Friday, March 29, 2024

Zgjedhja e Parapëlqyer e Khamenei-t në Farsën e Zgjedhjeve të Ardhshme Presidenciale të Iranit

Khamenei's Preferred Choice in Iran’s Upcoming Presidential Election Show

https://townhall.com/columnists/cyrusyaqubi/2021/03/29/khameneis-preferred-choice-in-irans-upcoming-presidential-election-show-n2587058

Cyrus Yaqubi

Regjimi iranian është krejtësisht i zhytur në kriza të brendshme e ndërkombëtare. Sipas ekspertëve, këto kriza janë aq të gjera e të thella saqë mund të ndihmojnë për rrëzimin e regjimit në të ardhmen e afërt. Në mënyrë që ta parandalojë këtë fat të pashmangshëm, Lideri Suprem Khamenei po përpiqet ta unifikojë regjimin dhe t’i mbyllë të gjitha hendeqet apo ndryshimet e mundshme. Duke ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të qershorit 2021 në Iran, Khamenei ka për qëllim të instalojë presidentin e zgjedhur prej tij dhe t’i vërë të gjitha instrumentet e pushtetit në Iran nën udhëheqjen dhe kontrollin e vet. Duke vepruar kështu, Khamenei mendon se planet e tij për shtypjen e çdo kryengritjeje të mundshme në Iran, mbështetja e tij për grupe terroriste të rajonit si Hezbollah dhe Houthi, dhe qëllimi i tij për të prodhuar një bombë atomike do të garantojnë mbijetesën e regjimit të tij.

Gjatë 32 viteve të sundimit të Khamenei-t si lider suprem, praktikisht të gjitha vendimet e rëndësishme janë marrë nga vetë Khamenei, dhe presidenti nuk ka luajtur rol deciziv në vendimet strategjike të vendit. Nga pikëpamja e Khamenei-t, presidenti është thjesht një kokë turku për të metat e tij dhe personi që fajësohet për dështimet e regjimit. Një rast që e ilustron këtë është kryengritja e 2019-ës në Iran, e cila çoi në një shtypje të përgjakshme dhe në vrasjen e mbi 1,500 njerëzve nga Garda Revolucionare. Kjo kryengritje u nxit nga një rritje prej 300 përqind e çmimit të gazolinës. Khamenei kishte qenë plotësisht dakord me këtë rritje, dhe e refuzoi madje votën e deputetëve në parlament për ta rikthyer çmimin në vlerën e mëparshme në mënyrë që të shmangeshin kryengritje të mëtejshme. E megjithatë, ai ua vuri fajin për vendimin e rritjes së çmimit të gazolinës krerëve të ekzekutivit, gjyqsorit dhe legjislativit, duke thënë se ky kishte qenë vendimi i tyre kolektiv, dhe ai thjesht i ishte bindur vullnetit të tyre.

Në një tjetër rast lidhur me JCPOA-në, ndonëse as Presidenti Rouhani, as Ministri i Jashtëm Zarif, nuk ishin lejuar ta firmosnin marrëveshjen pa miratimin e Khamenei-t, ai u përpoq ta mohonte rolin e tij në lejimin e bisedimeve sapo JCPOA nisi të shfaqte shenja të mungesës së efektshmërisë për regjimin iranian. Khamenei fajësoi qeverinë Rouhani për marrëveshjen dhe deklaroi se ai e kishte thënë që në fillim se Amerikës nuk i duhej besuar.

Problemi kryesor për Khamenei-n nuk është as debati mbi JCPOA-në, as mosmarrëveshjet me presidentët e tij; por është e qartë që ai e di se kriza ekonomike, korrupsioni, papunësia, varfëria, dhe pakënaqësia e popullit me regjimin po rriten dhe se kryengritje të tjera madhore do të ndodhin në të ardhmen, gjë që mund të çojë në rrëzimin e regjimit. Khamenei është në kërkim të mënyrave për t’ia zgjatur jetën regjimit të tij nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, për të mos e humbur supremacinë e tij mbi vendimet madhore të brendshme e ndërkombëtare.

Për t’i arritur këto qëllime, në frontin ndërkombëtar Khamenei fajëson vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, ndërsa në frontin e brendshëm, ai fajëson autoritetet e qeverisë dhe presidentin, i cili në të vërtetë nuk është zgjedhur nga populli, por përzgjedhur. Pavarësisht faktit që të gjithë presidentët e mëparshëm, si Khatami dhe Ahmadinejad, etj. ishin dakord me Khamenei-n në shtypjen e popullit dhe zgjerimin e aparatit të shtypjes në mbarë Iranin, si dhe eksportin e terrorizmit, Khamenei nuk është plotësisht i kënaqur dhe ka ndërmend të instalojë një president të ri që të jetë plotësisht besnik ndaj tij dhe të veprojë në përputhje me politikat e tij shtypëse të brendshme e ndërkombëtare.

Khamenei po përballet tani me sfidat më të vështira të sundimit të tij. Nga njëra anë për shkak të keqmenaxhimit dhe korrupsionit të gjerë qeveritar, i cili ka shkaktuar situatën më të rëndë ekonomike në Iran në 42 vitet e fundit, aq sa mbi 60 përqind të iranianëve tashmë jetojnë poshtë pragut të varfërisë, dhe nga ana tjetër për shkak të represionit të madh ndaj lirive civile e të drejtave njerëzore, regjimi është përballur vazhdimisht me protesta publike e kryengritje në të gjitha qytetet e Iranit. Gjatë kryengritjeve në shkallë të gjerë të 2017/2018-ës dhe nëntorit 2019, populli shprehu neverinë e tij për të gjitha fraksionet e regjimit dhe, me sllogane si kundër të ashtu-quajturve reformistë, ashtu edhe kundër fondamentalistëve, bëri thirrje për ndryshim regjimi në Iran. Në zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar, populli e bëri të qartë që dëshiron ta ndryshojë regjimin, duke bojkotuar zgjedhjet.

Sipas disa burimeve, numri i votuesve të ligjshëm që kanë votuar në qytete të ndryshme ka qenë midis 2 dhe 15 përqind, dhe pothuajse të gjithë kanë qenë njerëz të lidhur në një mënyrë apo një tjetër me regjimin. Në frontin ndërkombëtar, regjimi iranian është në izolim të plotë. Për shkak të sanksioneve amerikane, ai e ka humbur mundësinë për t’u dhënë të njëjtën mbështetje financiare si më parë forcave terroriste proksi të tij në rajon, dhe kjo e shton edhe më tej presionin. Në mesazhin e tij të fundit me rastin e Novruzit më 20 mars, Khamenei shfrytëzoi rastin për të shprehur dëshirat dhe pritshmëritë e tij për sa i përket zgjdhjeve të ardhshme presidenciale. Në ‘zgjedhjet’ parlamentare të vitit të shkuar, që u bojkotuan gjerësisht nga populli iranian, ai ia doli t’i bënte të zgjidheshin kryesisht personat besnikë ndaj tij. Si rezultat, një nga aleatët më të afërt të tij, Qalibaf, u zgjodh kryetar i parlamentit.

Khamenei do të donte të bënte të njëjtën gjë për zgjedhjet presidenciale. Ai dëshiron të instalojë një president që të jetë 100 përqind besnik ndaj tij dhe politikave të tij. Po të mos ishte vrarë Qassem Soleimani më shumë se një vit më parë, ai do të kishte qenë pa dyshim zgjedhja e Khamenei-t për president. Në fjalimin e tij më të fundit, Khamenei foli për karakteristikat e presidentit që do të kishte zgjedhur ai dhe paralajmëroi që nuk duhet të ketë asnjë lloj polarizimi për sa i përket zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, Khamenei po e urdhëron Këshillin e Gardianëve që t’i skualifikojë të gjithë kandidatët jo besnikë ndaj tij. Në sipërfaqe, duket sikur ka një luftë për pushtet midis fraksioneve të ndryshme brenda regjimit. Por realiteti është lufta me rrënjë të thella midis popullit dhe regjimit që sundon Iranin, luftë e cila e ka bërë vitin e ardhshëm një vit deciziv për Iranin.

Populli i Iranit është jashtëzakonisht i pakënaqur me regjimin, dhe durimi i tij ka arritur në prag të shpërthimit, pasi nuk sheh asnjë perspektivë për përmirësim të situatës aktuale. Pavarësisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Iranit, situata shoqërore dhe ekonomike e vendit është kaq e errët saqë është e pamundur të gjendet ndonjë kurë brenda këtij regjimi.  Si rrjedhim, duket e pashmangshme që në vitin e ardhshëm do të ketë ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme në Iran.

Cyrus Yaqubi është Analist Studimesh dhe Komentator mbi Çështjet e Jashtme Iraniane, i cili analizon çështjet shoqërore dhe ekonominë e vendeve të lindjes së mesme në përgjithësi, dhe të Iranit në veçanti.