Raportuesja Speciale e O.K.B flet për Situatën e dhimbshme të të Drejtave të Njeriut dhe Masakrën e vitit 1988 në Iran

329

Stafi NCRI

NCRI – Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për situatën e të drejtave të njeriut në Iran, u paraqit në seancën e Shtatëdhjetë e dytë të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork më 25 tetor, për të diskutuar situatën e dhimbshme të të drejtave të njeriut që mbizotëron në Iran që me ardhjen në pushtet të regjimit në vitin 1979.

Asma Jahangir bëri një raport rreth gjashtë muajve të parë të 2017 i bazuar në burime si brenda dhe jashtë Iranit.

Ekzekutimet

Jahangir shpjegoi se ajo ishte e shqetësuar për shkallën e ekzekutimeve në Iran. Aktualisht, Irani ka shkallën më të lartë të ekzekutimeve për banor dhe është një nga vendet e pakta që ende ekzekuton të miturit, në shkelje të qartë të Kartës së të Drejtave të Fëmijëve të OKB-së.

Ajo tha: “Jam e shqetësuar nga shkalla e ekzekutimeve në Iran. Raportet tregojnë se që nga fillimi i vitit janë ekzekutuar 435 persona … Të paktën katër të mitur janë ekzekutuar dhe për 86 të tjerë dihet që janë në korridorin e vdekjes, ndonëse shifra aktuale mund të jetë më e lartë.

Dënime mizore dhe të pazakonta

Jahangir gjithashtu ngriti çështjen shqetësuese të torturës, ndëshkimit trupor dhe refuzimin e kujdesit mjekësor për të imponuar pohimet dhe ndëshkimin e njerëzve, gjë që shkel ligjin e të drejtave të njeriut dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

Ajo tha: “Me keqardhje vërehet se amputimi, verbimi, fshikullimi dhe përdorimi i vazhdueshëm i izolimit të zgjatur vazhdojnë të praktikohen rregullisht. Jam gjithashtu shumë e shqetësuar rreth raporteve vazhdueshme mbi refuzimin e aksesit në trajtimin e duhur dhe të nevojshëm mjekësor të të ndaluarve, duke përfshirë edhe privimin e kujdesit mjekësor si një formë dënimi”.

Të burgosurit e ndërgjegjes

Që nga qershori 2017, të paktën rreth 26 gazetarë / blogerë u arrestuan dhe / ose u dënuan për ushtrimin e lirisë së shtypit. Shumë prej tyre ishin sulmuar dhe / ose frikësuar nga regjimi ndër të tjera përmes marrjes në pyetje, përgjimit.

Jahangir foli edhe për punonjësit e Shërbimit Persian të BBC-së të cilët ishin sulmuar nga regjimi dhe iu ishte thënë se nëse vazhdonin të punonin, të afërmit e tyre do të ishin në shënjestër dhe pasuritë e tyre do të ngriheshin.

Masakra e vitit 1988

Ky persekutim i iranianëve të thjeshtë bazuar në besimet e tyre politike nuk është një fenomen i kohëve të fundit, por është i rrënjosur në ADN e regjimit iranian.

Në vitin 1988, regjimi masakroi mbi 30,000 të burgosur politikë në vetëm disa muaj. Ata varrosën trupat e tyre në varre masive, refuzuan t’u tregonin familjeve çfarë kishte ndodhur dhe u përpoqën të fshehnin “krimin kundër njerëzimit” nga pjesa tjetër e botës.

Megjithë njohjen kohët e fundit të genocidit nga anëtarët më të lartë të regjimit, bashkësia ndërkombëtare ende vazhdon të heshtë dhe kjo heshtje duhet të përfundojë.

Jahangir tha: “Familjet e viktimave kanë të drejtën për veprime juridike, dhe të drejtën për të ditur të vërtetën mbi këto ngjarje dhe fatin e viktimave pa u rrezikuar nga ndëshkimi. Për këtë arsye përsëris thirrjen ndaj Qeverisë për të siguruar që të kryhet një hetim i plotë dhe i pavarur mbi këto ngjarje “.

Të Drejtat e Grave

Siç mund ta imagjinoni, gratë në Iran janë shtypur rregullisht nga regjimi iranian, qoftë përmes kodeve të tij të detyrueshme të veshjes, ndalimit të grave për të ndjekur ndeshje sportive, arrestimi i njerëzve pse lexojnë ose shpërndajnë letërsi feministe, përjashtimi i grave nga profesione të caktuara, apo shumë gjëra të tjera mizogjine.

Jahangir tha: “I bëj thirrje Qeverisë që t’i trajtojë këto shqetësime në praktikë dhe në legjislacion nëpërmjet ratifikimit të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave dhe të shfuqizojë të gjitha ligjet dhe politikat që diskriminojnë gratë dhe vajzat”.