Iran: Numri i Vdekjeve nga Koronavirusi Shkon në Mbi 7,000 në 199 Qytete

1255

Iran, Pakdasht, shpërthimi i Koronavirusit

Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) më 19 mars 2020.

Në vigjilje të Vitit të Ri Iranian, Znj. Rajavi shpreh lutjen e saj për shërimin e shpejtë të pacientëve dhe ngushëllime për familjet e viktimave

Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI / MEK) shpalli mbasditen e sotme, e enjte, 19 mars, se numri i viktimave të Koronavirusit në 199 qytete të Iranit e ka tejkaluar shifrën 7,000.

Raporte të shumta tregojnë se numri i vdekjeve në Qom është më shumë se 1,000, viktimat në Alborz kanë shkuar në mbi 500, dhe në Provincën Qendrore numri është 169. Gjatë 24 orëve të fundit, në Teheran kanë vdekur të paktën 30 njerëz, 43 në Mazandaran, 30 në Khorasan Razavi, 15 në Hamadan, 15 në Kerman, dhe 16 në Gilan.

Pavarësisht fshehjes së fakteve, Ministria e Shëndetit e regjimit e ka pranuar se 149 njerëz kanë humbur jetën në 24 orët e fundit. Por Mohammad Reza Zafarghandi, kreu i Organizatës Mjekësore të Iranit, ka thënë, “Shifrat janë pa dyshim më të larta sesa ato që janë shpallur nga Ministria e Shëndetit. Jemi ende në rritje. … Me këtë ritëm, kjo situatë mund të vazhdojë edhe deri në fund të majit e më tej.”

Pas disa javësh mohimi, Ali Rabiei, zëdhënësi i Hassan Rouhani-t, pohoi gjithashtu sot, “Numri i vdekjeve mund të jetë më i madh, dhe rezultatet e testeve për (viktimat) mund të kenë qenë të gabuara. Disa njerëz kanë vdekur dhe mund të mos e kemi ditur që shkaku ka qenë Koronavirusi… mund të ketë disa mangësi tek shifrat …dhe me raste mund të shihni ndonjë kapërcim në njoftimet tona.”

Në vigjilje të Novruzit, (Vitit të Ri Iranian), Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), shprehu sërish ngushëllimet e saj për familjarët e viktimave të Koronavirusit, duke u uruar atyre durim e forcë. Ajo shprehu gjithashtu lutjet e saj për shërimin e shpejtë të njerëzve që vuajnë nga virusi.

Znj. Rajavi përsëriti faktin se, duke i fshehur informacionet rreth shpërthimit të virusit, diktatura fetare që sundon Iranin ka shkaktuar përhapjen e virusit në mbarë vendin. Gjithashtu, duke shkatërruar infrastrukturën e sistemit shëndetësor të Iranit gjatë 40 viteve të fundit, e duke mos i shpërndarë burimet e kontrolluara nga IRGC e nga fondacione të lidhura me Ali Khamenei-n, regjimi është direkt përgjegjës për rritjen tronditëse të numrit të vdekjeve. Megjithatë, presidenti i regjimit pretendon paturpësisht se mullahët e kanë menaxhuar këtë krizë më mirë se Paris, Londra e Berlini. Në të vërtetë, sjellja e mullahëve përballë shpërthimit të koronavirusit përbën një rast të qartë të një krimi kundër njerëzimit dhe kërkon shqyrtim ndërkombëtar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

19 mars 2020