Thursday, March 28, 2024

Çfarë Nënkupton Fakti që Irani i Dërgon Karburant Libanit

 

Shkruar nga Shahriar Kia

Foto fajli

Ditët e fundit, autoritetet e Libanit kanë shpallur se kanë marrë dërgesën e tretë me karburant nga Irani. Ndërkohë, iranianët vuajnë nga ndërprerje të vazhdueshme të elektricitetit në mesin e përkeqësimit të krizës së Covid-19. Po pse? A nuk do ta shtonte kjo gjë edhe më shumë trazimin e shoqërisë apo izolimin ndërkombëtar të regjimit?
Më 19 gusht, AP raportoi “Lideri i grupit militant Hezbollah të Libanit tha të enjten se një anije-cisternë iraniane do të lundrojë drejt Libanit ‘brenda pak orësh.’” Kjo ishte dërgesa e parë e karburantit nga Irani në Liban.

AP tha se “kjo dërgesë, e organizuar nga Hezbollahu i mbështetur nga Irani, do t’i shkelte sanksionet amerikane.
“Republika Islamike është e gatshme për të ndërtuar një central energjie në Liban,” tha të premten Mohammad Javad Firouznia, ambasadori i regjimit në Liban, sipas shtetërores Barkat News.
“Këto shpenzime po dalin nga xhepat e popullit iranian, ndërkohë që ndërprerjet e shumta të elektricitetit kanë shkaktuar probleme serioze për jetën dhe mirëqenien e tij,” shton Barkat News. Por në vend që ta zgjidhë krizën e ndërprerjeve të energjisë në Iran, Ministria e Energjisë e regjimit vetëm shpall “ndërprerje të planifikuara.”
Regjimi pretendon se nuk ka karburant të mjaftueshëm për centralet e energjisë, prandaj përdor naftë, e cila shkakton ndotje të ajrit, duke ndikuar edhe më negativisht tek problemet e frymëmarrjes të njerëzve, ndërkohë që rastet e infektimeve me Covid-19 po shtohen.

Ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë në Iran ndikojnë negativisht tek jeta e përditshme e njerëzve dhe shtojnë numrin e viktimave nga Covid-19 për shkak të mos-funksionimit të pajisjeve të oksigjenit.
“Sipas Dr. Hamid Emadi, kreut të Departamentit të Sëmundjeve Infektive të Spitalit Khomeini, këto ditë, ndërprerjet e energjisë kanë shkaktuar probleme pulmonare tek pacientët e diagnostikuar me Covid-19. Kjo sepse një nga trajtimet bazë për këta pacientë është përdorimi i pajisjes së oksigjenit,” pohoi e përditshmja shtetërore Jahan-e Sanat më 24 maj.

Krahas krizës së Covid-19, qytetarët kanë përjetuar vështirësi gjatë verës edhe për shkak të vapës së madhe.
Ndërprerjet e vazhdueshme të elektricitetit në Iran shkaktohen nga disa faktorë:

  1. Regjimi konsumon një pjesë të madhe të elektricitetit të Iranit për të nxjerrë kriptomonedha.
  2. Regjimi eksporton elektricitet jashtë vendit për të gjeneruar të ardhura.
  3. Regjimi pretendon se nuk ka karburant të mjaftueshëm për centralet e energjisë, kështu që ose duhet të përdorë naftë, që është një substancë tejet ndotse, ose populli duhet të durojë ndërprerjet e energjisë.

Regjimi iranian i dërgon karburant Libanit me afrimin e vjeshtës dhe dimrit, dhe dimrin e kaluar e ka lënë popullin iranian të vuajë nga i ftohti. Më 12 janar, në tetë provinca pati ndërprerje të gjera dhe të njëpasnjëshme. Këto ndërprerje të energjisë u shtrinë edhe në shtatë provinca të tjera, konkretisht Gilan, Alborz, Khorasan Qendror, Mashhad, Markazi, Semnan, Qom, dhe Ardabil.

Hassan Nasrallah: 'as long as Iran has money, Hezbollah has money'

Gjithashtu, populli iranian është dëshmitar i faktit që regjimi po ia plaçkit pasuritë kombëtare dhe po e lë atë në varfëri e kriza të tjera. Kështu, urrejtja ndaj regjimit shtohet. Gjatë protestave, populli e ka nënvizuar shumë herë që “as për Gazan, as për Libanin, jeta ime vetëm për Iranin,” duke i kundërshtuar politikat luftënxitëse të regjimit.
Dërgimi i karburantit në Liban nuk është zgjidhje afatgjatë për problemet e Hezbollahut. Populli e refuzon gjithashtu propagandën e regjimit se nuk ka burime të mjaftueshme për ta ndihmuar popullin e vet në mesin e krizës së Covid-19.
Si rrjedhojë, mund të thuhet pa frikë se Teherani gjendet në një rrugë pa krye, dhe këto hapa nuk do t’i zgjidhin krizat e tij të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare, por vetëm sa do t’i përkeqësojnë ato.