanë u detyruan ta anulonin planin për të dërguar mbi 100,000 doza në Iran.