Mijëra iranianë u mblodhën për një demonstratë të madhe protestuese në Bruksel të shtunën, më 15 qershor 2019. Protestuesit dënuan shkeljet brutale të të drejtave të njeriut nga regjimi në pushtet si dhe nxitjen që ky regjim i jep terrorizmit dhe konfliktit në rajon. Ata shprehën mbështetje për lëvizjen e Rezistencës Iraniane të udhëhequr nga znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës.
Sipas një deklarate të publikuar më 15 qershor nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, protestuesit do të shprehin mbështetje për Muxhahedinët iranianë (MEK) dhe njësitë e rezistencës brenda vendit duke marshuar në Rrethrrotullimin Schuman.
Deklarata shtonte se znj. Maryam Rajavi ka folur para demonstruesve në një video-mesazh, duke thënë, “Regjimi i dobësuar iranian është i bllokuar nga një komb që është ngritur më këmbë dhe të cilit i ka humbur durimi krejt. Ashtu si në ditët e fundit të regjimit të Shahut, anëtarët e parlamentit të regjimit janë ‘duke i rënë alarmit’ fjalim pas fjalimi dhe duke paralajmëruar për një fat të kobshëm, fat i cili e pret regjimin në tërësi… Rouhani dhe ministrat e kabinetit të tij këmbëngulin se në 40 vitet e fundit, regjimi nuk është gjendur kurrë përballë rrethanave kaq kritike.”
Znj. Rajavi shtoi se populli iranian “dëshiron rrëzimin e regjimit në tërësi, dhe thërret për ndryshim regjimi. Kushdo që mund ta ndryshojë sjelljen e fashistëve fetarë dhe diktatorëve klerikalë të Iranit pa shkelur mbi të drejtat njerëzore të iranianëve dhe mbi të drejtën për ta vendosur vetë fatin e tyre, atëherë pa asnjë ngurrim, ne e mirëpresim dhe i themi vazhdo, ndryshoje sjelljen e këtij regjimi sa më shumë të mundesh.”
Znj. Rajavi e mbylli mesazhin duke thënë se, “Komplotet terroriste të zbuluara në vendet europiane gjatë vitit të shkuar, si për shembull tentativat për sulme me bombë në Shqipëri dhe Francë, arrestimi i agjentëve të regjimit iranian dhe i diplomatit terrorist të tij Assadollah Assadi, si dhe përjashtimi i katër diplomatëve terroristë nga Europa, kanë sjellë prova të mjaftueshme për saktësinë e paralajmërimeve të vazhdueshme nga Rezistenca Iraniane se ambasadat e regjimit në Europë janë qendra komplotesh kriminale. Prandaj ne i bëjmë thirrje Bashkimit Europian që të vërë sanksione gjithëpërfshirëse mbi diktaturën fetare që sundon Iranin, si dhe t’i përcaktojë IRGC-në dhe MOIS-in si entitete terroriste. Agjentët e tyre duhet të ndiqen penalisht, të ndëshkohen, dhe të përjashtohen. Krerët e regjimit duhet të japin llogari për krimet e tyre kundër popullit iranian, sidomos për masakrën e të burgosurve politikë, në një gjyq ndërkombëtar.”
Në fjalimin e tij, Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së, Mohammad Mohaddessin, iu referua zhvillimeve të fundit në detin e Omanit: “Sulmi i IRGC-së mbi dy anijet tregoi edhe një herë se regjimi i mullahëve nuk do të zgjasë pa represion të brendshëm dhe pa eksportimin e terrorizmit dhe luftënxitjes. Koinçidenca e shpërthimeve në këto anije me takimin mes (liderit suprem iranian Ali) Khamenei dhe Kryeministrit japonez, dy ditë pas takimit mes Ministrit gjerman të Punëve të Jashtme dhe (presidentit iranian Hassan) Rohani, tregon se diplomacia dhe ndërmjetësimi nuk bëjnë punë me këtë regjim dhe se ndryshimi i regjimit nga populli dhe rezistenca iraniane, themelimi i një pushteti demokratik e popullor është e vetmja zgjidhje për të patur paqe dhe qetësi në rajon.”
Ish Ministri i Jashtëm italian Giulio Terzi theksoi nevojën e ndalimit të politikës së paqësimit që Europa praktikon me Teheranin dhe të ndërmarrjes së një politike të rreptë. “Është e rëndësishme në këtë pikë kritike të asaj që po ndodh në Gjirin Persik sot, që ne të ngrihemi dhe t’i mbrojmë të drejtat e popullit të Iranit” tha ai.
Shumë folës sollën në vëmendje veprimtaritë terroriste të regjimit iranian në tokën europiane. Anëtari i Parlamentit Europian Mark Demesmaeker theksoi tentativën e dështuar terroriste një vit më parë kundër tubimit të madh të iranianëve pranë Parisit, gjë që çoi në arrestimin e katër individëve, duke përfshirë një diplomat iranian, të cilët kishin tentuar të shpërthenin një bombë në tubim.
Ish zëvendës-presidenti i Parlamentit Europian Alejo Vidal Quadras lavdëroi anëtarët e Rezistencës Iraniane që banojnë tani në Shqipëri: “ata janë heronj, janë shembull për të gjithë ne,” pohoi ai.
Parlamentarja belge Françoise Schepmans përgëzoi rolin e grave brenda rezistencës iraniane dhe dënoi shkeljen e të drejtave të grave nga regjimi iranian.