Monday, December 5, 2022

Konferenca e NCRI-së Ekspozon Njësitë Detare Proksi të Forcave Quds të IRGC-së

Më 2 shkurt, përmes zyrës në Uashington, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) bëri publike zbulimet e tij më të fundit rreth strategjisë dhe krahut terrorist më të ri të regjimit iranian, Njësisë Detare të Forcave Quds të Gardës Revolucionare, dhe dha detaje rreth misionit e bazave të saj dhe mënyrës më të mirë për t’u përballur me të.

Sipas informacionit të marrë nga rrjeti brenda Iranit i opozitës kryesore iraniane, Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), Forca Quds ka rekrutuar mercenarë për disa njësi terroriste të krijuara, të armatosura dhe të trajnuara rishtazi për të sulmuar anijet dhe shënjestrat detare në rajon. IRGC-QF kryen trajnime me kurse të specializuara detare në Iran për mercenarët e saj jemenas, irakianë, sirianë, libanezë dhe afrikanë dhe i dërgon ata në vendet e tyre të origjinës për të formuar njësi detare.

Për herë të parë, zyra e NCRI-SHBA ka zbuluar detajet e formacionit të njësive detare terroriste të IRGC-QF, duke përfshirë ciklin e rekrutimit dhe trajnimit për operacione terroriste nga forcat proksi, si dhe ciklin e furnizimit të tyre me armë dhe mbështetje logjistike.

IRGC ka formuar kohët e fundit Njësinë Detare të Forcave Quds në kontekstin e zgjerimit të aktiviteteve të saj terroriste nga forcat proksi në Irak, Jemen, Siri, Palestinë, Liban dhe disa vende afrikane. Kjo Njësi ofron trajnime të specializuara (komando) dhe formon njësi operacionale për të kryer agresion detar.

Që nga fillimi i vitit 2021, dhe kryesisht që nga gushti 2021, kur Ebrahim Raisi mori detyrën si presidenti i ri i regjimit iranian, Teherani i ka shtuar operacionet e tij terroriste detare duke përdorur mercenarë të huaj, veçanërisht Houthi-t e Jemenit.

Pas eliminimit të komandantit të Forcave Quds, Qassem Soleimani, në janar 2020, një goditje e rëndë kjo ndaj aftësisë së Forcave Quds për të ndërhyrë drejtpërdrejt në vendet e rajonit, kapaciteti i IRGC-së për t’u imponuar në Irak, Liban dhe Siri ka qenë në rënie. Për ta kompensuar këtë, IRGC po mbështetet tek ndërhyrja në Jemen, veçanërisht duke përshkallëzuar aktivitetet terroriste detare dhe duke kërcënuar anijet ndërkombëtare në brigjet e tij.

Operacionet terroriste detare në Detin e Kuq dhe ngushticën Bab al-Mandab mbikëqyren nga komanda qendrore e IRGC-QF, por kryhen nga njësitë detare të krijuara me forcat Houthi.

Zëvendësdrejtori i NCRI-SHBA, Alireza Jafarzadeh, zbuloi detaje në lidhje me kampet e trajnimit dhe qendrat e mëposhtme të Njësisë Detare të IRGC-QF:

  • Akademia e Shkencave dhe Teknologjisë Detare Khamenei në ZibaKenar në vijën bregdetare të Kaspikut në Provincën Gilan.
  • Garnizoni Imam Ali, i vendosur në kilometrin e 20-të të autostradës Teheran-Karaj, Bulevardi Ardestani.
  • Brigada komando e marinës së IRGC-së, e quajtur Aba Abdullah, është e vendosur në ishullin Farur.
  • Qendrat e Marinës së IRGC-së në pjesë të ndryshme të ishullit Qeshm konsiderohen si një nga komplekset trajnuese të Forcës Quds.
  • Shtabi komandues i brigadës detare 112 të Zolfaqar të IRGC-së ndodhet afër fshatit Messen në ishullin Qeshm.
  • Shtabi i pavarur komandues i Marinës së IRGC-së, i quajtur Garnizoni Imamat, si dhe shtabi komandues i rajonit të 2-të detar, i vendosur në Bandar-e-Jask.

 

Konferenca përfshinte gjithashtu informacione rreth mënyrës sesi trupat e trajnuar të Njësisë Detare të Forcës Quds janë organizuar në batalione komando detare, të cilat janë vendosur në mënyrë specifike në Detin Arabik, Bab al-Mandab, dhe në Detin e Kuq për të penguar lundrimin e anijeve tregtare, për të sulmuar portet, për të kryer rrëmbime anijesh, dhe për të vendosur mina, ndër të tjera.

Forcat Quds kanë krijuar një rrjet kontrabande për t’u siguruar armë dhe pajisje proksive të tyre për sulme detare, duke përdorur rrugë dhe metoda të ndryshme nga Jemeni në Somali.

Forcat Quds i kanë pajisur Houthi-t me skafe, raketa, mina dhe armë të tjera. Ato përdorin taktika që shfrytëzojnë skafet dhe luftën asimetrike – të ngjashme me ato të përdorura nga Marina e IRGC në Gjirin Persik – për të zgjeruar konfliktet në Detin Arabik, Bab al-Mandab dhe Detin e Kuq.

Ofertat e vazhdueshme të vendeve perëndimore për lëshime dhe mungesa e llogaridhënies për operacionet terroriste të regjimit iranian dhe vrasjet e tij brenda vendit, e kanë inkurajuar Teheranin ta forcojë edhe më tej sjelljen e tij agresive, duke krijuar kaos në rajon, nënvizoi Përfaqësuesja e NCRI-së në SHBA, Soona Samsami.

Që nga dhjetori 2017, ka pasur tetë kryengritje të mëdha, si dhe protesta të njëpasnjëshme nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë iraniane që kërkojnë ndryshime thelbësore. Strategjia më e fundit e Teheranit për të krijuar njësi detare terroriste dhe për ta shtuar kaosin në rajon ka për qëllim të projektojë forcë dhe të mbulojë dobësinë e tij themelore brenda Iranit. Regjimi shpreson se ky imazh do t’i sigurojë më shumë avantazhe brenda dhe jashtë vendit.

Samsami shtoi se pavarësisht se çfarë mund të bëjë regjimi iranian me programin e tij të armëve bërthamore dhe negociatat me P5+1, Teheranit duhet t’i kërkohet llogari për luftërat proksi në rajon, terrorizmin e tij, zhvillimin e raketave balistike, si dhe dhunimet tejet të rënda të të drejtave të njeriut dhe shtypjen e qytetarëve të vet që marrin pjesë në kryengritje të vazhdueshme.

Përkeqësimi i ekonomisë i ka privuar IRGC-në dhe grupet proksi të Teheranit nga burimet jetike që u nevojiten, dhe regjimi kërkon dëshpërimisht lehtësimin e sanksioneve për të financuar forcat e tij shtypëse brenda dhe jashtë Iranit. Me pengesat më të fundit ushtarake në Rajonin Marib të Jemenit, dominimi i regjimit në të gjithë Lindjen e Mesme është dobësuar shumë. Trazirat mbarëkombëtare i kanë dobësuar radhët dhe moralin e IRGC-së dhe bota duhet të shikojë me kujdes se çfarë po ndodh në rrugët e Teheranit, Bejrutit dhe Bagdadit për të mësuar si të tregohet e rreptë dhe të ndjekë shembullin e qytetarëve në këto rrugë.