Friday, September 13, 2024

Iran: Numri i Vdekjeve nga Koronavirusi Arrin në 5,950 në 194 Qytete

Shpërthimi i koronavirusit në Iran

Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) më 17 mars 2020.

Znj. Rajavi u bën thirrje të rinjve dhe këshilleve popullore që t’i mbështesin e t’i ndihmojnë pacientët,

nxit Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të ndërhyjë urgjentisht për të siguruar lirimin e të burgosurve, sidomos në burgun Fashafouyeh

Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) shpalli mbasditen e sotme, të martën më 17 mars, se numri i vdekjeve nga Koronavirusi ka arritur në 5,950 në 194 qytete në të 31 provincat e Iranit.

Numri i viktimave në provincat Isfahan, Gilan, Khorasan Razavi, dhe Fars është përkatësisht 600, 733, 501, dhe 152. Situata në provincat Hamadan, Markazi dhe Yazd po përkeqësohet, me 129, 115, dhe 120 jetë të humbura përkatësisht. Njësitë e Rezistencës kanë zbardhur emrat e 100 viktimave në Aran dhe Bidgol të provincës Isfahan.

Pavarësisht inskenimeve e gënjeshtrave të regjimit të mullahëve gjatë vizitës së delegacionit të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) në Iran, Dr. Richard Brennan, drejtori i emergjencëcs për rajonin e Mesdheut Lindor në këtë organizatë, tha pas kthimit nga Irani se, “Rastet e raportuara zyrtarisht mund të përbëjnë vetëm një të pestën e numrit të tyre të vërtetë.”  

Në të njëjtën kohë, regjimi anti-njerëzor i mullahëve e ka intensifikuar censurën dhe masat represive për të parandaluar përhapjen e lajmeve rreth katastrofës së koronavirusit. Dje, komandanti i policisë së Isfahanit shpalli regjistrimin e 60 dosjeve për personat që kanë përhapur lajme të rreme, duke thënë: “Njerëzit që kanë përhapur lajmet e rreme janë identifikuar nga policia kibernetike e Isfahanit.”

Më 14 mars, shefi i policisë së Teheranit, Rahimi, shpalli arrestimin e 27 njerëzve për përhapje thashethemesh rreth koronavirusit në hapësirën kibernetike. Më 10 mars, Ali Muzzafari, kryegjyqtari i Qom, tha, “Çdo lajm, intervistë apo raport që është propagandë e rreme … do të dënohet me ligj.” Më 5 mars, Kayhan, zëdhënësi i Khamenei-t, tha se ata që dërgojnë raporte të rreme duhet të akuzohen për “korrupsion mbi tokë” dhe të dënohen me vdekje. “Nga monitorimi i hapësirës kibernetike, janë identifikuar 262 raste kriminale, 69 pre të cilave kanë çuar në arrestime, etj. Për 101 raste janë regjistruar dosjet gjyqësore dhe po procesohen,” sipas një zëdhënësi të policisë më 4 mars.

Në një zhvillim tjetër, banorët e Isfahanit po zemërohen gjithnjë e më shumë nga dështimi i regjimit në sigurimin e kujdesit minimal shëndetësor dhe nga keqmenaxhimi i krizës. Shumica e zyrtarëve të regjimit në Isfahan e kanë braktisur qytetin nga frika e virusit, ose janë ngujuar në shtëpitë e tyre. Zyra e Guvernatorit të qytetit është pjesërisht e mbyllur.

Situata në Teheran po përkeqësohet nga dita në ditë. Ka ditë që nëpër spitale shkojnë 30,000 njerëz, me një numër të konsiderueshëm të infektuarish nga virusi. Spitalet nuk janë aspak të përgatitura për kaq shumë pacientë. Shumë prej të vdekurve janë varrosur në Teheran, Qom, dhe Golestan si viktima të gripit.  

Associated Press ka cituar një kërkues shkencor në Universitetin Industrial të Sharif në Iran, i cili flet për rrënimin e sistemit iranian të shëndetësisë dhe për mundësinë e miliona vdekjeve nëse viktimave nuk u vihet në dispozicion kujdesi i duhur mjekësor.

Duke shprehur ngushëllimet e saj për popullin iranian, sidomos për njerëzit në Aran, Bidgol, Yazd, Arak, dhe Hamadan, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i bëri sërish thirrje të rinjve dhe këshilleve popullore që t’i mbështesin e t’i ndihmojnë të infektuarit nga virusi. Ajo i nxiti të rinjtë e guximshëm që të marrin iniciativën duke implementuar masa higjienike në mbarë vendin dhe të veprojnë për t’i shpëtuar njerëzit nga Koronavirusi dhe nga mullahët në pushtet, të cilët ajo i përshkroi si virusi i vërtetë.

Znj. Rajavi i bëri thirrje sërish OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit që të ndërhyjnë urgjentisht për të siguruar lirimin e të burgosurve, sidomos në burgun Fashafouyeh, ku të burgosurit politikë janë në grevë urie. Të burgosurit thonë se po vdesin. Disa prej tyre kanë vdekur tashmë për shkak të Koronavirusit.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

17 mars 2020