110 Ligjvënës Amerikanë Nxisin Europën që t’i Mbyllë Ambasadat e Regjimit Iranian për Shkak të Komploteve Terroriste Kundër MEK

515

Te paktën 110 ligjvënës të Shteteve të Bashkuara nga të dyja partitë, Demokratike dhe Republikane, kanë bashkë-sponsorizuar një rezolutë që dënon aktet e terrorizmit të regjimit iranian, veçanërisht ato që kanë marrë në shënjestër grupin kryesor opozitar Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), ose Mujahedin-e-Khalq (MEK), dhe bëjnë thirrje për mbylljen e ambasadave të regjimit në Europë, sidomos në Shqipëri.

Rezoluta 374 e Dhomës u shpalos gjatë një konference të organizuar nga Organizata e Komuniteteve Iraniano-Amerikane (OIAC) më 30 tetor 2019, në Dhomën e Përfaqësuesve.   

Ligjvënësit amerikanë shprehën mbështetjen e tyre për popullin e Iranit dhe grupin kryesor opozitar të tij, MEK-un. 

Rezoluta 374 e Dhomës “dënon sulmet terroriste të sponsorizuara nga shteti i Iranit në të shkuarën dhe në të tashmen, kundër shtetasve dhe zyrtarëve amerikanë, si dhe kundër disidentëve iranianë, duke përfshirë komplotin terrorist të regjimit iranian kundër tubimit ‘Free Iran 2018 – the Alternative’ në Paris.” 

Kjo rezolutë “u bën thirrje agjencive përkatëse të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që të punojnë me aleatët europianë, duke përfshirë ata në Ballkan ku Irani e ka zgjeruar prezencën e tij, për t’i kërkuar llogari Iranit lidhur me shkeljen e privilegjeve diplomatike, dhe për t’u bërë thirrje kombeve që t’i parandalojnë veprimtaritë malinje të misioneve diplomatike të regjimit iranian, me qëllimin final për t’i mbyllur ato, duke përfshirë ambasadën iraniane në Shqipëri.” 

Rezoluta sjell në vëmendje faktin se në Kongresin e 115-të, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi H.R. 4744 që i bënte thirrje Shteteve të Bashkuara t’i “dënojnë abuzimet iraniane të të drejtave njerëzore kundër disidentëve, duke përfshirë masakrën e 1988-ës dhe shtypjen e demonstratave politike në 1999-ën, 2009-ën, dhe në 2017-ën, si dhe t’i bëjë presion Qeverisë së Iranit që t’u japë familjarëve informacione të detajuara që u janë mohuar lidhur me vendvarrimet e viktimave të zhdukura të këtyre abuzimeve.” 

H.Res.374 vë në dukje gjithashtu se sipas raportit Veprimtari të Përzgjedhura Operacionale të Sponsorizuara nga Irani në Europë, të publikuar nga Departamenti i Shtetit më 5 korrik 2018, “Dy operativë iranianë janë arrestuar për terrorizëm nga autoritetet shqiptare,” për një komplot me bombë kundër tubimit të marsit 2018 me rastin e Vitit të Ri, ku ishin të pranishëm mijëra anëtarë të opozitës iraniane, në Tiranë. 

Shkruhet gjithashtu se “Në dhjetor 2018, Qeveria e Shqipërisë dëboi Ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia, dhe shefin e stacionit të MOIS në Shqipëri, Mostafa Roudaki, për planifikim të veprimtarive terroriste kundër disidentëve iranianë, anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).”

Gjithashtu, “Përjashtimi i Ambasadorit Iranian nga Qeveria e Shqipërisë është një hap pozitiv dhe i rëndësishëm, që jep mesazhin e duhur se asnjë ambasadë iraniane nuk duhet të përdoret për komplote terroriste apo për kryerjen e veprimtarive të spiunazhit kundër disidentëve.”

 “Veprimtaritë malinje të Iranit në Ballkan, në mënyrë specifike prezenca dhe veprimtaritë e tij në Shqipëri, paraqesin një rrezik serioz për interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.” 

“Zyrtarë të lartë iranianë të qeverisë, ushtarakë, gjyqsorë dhe të sigurisë kanë urdhëruar ose kanë kryer për dekada të tëra shkelje të tmerrshme të të drejtave njerëzore dhe akte terrori.” 

Ligjvënësit që folën në konferencën e OIAC ku u shpall H.Res.374 përfshijnë Hakeem Jeffries, Demokrat nga New York; Sheila Jackson Lee, Demokrate nga Teksas; Paul Gosar, Republikan nga Arizona; William Lacy Clay, Demokrat nga Missouri; Blaine Luetkemeyer, Republikan nga Missouri; dhe Danny K. Davis, Demokrat nga Illinois. 

Duke iu referuar zonjës Maryam Rajavi dhe duke shprehur mbështetje për planin e saj me dhjetë pika, Rep. Sheila Jackson Lee tha: “Atë e quaj motrën time dhe dhjetë pikat e saj, 10 pikat e çlirimit për të arritur më në fund pikën ku populli i Iranit ta mirëpresë demokracinë, lirinë, dhe fuqizimin e trajtimin e drejtë të grave.” Ajo shprehu gjithashtu mbështetje të plotë për H. Res. 374 dhe tha, “Siç e dini, unë jam një nga bashkë-sponsorizuesit fillestarë të H. Res. 374 dhe jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se kemi edhe shumë punë për të bërë.”