Saturday, September 23, 2023

SHBA Nxjerr Një Raport Mbi Sjelljen Destruktive të Regjimit Iranian

 Departamenti amerikan i Shtetit ka nxjerrë një raport gjithëpërfshirës ku detajon “sjelljen destruktive” të Regjimit Iranian brenda dhe jashtë vendit, pak kohë para 40-vjetorit të rrëmbimit të pushtetit nga mullahët.

Raporti, i titulluar Regjim i Jashtëligjshëm: Një Kronikë e Veprimtarive Destruktive të Iranit, jep detaje të hollësishme rreth mbështetjes së Iranit për terrorizmin, veprimtarive të paligjshme financiare, abuzimit të të drejtave njerëzore, keqpërdorimit të mjedisit, programit te raketave, kërcënimit ndaj sigurisë kibernetike, dhe kërcënimit ndaj sigurisë detare.

Raporti nis me një letër nga Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, i cili shpjegon pse SHBA u tërhoq nga pakti bërthamor i 2015-ës me Iranin dhe si do të vuajë Regjimi Iranian si pasojë e kësaj tërheqjeje.

Ai shkruan se politika aktuale amerikane mbi Iranin pasqyron faktin se Irani nuk është “një shtet normal”, duke argumentuar se shtetet normale nuk:

  • sulmojnë ambasadat dhe instalacionet ushtarake në kohë paqeje
  • mbajnë peng shtetas të kombeve të huaja
  • burgosin qytetarët e vet apo ata të vendeve të tjera për krime të rreme
  • vendosin kufizime të rënda mbi liritë bazë
  • kryejnë vrasje në fshehtësi në vende të tjera
  • kryejnë torturime
  • shpërdorojnë burimet e veta natyrore
  • shpërndajnë teknologji raketore tek proksit e rrezikshëm
  • shtypin dhunshëm protestat legjitime
  • shërbejnë si një strehë për terroristët
  • bëjnë thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe kërcënojnë vendet e tjera
  • ndihmojnë diktatorë brutal si Bashar al-Assad i Sirisë
  • nxisin proksit apo militantët terroristë

Pompeo thotë se ky raport shërben si “një histori e plotë e sjelljes armiqësore të Republikës Islamike jashtë vendit dhe e represionit të saj brenda vendit përtej kërcënimit të vazhdueshëm të programit të saj bërthamor.”

Raporti

Raporti e bën të qartë se mbështetja e Regjimit Iranian për terrorizmin ka nisur që nga fillimi i këtij Regjimi, dhe është drejtuar zakonisht nga Garda Revolucionare (IRGC) dhe Forca e saj Qods, si dhe Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS).

Raporti lexon: “Sot, IRGC-QF është aktive në mbarë Lindjen e Mesme dhe ka organizuar apo kryer sulme terroriste në pesë nga shtatë kontinente. Atje ku nuk mundet apo nuk deshiron të veprojë direkt, regjimi iranian është bërë mjeshtër në përdorimin e grupeve terroriste proksi, si libanezi Hizballah, Xhihadi Islamik Palestinez, Brigadat Al- Ashtar nga Bahreini si dhe irakenët Kata’ib Hizballah, për të kryer sulme terroriste.”

Kjo mbështetje për grupet terroriste është ndihmuar nga zhvillimi i vazhdueshëm i raketave balistike nga Irani – në shkelje të rezolutës 2231 të OKB-së – si dhe nga “veprimtaritë e tij financiare të errëta e mashtruese”, të cilat kanë sabotuar integritetin dhe sigurinë e sistemit global financiar.

Si rezultat i gjithë kësaj, SHBA e konsideron Iranin si një kërcënim për sigurinë detare në Gjirin Persik dhe në Detin e Kuq, si dhe për sigurinë kibernetike, fusha ku Irani është përfshirë në sjellje të pasigurta për disa vite, kryesisht përmes përdorimit të proksive.

Regjimi Iranian njihet gjithashtu se ka shpërfillur krizat mjedisore, që kanë çuar në thatësira dhe migrim masiv në Iran; gjë që nuk është e habitshme po të marrësh në konsideratë “abuzimin e vazhdueshëm e sistematik të të drejtave njerëzore” nga ana e tij. Raporti vëren se abuzimet e Regjimit ndaj të drejtave të njeriut i tejkalojnë kufijtë e tij, me vrasjet e civilëve në Siri dhe arrestimet arbitrare të Sunni-ve në Irak.

Pompeo shkruan: “Irani është një shoqëri me një potencial shumë më të madh. Ne duam të arrijmë në një marrëveshje të re me Iranin, e cila të garantojë që veprimtaritë e tij bërthamore të jenë paqësore dhe që roli i tij në Lindjen e Mesme të jetë konstruktiv. Ne kërkojmë një marrëveshje që të garantojë që Irani të mos mbështesë terrorizmin në botë dhe të sigurojë mundësi më të mëdha për popullin e vet. Ne jemi të përgatitur të punojmë me regjimin iranian, por vetëm nëse ai bën ndryshime madhore. Deri atëherë, regjimi iranian mund të jetë i sigurtë për vendosmërinë tonë të palëkundur për t’iu kundërvënë veprimtarive të tij destabilizuese. Duke patur parasysh raportin që kemi publikuar sot, ai nuk duhet të presë asgjë më pak.”