Saturday, September 23, 2023

Kryengritja në Iran dhe Perspektivat e Saj: Intervistë Ekskluzive me Kreun e Punëve të Jashtme të NCRI, Mohammad Mohaddessin

Mohammad Mohaddessin, kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane.

Kryengritja mbarëkombëtare e Iranit ka hyrë në muajin e katërt të saj, pavarësisht përpjekjeve të regjimit për ta shuar atë. Vazhdimi i këtyre protestave tregon se kjo lëvizje është e organizuar dhe në të vërtetë situata nuk do të jetë kurrë më e njëjta në Iran. Revolucioni në zhvillim e sipër ka nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të një regjimi të brishtë dhe në prag të vdekjes. Për t’u thelluar më tej në situatën aktuale në Iran dhe për të vlerësuar perspektivat e kësaj kryengritjeje, disa politikanë dhe mendimtarë nga Zvicra u mblodhën në një sesion me z. Mohammad Mohaddessin, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Z. Mohaddessin iu përgjigj disa pyetjeve, duke dhënë një shpjegim të thelluar të situatës aktuale brenda Iranit. Më poshtë vijon pjesa e parë e pyetjeve dhe përgjigjeve nga ky sesion.

ٌQ: Cilat janë perspektivat e protestave të vazhdueshme në Iran që shumë i konsiderojnë si kryengritje? Pse kryengritja ka vazhduar e palëkundur në 100 ditët e fundit?

A: Irani, nën regjimin e mullahëve, është qendra e abuzimeve ndaj të drejtave të njeriut, e torturave, ekzekutimeve dhe fushë e vrasjes të burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm. Vetëm ditët e fundit, regjimi ka ekzekutuar afërsisht 18 persona me akuza të ndryshme. Vetëm në dhjetor numri i ekzekutimeve ka shkuar mbi 50. Regjimi synon të frikësojë shoqërinë në një përpjekje për të ndaluar zgjerimin e kryengritjes.

Megjithatë, kryengritja ka vazhduar në 100 ditët e fundit, me slogane popullore si “Vdekje Khameneit”, “Vdekje diktatorit” dhe “Vdekje tiranit, qoftë Shahu apo Udhëheqësi [Khamenei]”. Të paktën 750 protestues janë vrarë dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) ka publikuar emrat e rreth 600 prej tyre. Të paktën 65 viktima të moshës nga dy deri në 18 vjeç janë vrarë dhe 30,000 protestues janë arrestuar.

Së fundmi është zbuluar se Garda Revolucionare (IRGC) kishte pranuar se në dy muajt e parë të protestave, 29,000 individë ishin arrestuar. Shumë prej tyre janë të mitur nën 18 vjeç. Disa të arrestuar janë dënuar me ekzekutim për shkak se protestuan dhe kërkuan ndryshim regjimi.

Megjithatë, pavarësisht gjithë këtij represioni, shoqëria iraniane ka vazhduar kryengritjen e saj. Gjatë ditëve të fundit, thirrjet “vdekje Khameneit” dhe “vdekje diktatorit” janë dëgjuar në rrugët qendrore të Teheranit, si rruga Enghelab. Selia e Khameneit është vetëm një kilometër larg nga aty.

Dua të theksoj dy forca shtytëse që i bëjnë këto protesta të vazhdojnë. Arsyeja e parë është gjendja shpërthyese e shoqërisë iraniane, që ka lënë shumicën e njerëzve të irrituar. Inflacioni i lartë, që ndonjëherë arrin 100% për disa mallra, papunësia e shfrenuar dhe e tmerrshme, korrupsioni shtetëror që prek të gjitha çështjet e vendit dhe diskriminimi ndaj grave dhe pakicave fetare dhe etnike, kanë krijuar një shoqëri shpërthyese.

Së dyti, ekziston një Rezistencë e organizuar që punon në fusha të ndryshme. Nga njëra anë ndihmon revolucionin në terren dhe drejton kryengritjen me aq sa mundet, dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm deri tani. Rrjeti i Njësive të Rezistencës i Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) ka qenë një forcë kryesore shtytëse e protestave, dhe ky fakt është pohuar nga regjimi. Përveç kësaj, Rezistenca Iraniane ka nisur një fushatë të gjerë ndërkombëtare për të ndihmuar kryengritjen.

Regjimit i duhet t’i heqë qafe këto dy forca shtytëse. Regjimi klerikal nuk mund ta zgjidhë pakënaqësinë e shoqërisë. Sepse nëse regjimi dëshiron ta trajtojë këtë çështje, duhet t’i japë fund korrupsionit, të lejojë një demokraci minimale në vend dhe t’i njohë paksa të drejtat e pakicave. Por ai nuk mund të pranojë asnjë reformë, pasi ndryshimi i sjelljes çon në rrëzimin e tij. Çdo luftë e vërtetë ndaj korrupsionit apo vendosja e marrëdhënieve normale me Perëndimin do të bënte që regjimi të shkërmoqej nga brenda. Me pak fjalë, Teherani nuk mund ta eliminojë forcën e parë shtytëse të protestave.

Pra, regjimi duhet të fokusohet në shtypjen e Rezistencës Iraniane, përveç shtypjes së përgjithshme të iranianëve nga të gjitha sferat e jetës. Teherani po përpiqet t’i ndalojë MEK-un dhe Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit si lëvizjen e organizuar të Rezistencës në vend. Përpjekjet e regjimit kundër Rezistencës janë rritur ndjeshëm si brenda dhe jashtë Iranit.

Brenda vendit, çdo gjë dhe çdokush që ka lidhje me MEK-un, duke përfshirë mbështetësit ose simpatizantët e tij në largësi, ndiqen penalisht ose kontrollohen. Kushdo që ka lidhje me MEK-un arrestohet dhe dënohet rëndë.

Khamenei përsëriti se forcat e tij nuk duhet të tregojnë mëshirë për mbështetësit e MEK. Por fushata e regjimit kundër Rezistencës iraniane nuk kufizohet vetëm brenda kufijve të Iranit. Meqenëse Teherani ka probleme serioze politike brenda vendit dhe në skenën ndërkombëtare, fushata e tij demonizuese kundër MEK-ut dhe NCRI-së, duke përhapur informacione të rreme dhe duke bërë propagandë, është intensifikuar në katër muajt e fundit.

Regjimi synon t’i mashtrojë iranianët dhe, më e rëndësishmja, Perëndimin se nuk ka alternativë tjetër në Iran dhe e vetmja mundësi është kthimi në monarki. Kjo e fundit nuk ka perspektivë reale dhe askush nuk e kërkon, por regjimi përpiqet ta nxisë këtë gjë duke denigruar NCRI-në dhe MEK-un. Prandaj, regjimi ka mobilizuar të gjithë fuqinë e tij politike për këtë qëllim.

Në katër muajt e fundit, regjimi ka aktivizuar celulat e fjetura dhe agjentët e tij jashtë vendit, duke u përpjekur të frikësojë ose korruptojë disa studentë iranianë jashtë vendit, në mënyrë që të vazhdojë një fushatë demonizimi kundër Rezistencës Iraniane. Unë do t’ju jap disa shembuj.

Për shembull, regjimi përpiqet të ndikojë te politikanët dhe figurat e njohura që mbështesin Rezistencën iraniane duke përdorur propagandë të gjerë, zakonisht nën maskën e reagimit të “iranianëve”.

Javët e fundit, ne zhvilluam konferenca në Francë, në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, dhe në parlamentin e Belgjikës. Në një përpjekje të organizuar, regjimi u dërgoi mijëra e-maile dhe letra pjesëmarrësve dhe folësve të këtyre konferencave nën petkun e “anëtarëve të diasporës iraniane”, ose ndonjëherë iranianëve nga brenda Iranit. Ata pretendonin se MEK nuk është përfaqësues i popullit iranian, është një kult, ata kanë vrarë kurdë, dhe çdo lloj akuze tjetër që mund të mendoni. Ata i bënë këto akuzime kundër MEK-ut në letrat, emailet e tyre ose ndonjëherë në takimet me këta ligjvënës.

Qëllimi i regjimit është të mos lejojë që MEK dhe NCRI të bëhen edhe më të besueshëm, sepse nëse e arrijnë këtë, do të thotë se ka një alternativë ndaj regjimit. Kjo është shumë e rrezikshme për regjimin. Regjimi i ka përdorur këta agjentë, individë të veçantë të cilët janë ekspozuar nga disidentët iranianë, për t’u infiltruar në protestat kundër regjimit të organizuara jashtë vendit, duke u paraqitur si disidentë. Por qëllimi i tyre i vërtetë është të thërrasin parulla kundër MEK-ut ose të mos lejojnë të tjerët të thërrasin slogane të forta kundër regjimit.

Për shembull, në tubimin më të madh të organizuar ndonjëherë të iranianëve në Berlin më 22 tetor, morën pjesë mbështetës të grupeve të ndryshme, si mbështetësit e MEK, duke thirrur slogane të tilla si “Vdekje Khameneit”, “Vdekje diktatorit” dhe “Vdekje tiranit, qoftë Shahu apo Udhëheqësi.” Kjo bëri që regjimi të tërbohej. Kështu që, regjimi përpiqet të parandalojë një unitet të tillë. Megjithatë, ai nuk ka arritur të ndalë kryengritjen.

Dua të konkludoj se së pari, duhet të jemi vigjilentë ndaj komploteve të regjimit. Së dyti, kjo kryengritje vazhdon pavarësisht trazirave të shumta. Situata nuk do të kthehet siç ishte para katër muajve të fundit. Regjimi nuk është i njëjti si ai i gushtit 2022. Regjimi klerikal i vitit 2023 është krejtësisht i ndryshëm nga ai i vitit 2022, apo më saktë nga ai i shtatorit 2022. Populli iranian është i ndryshëm nga ai që ishte në vitin 2022. Ata janë të vendosur të vazhdojnë me çdo kusht. Regjimi vazhdon shtypjen, por nuk e ndal dot kryengritjen. Përveç kësaj, Rezistenca e organizuar nuk është në të njëjtën situatë si më parë. Në katër muajt e fundit, shumë nga mbështetësit e MEK janë arrestuar dhe disa kanë rënë dëshmorë, por ne nuk i kemi dhënë emrat e tyre. Megjithatë, pavarësisht këtyre vështirësive, numri i njerëzve që i bashkohen MEK-ut dhe rrjetit të tij të Njësive të Rezistencës është rritur. Sot mund t’ju them se ky rrjet është më i fortë se kurrë, si në cilësi ashtu edhe në sasi.