Saturday, February 4, 2023

Politika ndaj Iranit: Është e Domosdoshme të Vihen Sanksione dhe t’i Kërkohet Llogari Regjimit

Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e NCRI

Samiti Trans-Atlantik

Maryam Rajavi: Mbrojtja e të drejtave njerëzore për të gjithë popullin iranian, sanksione gjithëpërfshirëse kundër diktaturës fetare, dhe njohja e rezistencës dhe betejës së popullit iranian për liri

Maryam Rajavi: Masakra e 1988-ës dhe vrasjet e nëntorit 2019 duhet t’i referohen Këshillit të Sigurimit të OKB. Ka ardhur koha t’ia heqim pandëshkueshmërinë Khamenei-t dhe zyrtarëve të regjimit. Ata duhet të përballen me drejtësinë

Në prag të seancës vjetore të Asemblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një samit ndërkombëtar online me titull “Samit Trans-Atlantik mbi Politikën ndaj Iranit, Koha për t’i Kërkuar Llogari Regjimit Iranian,” mblodhi bashkë iranianë nga 10,000 lokalitete në vende të ndryshme të botës.

Mes personaliteteve që folën në këtë samit ishin 30 ligjvënës amerikanë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, dhe nga të dy partitë, duke përfshirë Senator Ted Cruz, Senator Roy Blunt, Senator Marco Rubio, Senator Bob Menendez, dhe personalitete si Rudy Giuliani, ish-kryetar i bashkisë së New York City, Gjenerali James Jones, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Obama (2009-2010), Newt Gingrich, Kryetari i 50-të i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Joseph Lieberman, ish-senator amerikan, si dhe një delegacion parlamentarësh britanikë, dhe Amb. Giulio Terzi, ish-Ministër i Jashtëm i Italisë.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe folësja kryesore në këtë samit, bëri homazhe për Navid Afkari-n, një hero kombëtar rebel që është ekzekutuar ditët e fundit nga regjimi, dhe tha: “I gjendur përballë ekzekutimeve dhe masakrave, populli i Iranit nxit Kombet e Bashkuara, dhe në veçanti Këshillin e Sigurimit të OKB, që t’i rikthejë sanksionet e përcaktuara në gjashtë rezolutat e OKB kundër regjimit klerikal në Iran. Përndryshe, Khamenei do të vazhdojë ta shkatërrojë kombin pasi mbijetesa e regjimit është e varur nga vrasjet dhe shtypja. Nëse Khamenei do t’i ndalte ekzekutimet, ai do ta humbte kontrollin e situatës, dhe kryengritjet që ziejnë në thellësi të shoqërisë iraniane do të shpërthenin e do ta përmbysnin fashizmin fetar të mullahëve.”

Znj. Rajavi theksoi rolin e Khamenei-t në vdekjen tragjike të mbi 105,000 njerëzve që kanë humbur jetën nga Koronavirusi, shifër që e rendit Iranin si vendin me numrin më të lartë të viktimave per kapita në botë, dhe shtoi: “Askush nuk e besoi në fillim se regjimi klerikal e kishte qëlluar dhe rrëzuar qëllimisht avionin ukrainas atëherë kur ndodhi ngjarja. Po kështu, është e vështirë të besohet se Khamenei dhe Rouhani po i dërgojnë qëllimisht njerëzit drejt vdekjes duke i ekspozuar ndaj Koronavirusit. Por në fakt, ata kanë ndërmarrë strategjinë e shkaktimit të viktimave njerëzore në masë, për ta mbrojtur regjimin e tyre nga protestat e popullit iranian dhe nga rreziku i përmbysjes.”

Znj. Rajavi shtoi: “Vlera e aseteve të grumbulluara nga institucionet dhe fondacionet e kontrolluara nga Khamenei shkon në mbi një trilion dollarë. Të gjitha këto prona, asete dhe burime i përkasin popullit të Iranit por deri tani, për shëndetin dhe kujdesin mjekësor të popullit nuk është caktuar as edhe një qindarkë nga kjo shumë… Koronavirusi është aleati më i fortë i mullahëve; burgosja dhe ekzekutimet janë veglat më thelbësore të pushtetit të tyre, dhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) është makineria vrasëse më e besueshme për të mbështetur sundimin e tyre… Nëse nuk ke ndërmend ta shtypësh popullin, të ndezësh luftëra dhe të eksportosh terrorizmin, një ushtri duhet të të mjaftojë. Mos ia impononi popullit të Iranit shpenzimet astronomike të IRGC-së. Shpërbëjeni IRGC-në dhe paratë që përdoren për të shpenzojini për shëndetësinë dhe kujdesin mjekësor, dhe paguani rrogat e infermierëve, punëtorëve, mësuesve, dhe punonjësve të sektorit publik.”

Znj. Rajavi rikujtoi kryengritjet e 2017-ës dhe 2019-ës, duke vënë në dukje përshkallëzimin në shtypjen dhe vrasjen e mbështetësve dhe protestuesve të MEK, duke përfshirë masakrën ndaj 1,500 të rinjve e adoleshentëve gjatë kryengritjeve të nëntorit 2019. Ajo përmendi gjithashtu arrestimet në masë, torturimet, dhe dënimet me vdekje që janë dhënë së fundmi për të arrestuarit e akuzuar për moharebeh (luftë kundër Zotit), dhe tha: “Regjimi klerikal është në luftë me popullin e Iranit dhe me komunitetin botëror. … Politikat e gabuara ndërkombëtare që u vijnë në ndihmë vrasësve të popullit iranian, duke e lejuar fashizmin fetar të shkelë të drejtat e popullit të Iranit dhe të përhapë luftë e terrorizëm në Lindjen e Mesme,” duhet të marrin fund.

Presidentja e zgjedhur e NCRI-së parashtroi një përqasje politike tre-degëshe përballë regjimit të mullahëve, të përbërë nga: mbrojtja e të drejtave njerëzore për të gjithë popullin e Iranit, sanksione gjithëpërfshirëse kundër diktaturës fetare, dhe njohja e Rezistencës dhe betejës së popullit iranian për liri në Iran.

Znj. Rajavi shtoi: ‘Është gabim të mendohet se një reduktim i sanksioneve ndërkombëtare do të rezultojë në braktisjen e sjelljes luftarake nga regjimi. Është ironik fakti se terrorizmi i regjimit iranian e ka bastisur Europën pikërisht nën rrethanat e krijuara nga JCPOA.”

Në Samitin Trans-Atlantik mbi Politikën ndaj Iranit morën pjesë qindra personalitete të shquara politike nga SHBA dhe Europa. Disa nga personalitetet që folën direkt në samit apo dërguan mesazhe mbështetjeje përfshijnë: Kryebashkiakun Rudy Giuliani, ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich, ish-Këshillitarin amerikan për Sigurinë Kombëtare Gjeneral James Jones, Gjeneralin Jack Keane, Senatorin Joseph Lieberman, Senatorin Robert Torricelli, Senatoren Kelly Ayotte, ish-kryeministrin shqiptar Pandeli Majko, Kryetarin e Partisë Republikane të Shqipërisë Fatmir Mediu, Kryetaren e Komitetit të Politikës së Jashtme të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish Ministren shqiptare për Integrimin Europian Klajda Gjosha, Ambasadorin Robert Joseph, ish-Ministrin e Jashtëm italian Giulio Terzi, parlamentarin britanik dhe ish-ministrin e Brexit David Jones, Anëtarin e lartë të Parlamentit Britanik Bob Blackman, Kryetarin e Komitetit të Rregullave në Senatin Amerikan Roy Blunt, anëtarin e lartë të Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Bob Menendez, Kryetarin e Nënkomitetit të Sentatit për Kushtetutën në Komitetin e Gjyqësisë dhe anëtarin e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë Ted Cruz, anëtaren e Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Jeanne Shaheen, Kryetarin e Komitetit të Zgjedhur të Senatit për Inteligjencën dhe Kryetarin e nënkomiteteve për të drejtat njerëzore dhe çështjet e grave Marco Rubio, Kryetarin e Nënkomitetit të Përhershëm të Senatit për Hetimet dhe anëtarin e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë Rob Portman, anëtaren e Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura dhe kryetaren e Nënkomitetit për Ujin dhe Energjinë Martha McSally, Kryetarin e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve Eliot Engel, Rep. Ted Yoho, Rep. Sheila Jackson-Lee, Rep. Tom McClintock, Rep. Raul Ruiz, Rep. Judy Chu, Rep. Paul Gosar, Rep. Lance Gooden, Rep. Janice Schakowsky, Rep. Kathleen Rice, Rep. Tom Emmer, Rep. Dan Crenshaw, Rep. David Joyce, Robert Aderholt, Rep. French Hill, Rep. Brad Schneider, Rep. Don Bacon, Rep. Glenn Grothman, Rep. Jody Hice, si dhe përfaqësuesit Mikie Sherrill dhe Rob Woodall që dërguan deklarata të shkruara mbështetjeje për këtë tubim.

Ky tubim virtual global nisi të premten në orën 17:00 dhe vazhdoi deri në orën 22:00.

Folësit në këtë samit kërkuan drejtësi për mbi 30,000 anëtarë të MEK e aktivistë të tjerë, të burgosur politikë që u masakruan në 1988-ën. Ata bënë thirrje që t’i jepet fund politikës së paqësimit dhe kërkuan që personat që e kanë urdhëruar dhe kryer këtë krim të madh, persona të cilët mbajnë poste të larta aktualisht në regjim, të vihen para drejtësisë.

Folësit sollën në vëmendje gjithashtu ekzekutimin kriminal të kampionit të mundjes Navid Afkari dhe bënë thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare për ta ndaluar valën e ekzekutimeve e dënimeve me vdekje që po jepen për protestuesit anti-regjim dhe sidomos për ata që janë arrestuar gjatë kryengritjes së nëntorit 2019.

Samiti u transmetua live në mënyrë satelitore në Iran dhe ishte i disponueshëm gjithashtu edhe në rrjetet sociale, përfshirë Twitter dhe Facebook, i transmetuar live në internet në pesë gjuhë të ndryshme.