Javad Zarif Duhet të Japë Llogari për Abuzimet me të Drejtat Njerëzore në Iran

511

Kur beson në diplomaci dhe nuk e mbështet luftën, a je i detyruar të bësh marrëveshje me tiranë apo t’i pranosh lehtësuesit dhe mundësuesit e tyre? Sigurisht, çdo njeri i përgjegjshëm do të thoshte jo. Atëherë pse ndihen zyrtarët norvegjezë të detyruar ta shtrijnë tapetin e kuq përpara Javad Zarif, ministrit të jashtëm të Iranit, gjatë turit të tij skandinav, pyet ish-ligjvënësi norvegjez Lars Rise.

Në një artikull opinioni për International Policy Digest të enjten më 22 gusht 2019, z. Rise shkruan: “Regjimi iranian ka numrin më të lartë në botë të ekzekutimeve për kapita dhe është sponsori më i madh shtetëror i terrorizmit. Përveç veprimtarive të tjera shkatërrimtare në rajon, Irani ka qenë mbështetësi kryesor i diktatorit sirian Bashar al-Assad, dhe po e kërcënon gjithnjë e më shumë pjesën tjetër të botës me programin e raketave balistike.”

“Me një buzëqeshje të madhe dhe anglishte të rrjedhshme, Zarif quhet nga disa në Perëndim si fytyra e moderuar e regjimit të tij. Por ky rol i është dhënë atij qëllimisht nga liderët e regjimit në mënyrë që ta përforcojë pandëshkueshmërinë e tyre. Në të vërtetë, Zarif vetëm i moderuar që nuk është.”

“Që kur ai u bë ministër i jashtëm në vitin 2013, regjimi ka ekzekutuar mbi 3,500 njerëz, duke përfshirë gra e fëmijë. Sipas opozitës iraniane, mbi 8,000 aktivistë janë arrestuar gjatë protestave të fillimit të 2018-ës në më shumë se 160 qytete në mbarë vendin, dhe disa prej tyre janë torturuar për vdekje.”

“Krimet kundër njerëzimit nuk janë gjë e re për Zarif-in. Ai ishte aktiv si diplomat i lartë i karrierës në Kombet e Bashkuara në vitin 1988 në kohën kur qeveria e tij masakroi mbi 30,000 të burgosur politikë, anëtarë e mbështetës të Mojahedin-e Khalq, e cila është lëvizja kryesore opozitare në Iran.”

“Një diplomat nga ambasada iraniane në Vienë është akuzuar për një komplot me bombë kundër tubimit të MEK në Paris në qershor të 2018-ës dhe po pret të gjykohet në Belgjikë. Ambasadori dhe sekretari i parë nga ambasada iraniane në Shqipëri u përjashtuan nga ai vend dhjetorin e shkuar për akuza të ngjashme. Zarif është pa dyshim shefi i tyre,” vë në dukje z. Rise.

  1. Rise shkruan më tej: “Pjesëmarrja e Zarif në lojën dy-fytyrëshe të regjimit të tij ka funksionuar mirë për ajatollahët gjatë viteve për shkak të një politike paqësimi që është ndjekur në të dyja anët e Atlantikut për tre dekada. Por kësaj politike po i vjen fundi, dhe regjimi iranian nuk mund të mbështetet më tek SHBA që t’i shpëtojë jetën.”

“Njeriu do të shpresonte që e njëjta gjë të ishte e vërtetë edhe për aleatët e SHBA-së si Norvegjia. Por pritja e një vizite shtetërore nga një njeri si Javad Zarif nuk është etike. Nuk është as e zgjuar nga ana politike. Teherani po përballet me shenja gjithnjë e më të mëdha mospajtimi, sidomos mes të rinjve, ekonomia e tij po shkatërrohet dhe izolimi i tij ndërkombëtar po rritet. Çdokush që e pranon Zarif-in i jep legjitimitet një qeverie që është në prag të rrëzimit.”

“Askush nuk do luftë me Iranin, por mënyra më e mirë për ta parandaluar luftën është refuzimi i sjelljes skandaloze të Teheranit në tërësi. Duke refuzuar vizitën e Zarif-it dhe duke i kërkuar llogari atij, Norvegjia do të merrte një pozicion etik dhe parimor, duke i dërguar gjithashtu një mesazh mbështetjeje popullit iranian i cili e ka ngritur zërin për liri,” konkludoi z. Rise.

Lars Rise është ish-anëtar i Parlamentit Norvegjez nga Partia Demokratike Kristiane.