Friday, March 29, 2024

Brian Hook: Vetëm Sanksionet mbi Naftën e Iranit e Privojnë Regjimin nga $50 Bilion të Ardhura Vjetore

Shkruar nga Mahmoud Hakamian 

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Iranin, Brian Hook, tha për Al Arabiya se vetëm sanksionet e naftës mbi regjimin iranian do ta privojnë regjimin nga 50 bilion dollarë të ardhura çdo vit, duke shtuar se presioni do të vazhdojë.

“Vetëm sanksionet e naftës do ta privojnë regjimin iranian nga 50 bilion dollarë të ardhura çdo vit. Kemi sanksionuar edhe sektorin petro-kimik, metalet industriale, metalet e tyre të çmuara,” tha Hook, duke shtuar se “presioni do të vazhdojë. Kjo nuk është e durueshme për regjimin iranian.”

Është e rëndësishme t’u përgjigjemi kërcënimeve të regjimit iranian ndaj lirisë së lundrimit, tha Hook, duke nënkuptuar vënien e më shumë sanksioneve mbi regjimin dhe rritjen e kostos së tij për faktin që “sillet si një qeveri bandite.”

Presidenti amerikan Donald Trump është “shumë i qetë lidhur me presionin tonë dhe e di që regjimi iranian është shumë i sforcuar dhe gjithnjë e më i lëndueshëm,” sipas Hook.

Në fund të fundit, tha përfaqësuesi special, SHBA do të donte të arrinte një marrëveshje të re dhe më të mirë sesa pakti bërthamor i 2015-ës i firmosur nga Teherani dhe fuqitë e mëdha botërore, por ndërkohë, administrata është “shumë e lumtur” që po e privon regjimin nga “biliona, dhjetëra biliona dollarë” të ardhura.

“Mendojmë se një marrëveshje përfundimtare duhet të adresojë spektrin e plotë të kërcënimeve që Irani përbën për paqen dhe sigurinë. Jo vetëm në Lindjen e Mesme por në shumë kontinente të botës ku kanë kryer sulme terroriste ose në mënyrë direkte, ose përmes Hezbollahut,” tha ai.

Më herët të martën, administrata Trump vuri tre figura të Hezbollahut, dy prej të cilave janë anëtarë të parlamentit të Libanit, në listën e sanksioneve amerikane.

Sipas Al Arabiya English, i pyetur lidhur me ndonjë bisedim të fshehtë mes dy vendeve, Hook tha se regjimi iranian e ka refuzuar diplomacinë “tepër shumë herë,” dhe se “në këtë moment, nuk ka asnjë bisedim të fshehtë midis SHBA-së dhe Iranit.”

Hook përsëriti gjithashtu se regjimi iranian duhet ta ndryshojë sjelljen e tij. “Ne, për herë të parë, po i themi jo regjimit iranian. Nuk ka asnjë nivel të pranueshëm të ndihmesës vdekjeprurëse për proksit e tij. Nuk ka asnjë nivel të pranueshëm të kërcënimit të fqinjëve të tu ditë për ditë. Duhet ta ndryshojnë sjelljen e tyre”.