Brian Hook: 1,000 njerëz mund të jenë vrarë në Iran gjatë protestave.
Në një konferencë për shtyp më 5 dhjetor 2019, Brian Hook, Përfaqësuesi Special për Iranin dhe Këshilltar i Lartë i Sekretarit të Shtetit, pohoi se numri i vdekjeve gjatë protestave të fundit në Iran mund të ketë shkuar mbi 1000. Ai i nxiti gjithashtu partnerët e SHBA-së që t’i bashkohen “fushatës së presionit maksimal” kundër regjimit iranian.
Ambasadori Hook e dënoi gjithashtu regjimin për mizoritë e kryera kundër vetë qytetarëve të tij. Për më tepër, Ambasadori Hook shpalli një seri të re sanksionesh mbi dy burgje iraniane për shkelje të rënda të të drejtave njerëzore.
Më poshtë vijon një transkript i pjesshëm i fjalës së Ambasadorit Hook:
“Mirëmëngjes. Sot kam tre shpallje lidhur me Iranin, por do ta nis duke adresuar mizoritë që regjimi iranian ka kryer kundër popullit të vet. Më 16 nëntor, protestat po përhapeshin në mbarë vendin. Në Mahshahr, një qytet në Iranin jug-perëndimor, një numër demonstruesish iranianë bllokuan një rrugë. Departamenti i Shtetit ka marrë video të asaj që ka ndodhur më pas. Pa asnjë paralajmërim, IRGC hapi zjarr mbi protestuesit, duke vrarë disa njerëz. Shumë prej protestuesve vrapuan drejt kënetave aty pranë për të shpëtuar. IRGC i ndoqi dhe i rrethoi me mitralozë të vendosur në kamiona. Më pas i qëlluan protestuesit me breshëri plumbash. Mes zhurmës së mitralozëve mund të dëgjohen britmat e viktimave. Vetëm në këtë incident, regjimi vrau njëqind iranianë, mundësisht më tepër. Pasi mbaroi, regjimi i ngarkoi trupat nëpër kamiona. Nuk e dimë ende se ku kanë shkuar këto trupa, por po mësojmë gjithnjë e më shumë se si regjimi iranian i trajton njerëzit e tij.”
“Kemi parë raporte që flasin për qindra njerëz të tjerë të vrarë në Teheran e përreth tij. Dhe teksa e vërteta po del në sipërfaqe, duket se regjimi mund të ketë vrarë mbi një mijë qytetarë iranianë që kur nisën protestat. Nuk mund të jemi të sigurtë sepse regjimi i bllokon informacionet. Mes të vrarëve janë të paktën një duzinë fëmijë, duke përfshirë 13 e 14-vjeçarë. Kemi marrë raporte nga familjarë të viktimave të cilët janë përpjekur t’i marrin trupat. Autoritetet u kanë kërkuar që fillimisht familjet të paguajnë koston e plumbave të përdorur. Në shumë raste, autoritetet nuk i kanë dorëzuar trupat pa marrë premtimin nga familja se nuk do të organizonte ceremoni publike varrimi.”
“Disa mijëra iranianë janë plagosur, dhe të paktën 7,000 protestues janë arrestuar në burgjet e Iranit. Shumë prej këtyre protestuesve janë dërguar në dy burgje, Burgu i Madh i Teheranit dhe Burgu Qarchak. Sot, Sekretari Pompeo ka përcaktuar se këto entitete plotësojnë kriteret për shkelje të rënda të të drejtave njerëzore, të vendosura nga CAATSA, dhe Departamenti i Shtetit po ia dorëzon Kongresit emrat e këtyre entiteteve.”
Burgu i Madh i Teheranit njihet për kushtet çnjerëzore të jetesës, të cilat përfshijnë koridore të papastra e të mbipopulluara, prani të dendur të minjve, ushqim, ujë e kujdes mjekësor të pamjaftueshëm. Kemi parë raporte që tregojnë se protestuesit u janë nënshtruar abuzimit e keqtrajtimit gjatë marrjes në pyetje, rrahjeve arbitrare, dhe përdhunimit. Burgu Qarchak është burgu më i madh i grave në Iran, dhe mban gjithashtu shumë anëtarë të komuniteteve të minoriteteve fetare. Edhe ky burg njihet për kushte të papërballueshme, që përfshijnë sulmime të vazhdueshme e sjellje të papranueshme të rojave të burgut kundrejt grave, mungesë kronike të ujit, hapësira të papastra jetese, dhe një mjedis që mundëson përdhunimin dhe vrasjen.
“Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve që mbahen në burgje, si dhe të të gjithë të burgosurve politikë që mbahen aktualisht nga regjimi.”
“Tani është koha që të gjitha kombet të mbajnë anën e popullit iranian, ta izolojnë diplomatikisht regjimin, dhe t’i sanksionojnë ata zyrtarë që janë përgjegjës për vrasjen e iranianëve të pafajshëm.
“Ka patur një mbështetje të jashtëzakonshme për popullin iranian nga populli amerikan. Është e qartë se ka një konsensus dypartiak për faktin që trajtimi që regjimi i bën popullit iranian është i përçmueshëm e i papranueshëm. Ne jemi të unifikuar këtu në Shtetet e Bashkuara, dhe komuniteti ndërkombëtar duhet gjithashtu të jetë i unifikuar dhe ta mbështesë popullin iranian.”
“Këto protesta e kanë bërë të qartë atë që Sekretari Pompeo dhe unë e kemi thënë me kohë: Populli iranian do që regjimi të fokusohet tek investimi në popull, jo tek proksit. Ata nuk e durojnë dot më faktin që regjimi e shpërdoron pasurinë e tij për luftëra proksi, gjë që çon vetëm në presion ekonomik e izolim diplomatik. Për fat të keq, pikërisht këtë vazhdon të bëjë regjimi iranian, madje edhe ndërkohë që populli iranian mbush rrugët, duke kërkuar t’i jepet fund kësaj gjëje. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të na bashkohet për t’i kërkuar llogari Iranit për aktet e tij të terrorit si kundër kombeve të botës, ashtu edhe kundër popullit iranian.”
“Dua ta mbyll me një vrojtim lidhur me protestat. Regjimi iranian vazhdon të humbasë elektorate madhore të bazës së tij revolucionare: fillimisht studentët, pastaj klasën e mesme dhe tregtarët, më pas klasën punëtore, madje edhe një pjesë të madhe të klerit që e kritikon regjimin. Tani, në protestat e fundit, janë djegur nëntë seminare. E vetmja mbështetje që i ka mbetur regjimit janë një grusht klerikësh të cilët populli iranian i urren për 40 vitet e brutalitetit që i kanë imponuar. Tani regjimi po e mban pushtetin me anë të forcës brutale.”