Friday, March 29, 2024

Regjimi Iranian Jep Urdhër për Masa të Mëtejshme Shtypëse Kundër Popullit

 

Nga Hamideh Taati

Regjimi iranian është vënë nën një presion shumë të madh nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump dhe administrata e tij kanë marrë masa për ta frenuar sjelljen luftarake të regjimit dhe po zhvillojnë një fushatë presioni maksimal.

Janë vënë disa sanksione ekonomike, por presioni më i madh ekonomik vjen nga sanksionet që ua ndalojnë vendeve të huaja blerjen e naftës iraniane. Kjo gjë po e privon regjimin nga burimi më i madh i të ardhurave të tij, të cilat i shpërdoronte për militantët terroristë e grupet proksi dhe veprimtaritë malinje në rajon.

Regjimi gjendet gjithashtu nën një presion të jashtëzakonshëm nga populli i Iranit. Populli i ka bërë të qarta qëllimet e tij për rrëzimin e regjimit dhe e ka lënë të kuptohet se nuk do ta tolerojë më keqmenaxhimin e korrupsionin e regjimit, si dhe mospërfilljen për të drejtat më themelore të njeriut.

Regjimi reagon gjithmonë ndaj presionit duke shtuar më tej masat shtypëse ndaj mospajtimit dhe e njëjta gjë po ndodh tani. Liritë civile po shtypen gjithnjë e më shumë dhe regjimi po përpiqet t’ia mbyllë kapakun mospajtimit.

Por ky është reagimi më i paefektshëm që mund të ketë regjimi, pasi populli i paepur i Iranit nuk do të heshtet nga ky regjim torturues e i pashpirt. Gjithashtu, tani më shumë se kurrë, populli do t’i shtojë dhe intensifikojë thirrjet e tij për ndryshim regjimi ndërkohë që regjimi vazhdon të përdorë metodat më barbare për ta nënshturar atë.

Raportet nga vendi tregojnë se qindra njerëz janë detyruar të firmosin zotimin për të mos ngrënë në publik gjatë periudhës së Ramazanit. Përfaqësuesi social i Policisë së Kermanshahut tha se janë arrestuar qindra njerëz për ngrënie në publik, dhe rreth 170 janë ndjekur penalisht.

Në zonën e Isfahanit, policia e sigurisë ka konfirmuar se mbi 300 dyqane ushqimi janë mbyllur për shitje ushqimi gjatë periudhës së Ramazanit.

Në provincën Khuzestan, forcat shtypëse kanë vazhduar të marrin në shënjestër të rinjtë që frekuentojnë mbrëmje private. Gjatë një mësymjeje, dhjetëra të rinj e të reja u arrestuan nga agjentët. Disa prej tyre u dënuan me goditje me kamxhik. Në fillim të marsit, media shtetërore raportoi se ishte kryer një mësymje në një mbrëmje në Ahvaz, ku 30 të rinj ishin arrestuar nga e ashtu-quajtura “polici e moralitetit”.

Forcat shtypëse po marrin në shënjestër edhe mediat sociale. Platformat si Facebook, Twitter dhe Instagram shihen nga regjimi si një kërcënim i madh pasi ato i shërbejnë popullit të Iranit për të treguar të vërtetën dhe për ta paraqitur jetën ashtu siç është. Zyrtarët e regjimit kanë folur gjithashtu edhe rreth ndikimeve perëndimore që po futen në jetën iraniane dhe se si kjo gjë shkon kundër vlerave të vendit. Ky është justifikimi që përdor për mbylljen e llogarive dhe bllokimin e faqeve.

Në një qytet verior, një agjensi shtetërore lajmesh raportoi se tre duzina burra e gra ishin arrestuar për “veshje të papërshtatshme”. Ata po merrnin pjesë në një klasë joga dhe një zyrtar komentoi se këta njerëz po kryenin, sipas tij, “sjellje jo normale”.