Këngëtari i Burgosur Nis Grevë Urie në Iran pas Dënimit me 100 Goditje me Kamxhik

634

Shkruar nga Mahmoud Hakamian më 31 korrik 2019.

Një këngëtar kurd i burgosur në Iran ka nisur grevë urie për të protestuar kundër dënimit të tij brutal e të padrejtë me dy vite burg dhe 100 goditje me kamxhik.

Peyman Mirzazadeh, i cili mbahet në burgun e Urmias në Iranin veri-perëndimor, e nisi grevën e urisë të hënën më 29 korrik, një ditë pas kryerjes së dënimit të tij me kamxhik në Degën e Katërt të Departamentit të Implementimit të Dënimeve.

Dega e 110-të e Gjykatës Publike të Urmias e ka dënuar Mirzazadeh-un me dy vite burg dhe 80 goditje me kamxhik për “blasfemi” dhe me 20 goditje të tjera për “pirje alkooli”, gjë që ndalohet nga ligji i Sheriatit i mullahëve.

Tani ai është i plagosur, siç pritej, me ënjtje në gjithë trupin, veçanërisht në shpinë e në këmbë. Gjithashtu, shëndeti i tij i përgjithshëm nuk është i mirë.

Mirzazadeh është dënuar më përpara me dy vite burg për “bashkëpunim me një grup disident”.

Në vitin 2017, forcat e sigurisë e arrestuan atë me akuzën e “përhapjes së propagandës kundër shtetit” duke kënduar këngë që shprehnin mbështetje për një grup disident. Nuk iu lejua të merrte një avokat dhe u dënua me gjashtë muaj burg.

Pavarësisht faktit se rrahja me kamxhik është një ndëshkim trupor që ndalohet ndërkombëtarisht, Irani vazhdon ta praktikojë atë dhe dhjetëra dënime të tjera barbare, përfshirë amputimin, gjuajtjen me gurë dhe verbimin.

Në Iran, mbi 100 “krime” janë të ndëshkueshme me rrahje me kamxhik, dhe shumë gazetarë e aktivistë të të drejtave civile ndëshkohen në këtë mënyrë për punën e tyre paqësore. Regjimi nuk merr parasysh madje as moshën e personit, që do të thotë se edhe fëmijët i nënshtrohen rregullisht këtij dënimi, madje edhe ekzekutohen, pavarësisht kritikave të forta ndërkombëtare.

Aktivisti i të drejtave të mësuesve Hamid Rahmati, anëtar i Shoqatës së Mësuesve të Isfahanit, është dënuar së fundmi me 74 goditje publike me kamxhik dhe tre vite burg për zhvillimin e një proteste jashtë një ndërtese të qeverisë për të protestuar kundër arrestimeve të shumta të mësuesve aktivistë.

Në një tjetër rast, një numër i panjohur njerëzish janë dënuar me 74 goditje secili për shkak se nuk kishin zbatuar rregullin e regjimit për mbulimin e detyruar. Ata ishin me pushime në provincën Mazandaran të Iranit verior, ku u kapën në kamera pa mbulimin e detyruar në një varkë në liqenin Lafour. Ndërkohë që mbulimi i detyruar supozohet të jetë i zbatueshëm vetëm në zonat publike, regjimi nuk i konsideron barkat apo veturat si pronë private në këtë rast.