Thursday, March 28, 2024

Iran: Mbi 4,000 Viktima të Koronavirusit në 166 Qytete

Iran, Qom – spitali Imam Reza, përhapja e koronavirusit

Pretendimi i Khamenei-t për një “sulm të mundshëm biologjik” ka për qëllim të justifikojë detyrën e re të IRGC-së për të luftuar kryengritjen

Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) shpalli këtë mbasdite, e premte, më 13 mars, se numri i vdekjeve nga Koronavirusi në mbarë vendin e ka tejkaluar pa asnjë dyshim shifrën 4,000.

Numri i viktimave në Qom është 650, në Teheran 570, në Gilan 551, në Khorasan Razavi 376, në Mazandaran 314, në Golestan 302, në Kurdistan 123, në Lorestan 120, në Hamadan 19 dhe në Ilam 14. Këto shifra i shtohen shifrave të 21 provincave të tjera.

Duke qenë se numri i viktimave rritet gjatë gjithë kohës, Mohammad Reza Najafi, anëtar i parlamentit të regjimit, e ka paralajmëruar Hassan Rouhani-n për pasojat e pashmangshme të fshehjes së vazhdueshme të fakteve. “Pavarësisht politikës së vazhdueshme të fshehjes së fakteve, kriza po shpërthen dhe koha e artë për ta kapërcyer atë mund të na kalojë. Po i afrohemi pikës ku nuk ka më kthim”, tha ai.

Agjencia shtetërore e lajmeve ISNA ka cituar Drejtorin e Universitetit të Shkencave Mjekësore të Tabrizit në provincën e Azerbaixhanit Lindor, i cili thotë. “Brenda një muaji, 400,000 njerëz do të infektohen në provincë, ndërkohë që spitalet tona kanë vetëm 4,000 shtretër. Nëse numri i infeksioneve rritet, duke parë degradimin e shërbimeve mjekësore, 40% e të shtruarve në spital do të vdesin”.

Për t’iu kundërvënë zemërimit në rritje të publikut lidhur me fshehjen e fakteve dhe mosveprimin nga ana e regjimit, dje Khamenei i dha detyrë Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të regjimit iranian, Gjeneral Majorit të IRGC-së Mohammad Bagheri, që të formojë një “qendër komande për shëndetin” për të parandaluar dhe trajtuar Koronavirusin. Por qëllimi i vërtetë është të parandalojë kryengritjet dhe protestat popullore.

Në mënyrë që t’i mbulojë qëllimet e vërteta prapa kësaj detyre të re, Khamenei pretendoi në mënyrë qesharake se ka “arsye të besosh se probabiliteti i një sulmi biologjik” është burimi i përhapjes së Koronavirusit. “Nisur nga probabiliteti i një sulmi biologjik, kjo do të jetë një mundësi për të testuar dhe përmirësuar kapacitetet tona të mbrojtjes biologjike dhe do ta shtojë autoritetin e fuqinë tonë kombëtare.”

Në një reagim ndaj kësaj hileje represive të Khamenei-t, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha: Këto përpjekje të kota do ta intensifikojnë zemërimin dhe urrejtjen e popullit iranian ndaj sistemit të përçmuar e shtypës të velayat-e faqih, i cili nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka kryer vrasje dhe ka plaçkitur pasurinë e popullit gjatë 40 viteve të fundit. Populli iranian e ka deklaruar pa mëdyshje se “armiku ynë është këtu” dhe “Khamenei dhe Rouhani janë Koronavirusi ynë.”

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

13 mars 2020