Shkruar nga Mansoureh Galestan më 19 tetor 2019.
Regjimi iranian vazhdon t’i shtypë gratë në Iran.
Gjashtë këngëtare femra janë dënuar secila me një vit burg për “veprimtari të paautorizuara audiovizuale, bashkëpunim në bërjen e muzikës dhe imazheve, dhe transmetimin e tyre në rrjetet satelitore anti-regjim,” ka raportuar të premten Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.
Verdiktet janë dhënë nga dega e 36-të e Gjykatës së Revizionit të Provincës së Teheranit.
Në maj 2019, një këngëtare u ndoq penalisht për këndim solo gjatë një vizite në Abyaneh, një fshat në provincën Isfahan, sipas raportimit të uebsitit shtetëror Fararu më 21 maj 2019.
Në një tjetër rast, Gjykata e Ministrisë së Udhëheqjes në Teheran thirri Matin Sotoudeh, një aktore kinemaje, televizioni dhe teatri, më 16 tetor 2019, për mënyrën se si ishte veshur gjatë ceremonisë së shfaqjes së një filmi.
Në gusht, komandanti i Forcave të Sigurisë Shtetërore të Teheranit, Hossein Ashtari, deklaroi se postimi i fotove të njerëzve të veshur në një mënyrë që nuk përputhet me kodin zyrtar të veshjes është shkelje ligji. Ai shtoi, “Nuk ka rëndësi se kush e thyen normën; qoftë artist, aktore apo njeri i famshëm, të gjithë do të ndëshkohen si duhet,” raportoi agjencia shtetërore e lajmeve ROKNA më 5 gusht 2019.
Gratë janë ndaluar gjithmonë të këndojnë solo nën sundimin e mullahëve dhe kanë qenë shënjestra të censurës. Në vitet e para të sundimit të Khomeini-t, këngëtaret detyroheshin ta ndalnin aktivitetin e tyre dhe të shkonin në shtëpi, dhe shumë prej tyre largoheshin nga vendi. Shumë të tjera liheshin në harresë dhe mezi ia dilnin të fitonin bukën e gojës. Vetëm një numër i vogël këngëtaresh femra të cilat kishin zgjedhur ta toleronin censurën represive të regjimit, lejoheshin të performonin përpara një audience femërore.
Në një zhvillim tjetër, Atefeh Rangriz, studente sociologjie dhe aktiviste e punës, nisi grevë urie në burgun famëkeq Qarchak në Varamin më 16 tetor 2019, për të protestuar ndaj trajtimit të saj të padrejtë në burg.