Regjimi Iranian Është Kërcënim për Rajonin

742

Nga Amir Taghati

Liderët arabë dhe të Gjirit Persik në samitet e Mekës e refuzuan ndërhyrjen e Iranit në vendet e tyre dhe iu referuan Regjimit si kërcënim për stabilitetin në rajon, ndërkohë që SHBA po e rrit presionin ekonomik mbi këtë vend.

Deri tani, sanksionet amerikane i kanë ulur eksportet e naftës iraniane nga 2.5 milion fuçi në ditë në vetëm 400,000 fuçi në ditë në maj, numër që me shumë mundësi do të bjerë në mënyrë të konsiderueshme për shkak të skadimit të lehtësimeve të përkohshme të sanksioneve, lehtësime që ishin bërë për tetë konsumatorët më të mëdhenj të Iranit në nëntor.

Irani i kishte varur shpresat tek një mekanizëm i veçantë financiar nga Europa për ta ndihmuar t’i shmanget sanksioneve amerikane, por Europa duket se po tregohet me të drejtë e matur për sa i përket programit të raketave balistike të Teheranit dhe rolit të tij në krizat rajonale. Ç’është më e keqja për Regjimin, ai mund ta humbë shpejt mbështetjen e Rusisë, e cila së shpejti do të bisedojë me SHBA-në dhe Izraelin rreth sigurisë kombëtare.

Strategjia e “presionit ekstrem” e Donald Trump ka për qëllim ta shtyjë Iranin drejt negociatave të reja lidhur me programin e tij bërthamor dhe sjelljet e tjera malinje, por deri tani, Regjimi është lëkundur midis pozave ushtarake dhe propozimeve të mjegullta diplomatike që nuk kanë pothuajse asnjë kuptim.

Disa mendojnë se kjo mund të çojë shumë shpejt në konfrontim ushtarak, ndonëse të kufizuar, por kjo gjë ka shumë pak mundësi të ndodhë. Regjimi i Iranit, pavarësisht gjithë kapardisjeve të tij, nuk mund të përballojë asnjë lloj aksioni ushtarak kundër SHBA-së, aq më pak nëse futen në lojë edhe aleatët rajonalë të SHBA-së si Izraeli dhe Arabia Saudite.

Sigurisht, Irani nuk dëshiron të negociojë me SHBA-në, dhe Lideri Suprem Ali Khamenei ka refuzuar të negociojë nën presionin e sanksioneve. Ç’është e vërteta, Regjimi po përpiqet të fitojë kohë derisa të mbarojë presidenca e Trump-it dhe nuk duket se e kupton që gjërat kanë ndryshuar. Çfarëdo presidenti i ri që të vijë në pushtet zor se do të futet përsëri në paktin bërthamor prej të cilit Trump u tërhoq.

Irani ndodhet në një pikë kritike dhe është detyruar t’u sugjerojë një traktat kundër agresionit vendeve të Gjirit Persik, propzim që erdhi shumë vonë dhe thjesht solli në vëmendje precedentët negativë të Iranit. 
Në fund të fundit, Arabia Saudite beson se Irani qëndron prapa sulmeve më të fundit mbi cisternat e saj në bregdetin e Emirateve të bashkuara Arabe dhe ka dhënë shumë shembuj sulmesh nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen.

Në fund, as negociatat, as lufta nuk do ta zgjidhin problemin me Iranin. Por SHBA duhet ta mbështesë Rezistencën Iraniane dhe të mbështesë largimin e mullahëve të korruptuar nga vendi e rajoni nga populli dhe për popullin e Iranit. Kjo është e vetmja mënyrë për të patur një Iran të lirë.