Deklarata e përbashkët e pesë OJQ-ve me status konsultativ në OKB
Njëkohësisht me seancën e 44-t të Këshillit të OKB-së për të Drejtat Njerëzore në Gjenevë, e cila po zhvillohet nga 24 shkurti deri më 20 mars, pesë OJQ me status konsultativ në OKB kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët, e cila ka qarkulluar mes shteteve anëtare të OKB-së.
Deklarata e përbashkët është nënshkruar nga Partia Radikale Kundër Dhunës, Transnacionale dhe Transpartiake, një organizatë jo-qeveritare me status të përgjithshëm konsultativ, Shoqata Ndërkombëtare për të Drejtat Njerëzore të Grave, Edmund Rice International Limited, organizata jo-qeveritare me status të veçantë konsultativ, dhe International Educational Development, Inc. e Shoqëria Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, organizata jo-qeveritare në regjistër.
Në këtë deklaratë trajtohen disa çështje, duke përfshirë protestat mbarëkombëtare të Iranit dhe shtypjen vrastare të tyre nga regjimi, masakrën ndaj 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën, ku viktimat ishin kryesisht anëtarë e mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK), si dhe shkeljet e vazhdueshme të të drejtave njerëzore në burgjet iraniane nga regjimi klerikal. OJQ-të e nxisin OKB-në të ndërmarrë veprime praktike, si dërgimi i një misioni të gjetjes së fakteve në Iran për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të të drejtave të njeriut.
Më poshtë vijon një fragment nga ky dokument. Lexojeni tekstin e plotë këtu.
Mijëra protestues të arrestuar në Republikën Islamike të Iranit në rrezik masakre të fshehtë
Mijëra njerëz që kanë marrë pjesë në protestat e fundit anti-qeveritare në Republikën Islamike të Iranit janë në rrezik serioz ekzekutimi të fshehtë apo torturimi deri në vdekje në burgjet e vendit.
Që kur nisën protestat në nëntor 2019, autoritetet kanë kryer shtypjen më gjakatare ndaj protestuesve që nga Revolucioni Islamik i 1979-ës.
Raportet tregojnë se të burgosurit po torturohen ose keqtrajtohen në mënyra të tjera, ndonjëherë me qëllimin për t’u nxjerrë rrëfime të detyruara. Raportohet gjithashtu se disave prej tyre u mohohet kujdesi mjekësor, madje edhe për plagosjet e shkaktuara nga përdorimi i tepruar i forcës nga forcat e sigurisë, dhe ata mbahen në qendra paraburgimi të mbipopulluara. Disa mbahen të izoluar ose bëhen subjekt i zhdukjeve të detyruara.
Njohja ndërkombëtare e masakrës së 1988-ës
Në dhjetor 2018, Amnesty International publikoi një raport 201-faqësh me titull “Sekrete të ngjyera në gjak: Pse masakrat e 1988-ës në burgjet e Iranit janë krime në vazhdim kundër njerëzimit” ku i bën thirrje OKB-së të nisë një hetim të pavarur në mënyrë që të vihen para drejtësisë personat përgjegjës për këto krime të urryera.
Koha për aksion ndërkombëtar
Në emër të OJQ-ve tona përkatëse, i bëjmë thirrje Këshillit të të Drejtave të Njeriut që të veprojë urgjentisht për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që gëzojnë zyrtarët iranianë dhe për të parandaluar masakrën ndaj protestuesve të arrestuar. Udhëheqësit e qeverisë iraniane duhet të përballen me drejtësinë për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit në shtypjen e gjakderdhjen masive të muajve të fundit.
OKB duhet të dërgojë menjëherë misione të gjetjes së fakteve për të hetuar rastet e të vrarëve apo të burgosurve që nga protestat e nëntorit.
Për më tepër, ne besojmë se, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk u kërkon llogari autorëve të masakrës së 1988-ës, autoritetet e Iranit do të vazhdojnë të trimërohen e t’i shtypin edhe më tej me pandëshkueshmëri protestuesit e sotëm. Zyrtarët iranianë e interpretojnë heshtjen dhe mosveprimin nga ana e komunitetit ndërkombëtar si një dritë jeshile për t’i vazhduar e shtuar krimet e tyre.
Prandaj i bëjmë thirrje Këshillit të të Drejtave të Njeriut që të krijojë një komision hetues mbi masakrën e 1988-ës dhe të fitojë drejtësi për viktimat e atij krimi kundër njerëzimit.
E nxisim Komisioneren e Lartë Michelle Bachelet që të mbështesë krijimin e misioneve të pavarura të gjetjes së fakteve lidhur me masakrën e 1988-ës dhe me vrasjet e protestuesve anti-qeveritarë së fundmi.
Për më tepër, u bëjmë thirrje Procedurave Speciale të OKB-së, në veçanti Raportuesit Special mbi situatën e të drejtave njerëzore në Republikën Islamike të Iranit, Javaid Rehman, dhe Raportuesit Special për promovimin e së vërtetës, Fabian Salvioli, që të hetojnë masakrën e 1988-ës në Iran si pjesë e detyrave të tyre.