Vazhdojnë të shtohen thirrjet nga aktivistët iranianë për arrestimin e presidentit të regjimit, Ebrahim Raisi, për përfshirjen e tij në masakrën e 1988-ës të kryer nga regjimi ndaj 30,000 të burgosurve politikë, shumica e të cilëve ishin mbështetës ose anëtarë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Shumë nga të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të masakrës kanë udhëhequr thirrjet për t’i kërkuar llogari Raisi-t.
Gjatë muajve të fundit, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) ka organizuar shumë konferenca dhe tubime, ku është theksuar e shkuara kriminale e Raisi-t, përfshirja e tij në masakrën e 1988-ës, dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen për sa i përket administratës presidenciale të tij.
NCRI ka thënë: “Si një nga katër anëtarët e një paneli gjatë masakrës së 1988-ës, panel që tashmë njihet si “komisioni i vdekjes,” Raisi ka qenë një nga autorët kryesorë të asaj masakre. Ai ka mbetur gjithashtu një nga mbrojtësit kryesorë të saj në vitet e fundit, duke e përshkruar madje fetvan e Liderit Suprem të atëhershëm Ruhollah Khomeini, në të cilën ishte dhënë urdhri për masakrën, si një transmetim të pamohueshëm të vullnetit të Zotit.”
Kjo fetva deklaronte se kushdo që ishte mbështetës i MEK konsiderohej ‘armik i Zotit’ dhe duhej të dënohej me vdekje. Në një nga konferencat e NCRI-së, ekspertë ligjorë nga Europa kanë thënë se mesazhi i fetvas tregon qëllimin e regjimit për të ekzekutuar ata myslimanë, ideologjia e të cilëve për Islamin ishte në kundërshtim me atë të mullahëve. Si rrjedhim, ekspertët argumentuan se, në këtë aspekt, masakra e 1988-ës mund të klasifikohet si një akt gjenocidi.
Kjo është arsyeja pse thirrjet për arrestimin e Raisi-t po bëhen gjithnjë e më të forta, dhe sipas parimit të juridiksionit universal, çdo shtet në botë mund t’i ndjekë penalisht krime të këtij niveli, pavarësisht se ku janë kryer ato.
NCRI ka thënë: “Gjithsesi, akuza specifike e gjenocidit nuk është e domosdoshme për zbatimin e parimit të juridiksionit universal. Kjo është e qartë nga fakti që një nga pjesëmarrësit në masakër tashmë është arrestuar jashtë shtetit të tij, dhe çështja e tij nuk e përmend gjenocidin.”
Para pak muajsh, Hamid Noury, një ish zyrtar i burgjeve në Iran, u arrestua në Suedi dhe po përballet me akuzën e krimeve të luftës, për përfshirjen e tij në masakrën e 1988-ës, në një gjykatë suedeze, ku shumë nga të mbijetuarit e masakrës kanë dhënë dëshmitë dhe provat e tyre kundër tij.
Pjesëmarrja e supozuar e Raisi-t në konferencën për ndryshimin klimatik COP26 në Skoci, në fillim të nëntorit, nxiti thirrje për arrestimin e tij po të shkelte në tokën skoceze. Nëse ai do të merrte pjesë në këtë event dhe nuk do të arrestohej, pjesëmarrja e tij do të nxirrte në pah apatinë e fuqive perëndimore për ta mbajtur këtë person përgjegjës për krimet e tij kundër njerëzimit.
Në një samit virtual mbarëbotëror në korrik, Presidentja e zgjedhur e NCRI-së, Maryam Rajavi, tha: “Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, ky është një test që do të tregojë nëse ai do të ndërveprojë me këtë regjim vrasës apo do të qëndrojë në anën e popullit iranian.”
NCRI ka thënë: “Në po këtë event, Rajavi parashikoi se muajt në vijim do të karakterizoheshin nga një rritje e konfliktit midis autoriteteve iraniane dhe shoqërisë civile. Nëse ky parashikim del i saktë dhe ndërkohë legjitimiteti i Raisi-t nuk vihet në dyshim nga ndërkombëtarët, pasojat do të jenë me shumë mundësi të tmerrshme për komunitetin e aktivistëve të Iranit.”