Kushdo që i dobëson zgjedhjet është në kampin e armikut. Ligji i Sheriatit dikton pjesëmarrjen, e cila është domosdoshmëri për sigurinë
Të tmerruar nga bojkotimi deçiziv i maskaradës së zgjedhjeve parlamentare dhe pas komenteve të së mërkurës nga udhëheqësi suprem i regjimit, Ali Khamenei, liderët e mullahëve kanë dalë në skenë njëri pas tjetrit në përpjekje për t’ia futur frikën publikut që të marrë pjesë në këtë farsë.
Dje, duke folur në Bushehr (në jug të Iranit), kryegjyqtari kriminel i regjimit, Ebrahim Raisi, tha, “Zgjedhjet janë një çështje e rëndësishme. Kushdo që e ka për zemër këtë sistem… duhet ta kryejë mirë detyrën e vet në këtë aspekt. Kushdo që, me çfarëdo motivi, i minon këto zgjedhje, me dijeni apo pa dijeni, me dashje apo pa dashje, do të ishte në kampin e armikut duke i dobësuar zgjedhjet.”
Mohammad Emami Kashani, udhëheqësi i lutjeve të së premtes në Teheran, tha sot, “Të shkosh te kutia e votimit do të thotë se të intereson siguria e vendit. Armiku do të jetë duke e ndjekur pjesëmarrjen.”
Duke theksuar se “armiku dëshiron ta sabotojë pjesëmarrjen e popullit në zgjedhje.” Ahmad Alam al-Hoda, udhëheqësi i lutjeve të së premtes në Mashhad të Iranit veri-lindor, tha se çdo kundërshtim ndaj zgjedhjeve do t’i bëjë jehonë “armikut arrogant.” Duke iu referuar presidentit të regjimit, Hassan Rouhani, ai tha, “Është për të ardhur keq që ata thonë se nuk ka konkurencë në zgjedhje, por thjesht emërime. Disa që mbajnë pozicione të larta në vend u bëjnë jehonë pikëpamjeve të armikut, dhe përsërisin si papagaj ato që thotë armiku, gjoja se këto zgjedhje janë formalizëm.”
Duke radhitur një seri urdhrash fetarë të mullahëve, një klerik që po predikonte gjatë ceremonisë së lutjeve të së premtes në Teheran, tha, “Mos-pjesëmarrja në zgjedhje e dobëson regjimin. Është e ndaluar nga feja. Për votuesit e ligjshëm, pjesëmarrja është një detyrë hyjnore dhe që urdhërohet nga Sheriati. Është një detyrim të cilin gjithsecili duhet ta kryejë ashtu si faljet.” Ndërkohë që mullahët nuk i lejojnë gratë të udhëtojnë pa lejen e bashkëshortëve, ky klerik tha “Pjesëmarrja në zgjedhje nuk është e kushtëzuar nga leja e bashkëshortit.”
Gjithsesi, kaq e sigurtë është perspektiva për bojkotimin e zgjedhjeve saqë kur, në përpjekje për ta rritur numrin e votuesve, një agjenci e lidhur me radio-televizionin shtetëror bëri një sondazh në Telegram, pavarësisht pjesëmarrjes së gjerë të paraushtarakëve Bassij dhe IRGC-së, 82 përqind thanë se nuk do të votonin. Nga frika e pasojave të këtij sondazhi, radio-televizioni shtetëror e hoqi menjëherë atë nga Telegrami.
Duke theksuar se bojkotimi i këtyre zgjedhjeve është një detyrë patriotike dhe zotim i kombit iranian ndaj martirëve, sidomos ndaj 1,500 njerëzve që humbën jetën gjatë kryengritjes së nëntorit 2019, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka thënë se populli iranian e ka hedhur votën e tij të vërtetë gjatë kryengritjeve të nëntorit 2019 dhe janarit 2020 me thirrjet “Vdekje parimit të velayat-e faqih, vdekje Khamenei-t dhe Rouhani-t.”
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
7 shkurt 2020