Friday, March 29, 2024

Reagimi i Dëshpëruar i Regjimit Iranian ndaj Djegies së Statujës së Qassem Soleimani

Më 6 janar, njëkohësisht me përvjetorin e dytë të eliminimit të Qassem Soleimani-t, Njësitë e Rezistencës dogjën statujën e tij në Shahr-e Kord të provincës Chaharmahal dhe Bakhtiari. I tmerruar nga ky veprim i guximshëm, Mohammad Ali Nekonam, përfaqësuesi i udhëheqësit suprem të regjimit iranian në Shahr-e Kord, lëshoi një deklaratë të enjten, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ISNA.

“Ky krim ndodhi natën, ashtu si krimi që ndodhi natën në aeroportin e Bagdadit në kulmin e burracakërisë [së armikut],” tha Nekonam, duke pretenduar paturpësisht se ky veprim “do ta rrisë popullaritetin e Haj Qassem tek njerëzit”.

“Në një akt të pacipë, shtatorja e gjeneral-lejtnant Haj Qassem Soleimani, e zbuluar mëngjesin e djeshëm më 5 janar, në prani të zyrtarëve të Provincës në sheshin Hazrat Qamarbani Hashem në Shahrekord, u dogj mbrëmë nga persona të paidentifikuar,” raportoi sot agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve ISNA.

Soleimani, komandanti famëkeq i Forcave terroriste Quds të Gardës Revolucionare (IRGC), u vra në një sulm me dron më 3 janar 2020. Krahas rolit të tij thelbësor në shtypjen e dhunshme të kryengritjeve në Iran, Soleimani bëri të pamundurën për të mbështetur regjimin gjakatar të Bashar al-Asadit. Këtu veçohet sulmi kimik në Ghouta në 2013-ën që rezultoi në qindra vdekje, duke përfshirë fëmijë. Veprimet e tij i dhanë pseudonimin “vrasës i fëmijëve”.

Pas vdekjes së tij, regjimi iranian dhe apologjetët e tij u përpoqën ta portretizonin Soleimani-n si një “hero kombëtar” dhe “komandant të zemrave”.

Këto pretendime false u hodhën poshtë shpejt nga njerëz që shkatërruan ose dogjën posterat dhe statujat e tij në mbarë Iranin gjatë protestave të mëdha në Iran në janar 2020 dhe në 2021-shin.

Veprimi i së enjtes pasqyron përbuzjen e popullit ndaj regjimit terrorist të përfaqësuar nga kriminelë si Soleimani, si dhe qëndrueshmërinë e aftësitë e aktivistëve të opozitës së organizuar brenda Iranit.