Sunday, September 8, 2024

Irani: Një javë që nga fillimi i grevave në krahinat kufitare

 Të shtunën, më 21 prill, greva e dyqanxhinjve dhe tregtarëve në krahinat e Kurdistanit, Kermanshahit dhe Azarbaijanit Perëndimor  vazhdoi për të shtatën ditë rresht. Tregtarët e Sar-e-Pol-e Zahabit dhe Mahabadit gjithashtu u bashkuan me protestën të premten. Ndërkohë, forcat represive kanë arrestuar një numër grevistësh në ditët e fundit për të parandaluar përhapjen e këtyre protestave.

Të shtunën, tregtarët e Sardashtit protestuan para ndërtesës së guvernatorit kundër rritjes së detyrimeve doganore.

Në Baneh, një i ri i varfër u arrestua për shkak se kishte protestuar para Saeed Jalilit, përfaqësuesit të Khameneit, kundër vrasjes së hamallëve të kufirit, urisë së popullit në zonë dhe ndaljes së biznesit të tyre të mërkurën më 18 prill. Vizita e Jalilit në Baneh, i cili synonte të mashtronte protestuesit dhe t’i detyronte ata t’i jepnin fund grevës,  dështoi  plotësisht

Në Piranshahr, mercenarët e regjimit i vunë zjarrin një prej makinave të grevistëve në zonën e Kani Shinkahit me qëllim që t’i trembnin ata.

Në qytetin kufitar Bazargan (Azarbaijani Perëndimor), njerëzit protestuan kundër mbylljes së rrugëve kufitare, që ishte mënyra e tyre e vetme për të fituar para dhe për të siguruar jetesën, duke bllokuar rrugën kryesore të qytetit.

Në një zhvillim tjetër në Sanandaj, punëtorët e kompanisë prodhuese Mohammadi e ndalën punën në protestë kundër dëbimit të një prej kolegëve të tyre. Pas një vizite nga një përfaqësues i Khameneit dhe guvernatorit, një nga punëtorët protestoi kundër shfrytëzimit të rëndë të punëtorëve dhe nivelit të ulët të pagave. Punëdhënësi menjëherë shkarkoi punonjësin, gjë që provokoi një protestë të fortë nga punëtorët.