Regjimi Iranian Var 2 Gra; 93 Gra Janë Varur nën Regjimin e Rouhani-t

397

 

Dy gra u varën mëngjesin e së martës më 23 korrik 2019 në Burgun Qendror të Urmias, në Iranin veri-perëndimor.

Gratë janë identifikuar si Arasteh Ranjbar dhe Nazdar Vatankhah dhe kishin kaluar 15 vite në burg. Ato ishin të akuzuara përkatësisht për vrasje dhe bashkëpunim në vrasje.

Sipas një burimi të informuar, dy grave u ishte dhënë më përpara një muaj kohë për të tërhequr një marrëveshje me prindërit e viktimës, por nuk kishin mundur ta bënin këtë, kështu që dënimet e tyre me vdekje u kryen.

Ato u transferuan në qeli të vetmuara mëngjesin e së hënës më 22 korrik, që të përgatiteshin para se të çoheshin te trekëmbëshi, sipas Komitetit të Grave të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI).

Me këto ekzekutime të fundit, numri i grave të ekzekutuara gjatë gjashtë viteve të presidencës së Hassan Rouhani-t ka arritur në 93. Katër prej tyre janë ekzekutuar vetëm në 8 ditët e fundit, gjë që tregon për rritjen e shtypjes dhe marrjes në shënjestër të grave në Iran.

Maliheh Salehian nga Miandoab u var më 16 korrik 2019, me akuzën e vrasjes, në Burgun Qendror të Mahabad, në Iranin perëndimor.

Më 17 korrik 2019, një e burgosur tjetër, Zahra Safari Moghadam, 43, u var në Burgun e Nowshahr, në Iranin verior.

Rreth 3,700 persona janë ekzekutuar në Iran gjatë gjashtë viteve të fundit nën presidencën e Rouhani-t. Regjimi iranian mban rekordin botëror për ekzekutimet për kapita. Ai e përdor dënimin me vdekje si vegël për të mbajtur pushtetin dhe për të heshtur popullsinë e zemëruar, pjesa më e madhe e së cilës jeton nën kufirin e varfërisë, ndërkohë që papunësia ka marrë dhenë në vend dhe liria e fjalës nuk ekziston.

Rregulli 61 i Rregullave të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e Grave të Burgosura dhe Masave Alternative për Gratë Kundërvajtëse (Rregullat e Bangkokut) lexon, “Gjatë dënimit të grave kundërvajtëse, gjykatat kanë fuqinë të marrin në konsideratë faktorë lehtësues të tillë si mungesa e historisë kriminale dhe jo-serioziteti relativ dhe natyra e sjelljes kriminale, nën dritën e përgjegjësive përkujdesëse të grave dhe formimit tipik të tyre.”

Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit ka dënuar ekzekutimin e dy grave nga regjimi i mullahëve pasi ato janë viktima të ligjeve dhe politikave misogjiniste të regjimit klerikal dhe shkatërrimit të ekonomisë nga ana e tij. Komiteti i Grave i NCRI-së u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat njerëzore dhe të drejtat e grave që të marrin masa për ndalimin e dënimit me vdekje në Iran.