Saturday, January 28, 2023

Sindikatat franceze kërkojnë lirimin e mësuesve dhe punëtorëve të arrestuar në Iran

 Në një deklaratë të përbashkët, sindikata të spikatura franceze kanë shprehur mbështetjen e tyre për mësuesit dhe punëtorët iranianë që kanë protestuar për të drejtat e tyre gjatë muajve të shkuar, sidomos për ata që janë burgosur nga forcat e sigurisë të regjimit iranian. Këto unione dhe sindikata kërkuan lirimin e të gjithë mësuesve dhe punëtorëve të burgosur, si dhe respekt për të drejtat e të gjithë aktivistëve iranianë.

Sindikatat që kanë shprehur mbështetje përfshijnë CFDT, CGT, dy unione shumë të mëdha, si dhe FSU, një union punëtorësh të sektorit publik, dhe disa organizata të tjera. Në deklaratën e tyre të përbashkët, sindikatat thonë, “Kushtet e përkeqësuara të punëtorëve në Iran i kanë bërë ata të zhvillojnë protesta për të drejtat e tyre që prej disa javësh. Ata kërkojnë përmirësimin e kushteve të jetesës e të punës dhe janë të lodhur nga rrogat e pamjaftueshme e nga vonesa me muaj të tërë e marrjes së pagesës.”

Deklarata vë në dukje gjithashtu se në rastin e fabrikës së sheqerit Haft Tapeh dhe Grupit Kombëtar Industrial të Çelikut të Iranit, dy fabrika të mëdha në provincën Khuzestan, punëtorët kanë bërë grevë për shkak të mos plotësimit të kërkesave të tyre pas një periudhe të gjatë protestash. Sindikatat deklarojnë gjithashtu se mësuesit iranianë në mbarë vendin “po luftojnë për të drejtat bazë dhe për rroga të arsyeshme.”

Sindikatat franceze shtojnë se e vetmja përgjigje e regjimit ndaj kërkesave të segmenteve punëtore të popullsisë iraniane ka qenë arrestimi e burgosja e tyre. Deklarata jep emrat e disa anëtarëve të unioneve të mësuesve që janë arrestuar nga regjimi iranian gjatë muajve të shkuar, duke përfshirë Mohammad Habibi dhe Mahmoud Beheshti Langroudi.

Deklarata e sindikatave franceze përmbyllet me kërkesën që regjimi iranian të respektojë konventat ndërkombëtare që ka firmosur, dhe paralajmëron se nëse regjimi iranian nuk u përmbahet zotimeve të tij, sindikatat do t’ua referojnë këtë çështje organeve ndërkombëtare, duke përfshirë Organizatën Ndërkombëtare të Punës.