Friday, March 29, 2024

Raporti Vjetor i Komitetit të Grave të NCRI-së: Gratë në Iran po Ndërmarrin Hapat Përfundimtarë në Luftën e Tyre për Liri dhe Barazi

Raporti Vjetor 2020 – Komiteti i Grave i NCRI-së

Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) ka publikuar raportin e tij vjetor në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 7 mars 2020. Ky raport ka për qëllim të japë një panoramë të përgjithshme të situatës së grave iraniane nga marsi 2019 deri në shkurt 2020.

“Teksa gratë iraniane po ndërmarrin hapat përfundimtarë luftën e tyre për liri dhe barazi, situata po bëhet më e polarizuar në vend,” lexon raporti. 

Në raportin e tij vjetor, Komiteti i Grave i NCRI-së flet për çështje të ndryshme për sa i përket grave iraniane, çështje si: arrestimet arbitrare të tyre, 105 ekzekutime grash të burgosura gjatë mandatit të presidentit të ashtu-quajtur “të moderuar” Hassan Rouhani, ndëshkimet mizore kundër aktivistëve të punës e të të drejtave të grave, dhe shtypja brutale nga regjimi e protestave mbarëkombëtare të Iranit në nëntor, ku u vranë 1500 njerëz, duke përfshirë qindra gra. Raporti hedh dritë gjithashtu edhe mbi kushtet e rënda të punës për gratë iraniane dhe ligjet misogjiniste të regjimit. 

“Nga njëra anë, shtypja ndaj grave po merr përmasa të reja. Të drejtat e infermiereve, mësueseve dhe grave të minoriteteve fetare vazhdojnë të mospërfillen e të shkelen. Gratë dhe fëmijët e tyre janë viktimat e para të tërmeteve e përmbytjeve, të braktisura pa asnjë formë mbështetjeje nga qeveria. Gratë gjithashtu diskriminohen më shumë se kurrë në tregun e punës, në arsim, art, muzikë, sport, etj,” lexon raporti. 

 

“Varfëria dhe pasojat e saj shoqërore po ndikojnë gjithnjë e më shumë tek femrat. Mosha e grave pa strehë, grave të varura nga droga, prostitutave, viktimave të vetëvrasjes, etj. ka rënë deri në moshën e adoleshencës. Martesat e fëmijëve praktikohen më shumë në provinca të ndryshme, gjë që e ka shtuar edhe më shumë numrin e vejushave fëmijë dhe kryetareve të familjeve, të cilat janë shumë të reja, madje deri në 14 vjeç,” shton raporti.  

Duke iu referuar luftës së vazhdueshme të grave iraniane për të fituar lirinë dhe barazinë, Komiteti i Grave i NCRI-së, shkruan: “Ndërkohë, mbrojtëset e të drejtave njerëzore që arrestohen e mbahen në kushte të tmerrshme nëpër burgje, vazhdojnë t’i mbrojnë të drejtat e njeriut. Ato përdorin çdo mundësi për t’i ekspozuar krimet e regjimit, për të mbështetur protestat në rrugë, madje edhe për të raportuar lidhur me kushtet e protestuesve të arrestuar në burgje.” 

“Nga ana tjetër, gratë iraniane janë bërë më të guximshme për ta ngritur zërin e tyre, duke udhëhequr protestat e kryengritjet. Ato patën aq efekt në udhëheqjen e dy kryengritjeve mbarëkombëtare vitin e shkuar, saqë autoritetet u detyruan ta pranonin rolin e tyre në protesta,” shton raporti.  

“Gratë e guximshme të Iranit po luftojnë jo vetëm për lirinë e tyre, por për lirinë e të gjithë iranianëve. Ato udhëheqin luftën e popullit iranian drejt lirisë e barazisë, dhe vendosmëria e tyre e paepur do ta realizojë këtë qëllim në fund,” lexon raporti.