Friday, July 26, 2024

Izolimi i Regjimit Iranian Vazhdon

Nga Mohammad Sadat Khansari

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë që nuk do ta zbusin shpejt fushatën e presionit maksimal mbi Regjimin Iranian. Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij e kanë paralajmëruar regjimin iranian shumë herë se kërcënimet dhe sjelljet e tij luftarake nuk do të tolerohen dhe se sanksionet dhe presioni do të vazhdojnë.

Për më tepër, pas samiteve në qytetin e shenjtë të Mekës mes Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik (GCC), Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe Lidhjes Arabe, u bë e qartë që kjo pjesë e botës nuk do ta tolerojë më sjelljen luftarake të Iranit. Udhëheqësit dënuan përhapjen që Irani i bën paqëndrueshmërisë në rajon dhe e qortuan për ndërhyrjet e tij.

Ndërhyrja e regjimit iranian në punët e vendeve të tjera ka filluar shumë kohë më parë. Administrata e mëparshme amerikane e ish-presidentit Barack Obama nuk i trajtoi veprimtaritë destabilizuese të Iranit dhe nuk mundi ta frenonte sjelljen e tij luftarake, pavarësisht lëshimeve të shumta që i bëri Iranit. Pakti bërthamor për të cilin Obama ishte i bindur se do ta ndryshonte sjelljen e Iranit, vetëm sa e trimëroi edhe më shumë regjimin.

Në fillim të majit, pati shqetësime reale se do të kishte konflikt ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Në fund, tensionet u qetësuan, por regjimi iranian vazhdon të mos bindet. Por presioni në rritje po e vë regjimin me shpatulla pas murit.

Udhëheqësit europianë po fillojnë gradualisht ta dënojnë regjimin iranian me pak më shumë forcë se më parë. Megjithatë, presioni më i rëndësishëm është ai që vjen nga brenda vendit.

Populli i Iranit ka treguar trimëri në thirrjet e tij për ndryshim regjimi. Njerëzit e kanë treguar vendosmërinë e tyre për të patur një të ardhme pa mullahët ku do të kenë mundësinë më në fund të gëzojnë lirinë, të drejtat e njeriut dhe demokracinë.

Pas disa ditësh, opozita kryesore ndaj regjimit iranian – Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) – do të zhvillojë tubimin e përvitshëm FreeIran. Mbi 100,000 mbështetës të opozitës dhe dhjetëra grupe e shoqata të të drejtave do të jenë të pranishëm në këtë tubim i cili do të mbahet në Bruksel të shtunën, më 15 qershor.

Pas një viti protestash intensive në 2018-ën në Iran, mbështetësit e Rezistencës Iraniane jashtë Iranit do të marrin pjesë në demonstrata masive në disa vende të botës. Do të ketë tubime të mëdha gjatë qershorit dhe korrikut në Bruksel, Uashington D. C., Berlin dhe Londër.

Regjimi iranian nuk ka se kujt t’i drejtohet dhe po i humb me shpejtësi të gjitha mundësitë. Një konflikt ushtarak me Shtetet e Bashkuara do të ishte i barabartë me vetëvrasjen, kështu që regjimi mund të vendosë t’i rikthehet tryezës së negociatave. Kjo do të ishte një lëvizje e bërë me shumë ngurrim, duke marrë parasysh se Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei e ka thënë që më parë se kjo gjë nuk ka mundësi të ndodhë.

Sido që të rrjedhin ngjarjet, regjimi iranian nuk do të mbijetojë edhe për shumë gjatë. Populli do ta bëjë të mundur këtë, me ndihmën e opozitës ndaj regjimit iranian, si dhe me ndihmën e mbështetësve në mbarë botën. Mbetet tani në dorën e udhëheqësve të komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë punën e tyre dhe të garantojnë që regjimi të mbahet përgjegjës për veprimet e tij.