Iranianët Vazhdojnë të Protestojnë Pavarësisht Shtypjes së Dhunshme nga Autoritetet Iraniane

389

Protestat në Iran po vazhdojnë me intensitet të madh pavarësisht masave të gjera shtypëse mbi popullin nga regjimi iranian.

Raportet nga brenda vendit tregojnë se ka patur të paktën 177 protesta në Iran gjatë muajit gusht. Këto protesta janë zhvilluar në mbarë vendin me një mesatare prej 6 protestash në ditë.

Në demonstratat dhe protestat kanë marrë pjesë iranianë nga të gjitha sferat e jetës e nga mjedise të ndryshme shoqërore, duke përfshirë mësues, punëtorë e pensionistë.

Punëtorët kanë marrë pjesë në mbi 80 protesta në 29 qytete të vendit muajin e shkuar. Shumë prej tyre dolën në rrugë për shkak të rrogave të papaguara, dëbimit të punonjësve, kushteve të këqija të punës, mungesës së sigurisë së punës dhe mos-rinovimit të kontratave, si dhe pagesave shumë të vogla. Disa nga protestat zgjatën për disa ditë.

Mësuesit në mbarë vendin zhvilluan gjithashtu protesta në një numër qytetesh. Protestat ishin planifikuar që më parë dhe ishin shumë të organizuara. Në këto protesta u shprehën disa ankesa, duke përfshirë rrogat shumë të vogla të mësuesve që i detyrojnë ata të jetojnë në varfëri, mos-pagesën e rrogave të vonuara, mungesën e kontratave të përhershme, e të tjera. Ata protestuan gjithashtu për numrin e mësuesve që janë arrestuar muajt e fundit.

As të burgosurit nuk kanë munguar në pakënaqësinë që po shprehet nga populli i Iranit. Një numër të burgosurish politikë po marrin pjesë në greva urie. Akbar Gavili, një ish-anëtar i Shoqatës së Gjelbër të Kurdistanit dhe aktivist i të drejtave civile, po bën grevë urie për të protestuar ndaj arrestimit të tij të padrejtë. Aktivisti dhe avokati Mohammad Najafi është në grevë urie për të protestuar burgosjen e tij të vetmuar në burgun e Arakut. Ali Ashraf Parvaneh nisi grevë urie për shkak se është mbajtur në burg për 18 vite pa iu dhënë as edhe një leje e vetme. I burgosuri Sunni, Hamzeh Darvish, po bën grevë urie për të protestuar kundër mohimit të të drejtave të tij, si për shembull e drejta për të zgjedhur avokatin e vet.

Edhe pensionistët kanë dalë në rrugë, me një total prej gjashtë protestash në katër qytete të ndryshme. Ata përfshijnë mësues në pension, punonjës pensionistë të qeverisë dhe punëtorë pensionistë nga disa kompani të ndryshme, si metroja e Teheranit, fabrika Nilo Tile në Isfahan, kompania e Telekomunikacionit e Provincës Fars dhe Kompania e Telekomunikacionit e Isfahanit.

Muajin e shkuar në disa qytete të vendit, kreditorët e mashtruar dolën në rrugë duke bërë thirrje për rikthimin e kursimeve të tyre të vjedhura. Institucionet e lidhura me regjimin ua kanë vjedhur shumë njerëzve kursimet e jetës, duke shkaktuar kështu një pakënaqësi të madhe në shoqëri.

Regjimi iranian i ka shtuar përpjekjet për t’ua mbyllur gojën njerëzve me anë të dhunës e represionit, por populli e ka lënë të kuptohet se nuk do ta lejojë më regjimin të vazhdojë në këtë mënyrë. Regjimi e ka keqmenaxhuar vendin për dekada të tëra dhe populli po zhytet gjithnjë e më thellë në varfëri ndërkohë që zyrtarët e regjimit vazhdojnë të mbushin xhepat e vet.

Nuk ka dyshim që protestat do të vazhdojnë për sa kohë që regjimi lejohet të vazhdojë me sundimin e tij të korruptuar që i shpërfill plotësisht të gjitha të drejtat e njeriut.