Friday, July 26, 2024

Ekspertja e të drejtave të OKB-së indinjohet për ekzekutimin në Iran të një adoleshenti, i dënuar në kohën kur ishte i mitur.

Gjenevë (11 gusht 2017) – Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për situatën e të Drejtave të Njeriut në Iran, Asma Jahangir, ka shprehur zemërim për ekzekutimin e një të riu, i cili e ka marrë dënimin me vdekje si fëmijë.

Alireza Tajiki u arrestua në vitin 2012, në moshën  15 vjeçare dhe u dënua me vdekje në vitin 2013 në moshën 16 vjeçare.

Ai u ekzekutua më 10 gusht, pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura nga ekspertët e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, të cilët thanë se dënimi me vdekje nuk duhet të përdoret kurrë kundër një fëmije dhe vunë në dukje se thuhej se z. Tajiki ishte torturuar dhe nuk kishte marrë një dënim të drejtë.

“Unë jam jashtëzakonisht e pikëlluar, pasi mësova se u krye ky ekzekutim, edhe pse është shtyrë dy herë në datat e planifikuara paraprakisht,” tha Raportuesja Speciale.

Ekspertja e të Drejtave të Njeriut theksoi, se dënimi me vdekje i z. Tajiki u vendos nga procedurat gjyqësore të cilat nuk i plotësuan standardet e pranueshme ndërkombëtare për një proces të rregullt gjyqësor.

 “Unë jam mjaft e shqetësuar, që gjykata u mbështet në përdorimin e” rrëfimeve” të detyruara, të cilat thuhet se ishin nxjerrë me anë të torturave, përfshirë rrahjet, rrahjet me kamzhik dhe lidhja duar e këmbë”, tha ajo. “Nuk ka pasur asnjë hetim për këto deklarime nën torturë.”

“Z. Tajikit gjithashtu iu shkelën të drejtat e tij për mbrojtje, për shembull duke iu mohuar marrja e një avokati përgjatë tërë procesit hetimor si dhe duke u mbajtur në izolim për 15 ditë pa të drejtën për tu takuar me familjen e tij. “

Znj. Jahangir shtoi: “Ky trajtim do të ishte i papranueshëm për një të rritur, por për një fëmijë të dyshuar që është dënuar pas abuzimeve kaq të rënda të të drejtave, dhe pastaj ekzekutohet pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve, është vërtet tronditëse”.

Dënimi me vdekje kundër z. Tajiki u anulua në vitin 2014, nga Gjykata e Lartë, por ai u ridënua me vdekje nga Gjykata Penale e  Fars-it, e cila vendosi që ai kishte  “pjekuri mendore” të mjaftueshme për të kuptuar krimin e tij të dyshuar, sa mund të  ekzekutohej . Ky vendim u miratua më vonë nga Gjykata Supreme.

Ekspertja e të Drejtave të Njeriut rikujtoi se Irani ka ekzekutuar tashmë tre të mitur të tjerë që nga janari dhe së paku 86 janë dënuar me vdekje, edhe pse shifra e saktë mund të jetë më e lartë.

“Qeveria e Iranit duhet të ndalojë menjëherë dhe pa kushte dënimin e fëmijëve me vdekje”, tha znj. Jahangir. “Ajo gjithashtu duhet ti ndryshojë të gjitha dënimet ekzistuese me vdekje të vendosura ndaj fëmijëve, në përputhje me angazhimet e saj ndërkombëtare”.

http://www.ohchr.org/EN/NewsEvents/Pages/DisplayNews.aspx?NewsID=21958&LangID=E

Botuar në Drejtat e njeriut |#D83321